Zërat
Mero Baze
Mero
Baze

Prokurori duhet të kërkojë ndërprerjen e mandatit dhe arrestimin e Flamur Nokës

Zërat May 26, 2016 - 11:28

Zoti Prokuror i Përgjithshëm!

Gazeta “TemA” ka botuar sot një dokument, që nëse gërmon në arkivën e Shtetit, ndoshta dhe të policisë, mund ta gjesh, ku provohet se Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe aktualisht deputet në parlamentin shqiptar, ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Ai nuk ka deklaruar në formularin që ka detyrim ligjor, tre ngjarje të rënda në jetën e tij, të cilat tashmë kanë peshë jo vetëm në raport me ligjin, por dhe sigurinë kombëtare.

Flamur Noka është përballë tre shkeljeve të ligjit. E para nuk ka deklaruar që ka qenë i arrestuar në një shtet jashtë Shqipërisë. Ju personalisht p.sh. keni deklaruar dhe një periudhë emigracioni në Greqi, ndërsa ky nuk ka deklaruar, as shkuarjen si emigrant në ish-Jugosllavi, as arrestimin aty. Kjo është shkelja e parë e rëndë ligjore.

Shkelja e dytë e rëndë ligjore, është se ai ka gënjyer kur pyetet nga formulari nëse është hetuar ndonjë herë nga ndonjë organ hetimor shqiptar. Sipas dokumenteve që ka botuar gazeta, ai është hetuar dhe është marrë në pyetje gjatë nga policia shqiptare e rrethit të Kukësit, në vitin 1991, rreth burgosjes së tij në ish-Jugosllavi dhe arsyeve përse ka shkuar atje.

Së treti sipas dokumenteve, ai rezulton se është marrë në pyetje nga UDB dhe ka bashkëbiseduar me ta, duke u dëshmuar për shumë zhvillime në Shqipërnë e asaj kohe dhe sidomos zhvillimet në Partinë Demokratike.

Ai ka pranuar gjatë hetimeve se ka marrë ofertë për të qenë agjent i UDB në Jugosllavi, kundrejt një ish pune të mirë, por ka thënë se dëshiron të kthehet në Shqipëri. Ai nuk ka deklaruar nëse kthimi në Shqipëri, ishte refuzim i bashkpunimit me