Zërat
Jeton Zulfaj
Jeton
Zulfaj

Fluturimi i Shpendit

Zërat May 26, 2016 - 11:32

Pas dështimit të një lëvizjeje urbane, e njohur si partia “Ora”, e themeluar nga publicisti dhe aktivisti Veton Surroi, më 2010 një lëvizje tjetër urbane “Fryma e Re” (FER) mori jetë. Emra të njohur të shoqërisë civile, sikurse Shpend Ahmeti dhe Ilir Deda, lëshuan sektorin joqeveritar për t’i hyrë politikës.

Shpendi kishte mbaruar studimet Master në Harvard dhe në Kosovë kishte themeluar institutin GAP ku kontribuonte me njohuritë e tij në përmirësimin e politikave ekonomike. Varfëria e skajshme dhe papunësia në rritje ishin problemet kryesore që shqetësonin mendjen e Shpendit. I bindshëm në argumente dhe i mprehtë në mendime, Shpendi arriti të fitojë simpatinë e mediave dhe qytetarëve si njeri i mençur dhe me të ardhme premtuese.

Në vitin 2010 Shpendi vendosi të testojë simpatinë që qytetarët kishin për të. Ai lë rolin e aktivistit të shoqërisë civile dhe epitetin e analistit prej Harvardi për t’i hyrë një beteje të gjatë dhe të mundimshme: politikës.

Në Kosovë nocioni për politikën është ai i shfrytëzimit të autoritetit publik për përfitime personale. Rrjedhimisht, qytetarët kanë pak ose aspak besim se politika dhe politikani mund të jenë të mirë dhe në shërbim të tyre. Shpendi kishte një betejë të mundimshme para vetes për të ndryshuar këtë perceptim.

Në një vend normal, kalimi nga shoqëria civile në politikë është një hap i zakonshëm kur kupton se veprimet dhe aktivitetet tua në sektorin civil nuk po arrijnë efektin e duhur për të bërë ndryshim dhe se ndoshta mund t’i kontribuosh më shumë komunitetit përmes politikës duke përdorur instrumentet që ofron shteti.

Shpendi, Iliri dhe të tjerë bënë pikërisht këtë. Ata themeluan një parti të re që me elegancë u quajt Fryma e Re (FER).

Kalimi i Shpendit në politikë ishte një test sa për Shpendin aq edhe për vetë shoqërinë. Shpendi me FER-in po testonin nëse shoqëria ishte e gatshme të pranonte për politikanë disa vajza dhe djem të rinj që nuk ishin as komandantë lufte dhe as biznesmenë.

Të mprehtë në argumente, të rafinuar në fjalor dhe pa ngarkesë emocionale e retorikë nacionaliste kjo elitë ishte krejt çfarë i duhej Kosovës për t’u shkëputur nga një politikë klanore dhe konfliktuale që bazohej në frikësim, premtime të rrejshme, shantazhe dhe fjalë boshe.

Rezultati ishte zhgënjyes. FER nuk kaloi pragun për të hyrë në Parlament.

Dështimi i FER-it nuk ishte dështim i Shpendit, por Shpendi dhe të tjerët nxorën mësimet e para nga politika. Ata kuptuan se ndryshimi nuk është i lehtë dhe se bindja e qytetarëve kërkonte më shumë sesa fjalë të mira dhe argumente të qarta për të mundur kundërshtarë që bënin fushata milionëshe.

Mësimi tjetër ishte se shoqëria ende nuk ishte ngopur me komandantët e luftës dhe ndoshta për shkak të marrëdhënieve jofqinjësore me Serbinë, shoqëria ende ndjehej e pasigurt të udhëhiqej nga njerëz që nuk kanë udhëhequr luftën.

Dështimi i FER-it, gjithashtu, dogji për një kohë edhe kartën themelimin e subjekteve të reja. Dështimi i “Orës” dhe pastaj FER-it futën frikën mjaftueshëm tek elita e shoqërisë se çdo tentativë për të formuar lëvizje të re politike do të dështonte.

Gabimi me FER-in

Me shpejtësinë që u krijua, FER-i edhe u shpërnda. Shpend Ahmeti bëri një U-kthesë në vizionin e tij për Kosovën shtet duke u bashkuar me lëvizjen nacionaliste  - Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në vitin 2010, Shpendi radhiste shtyllat e “Frymës së Re”: a) Zhvillimi Ekonomik b) Qeverisja e mirë dhe lufta antikorrupsion c) E ardhmja evropiane dhe investimi në arsim. Askund nuk ishte prioritet bashkimi me Shqipërinë.

Pas kalimit në LVV, Shpendi filloi transformimin. Qëllimi i zhvillimit ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe zëri i arsyes papritmas u zëvendësuan me qëllimin e bashkimit kombëtar, me një politikë të majtë të largët që synon shtetëzimin e gjiithçkaje dhe me një ton shpesh emocional.

FER-i tashmë ishte shuar, e me të edhe shpresa për një frymë vërtet të re. FER-i kishte mundësinë të fuqizohej jashtë parlamentit duke mbledhur zërat e arsyes dhe duke konsoliduar radhët me një elitë të re politike. Mbyllja me shpejtësi e një alternative që kishte ngjallur shpresë për aq shumë të rinj se politika dhe politikanët mund të ishte ndryshe ishte vrasje e ëndrrave dhe e shpresës për ndryshim.

#Me Shpendin për Albinin

“Vetëvendosje” ishte e etur për figura të reja për të joshur qytetarët e frikësuar nga parullat nacionaliste, fjalori folklorik dhe metodat revolucionare. Shpendi dhe FER-i ishin fytyrat e duhura për “Vetëvendosjen”. Një ekonomist liberal, me një disiplinë dhe kulturë të admirueshme të debatit ishte gjithçka që LVV-ja kishte nevojë për të qetësuar një shtresë të frikësuar të shoqërisë.

Thellë në brendësi, Shpendi dhe të tjerë nga FER-i ishin të bindur se kalimi i tyre në LVV do të bënte që LVV të ndryshonte. Shpendi mund të ketë shpresuar se LVV-ja do të fillonte të bëhej pragmatiste dhe të vendoste problemet reale të qytetarëve të Kosovës para qëllimit të bashkimit kombëtar. 

Shpendi u gabua.

FER-i u tret në LVV si pluhuri në ujë pa arritur të ndryshojë as ngjyrën e as shijen. Në fakt ndodhi e kundërta. Shpendi filloi të marrë një gjuhë emocionale në debate dhe një pullë të kuqe në veshje. Problemet praktike që dikur e shqetësonin mendjen e Shpendit sikurse varfëria dhe papunësia tashmë ishin zëvendësuar me tema të mëdha politike sikurse sovraniteti dhe e drejta për bashkim, kurse flamuri kaltër e verdhë i FER-it u zëvendësua me ngjyrën e kuqe dhe të zezë për të kompletuar transformimin.

Edhe përkundër kësaj metamorfoze, Shpendi ende mbetej figura më e pranueshme brenda LVV-së për shumë institucionalistë dhe qytetarë që kishin këmbët në tokë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 Shpendi natyrshëm doli kandidati i LVV-së për Prishtinën dhe arriti atë që askush që s’ishte pjesë e radhëve të LDK-së nuk kishte arritur ta bëjë që nga viti 2000 në Prishtinë. Shpendi fitoi Prishtinën.

Analistët janë të ndarë kur vjen tek argumenti se kujt i dedikohet fitorja. Nga kampi i LVV-së janë të bindur se Shpendi fitoi duke qenë kandidat i tyre, kurse shumë qytetarë ndajnë mendimin se Shpendi fitoi më shumë si person se si kandidat i një subjekti. Vetë Shpendi në një debat pikëllues në “Klan Kosova” javën që shkoi u shpreh se pa LVV-në ai nuk do të mundë të fitonte Prishtinën.

E vërteta si çdoherë është diku në mes. Shpendi nuk do të mundë të bëhej kryetar pa votat e LVV-së dhe të subjekteve tjera që ishin kundër dominimit të mëtejmë të Prishtinës nga LDK-ja. Pra LVV-ja nuk do të fitonte pa Shpendin, por as Shpendi pa LVV-në.

Një pasqyrë e rezultatit të LVV-së në Prishtinë janë ulëset që ajo siguroi në Kuvendin Komunal. Shpendi u zgjodh kryetar nga qytetarët e Prishtinës, të cilët u bashkuan rreth figurës së Shpendit.

Kthimi në origjinë

“Dikush e gjen vetën aty (në ‘Vetëvendosje’) pse është kombëtar, dikush e gjen vetën aty pse është socialdemokrat, dikush e gjen vetën aty pse është aktivist. Unë e kam gjetur vetën aty se jam socialdemokrat”. Kjo deklaratë e dhënë javën që shkoi në “Klan Kosova” është tregues i qartë se pas kaq shumë viteve të simbiozës me nacionalizmin, transformimi nuk është i plotë. Shpendi ende thellë në vete është analisti nga Harvardi, një liberal që nuk pajtohet që problemet të zgjidhen me forcë, që debati të fitohet nga ai që bërtet më shumë.

Shpendi është kryetar i Prishtinës. Rezultati i tij në krahasim me ulëset që LVV-ja ka në Kuvendin Komunal e obligon Shpendin që të jetë kryetar konsensual. Një kryetar që bashkon spektrin politik dhe nxit gjuhën e bashkëpunimit. Një kryetar që nuk merret me inate të vogla por me projekte të mëdha. Një kryetar që kupton se pushtetet janë të ndara dhe se bashkëpunimi është i ndërsjellë. Një kryetar që distancohet nga gjuha arrogante e zëvendësit të tij, por edhe nga gjuha nacionaliste e partisë së tij. Një kryetar që jep shpresë për gjeneratat e reja të politikanëve se në politikë nuk mund të fitosh çdoherë, se duhet dëgjuar pikërisht ata me të cilët nuk pajtohesh, se në vend të ngritjes së zërit mund të ngremë nivelin e bashkëpunimit dhe dorën e partneritetit. Një kryetar që nuk përdor qytetarët për qëllime të partisë, por që bashkon qytetarët e të gjithë partive.

Shpendi nuk mund të bashkojë të korruptuarit, revolucionarët dhe nacionalistët, por ai mund të bashkojë qytetarët. 

Është koha që Shpendi t’i kthehet alternativës së vërtetë politike! (Autori është Master për Çështje Evropiane në Universitetin “Lund” të Suedisë.)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK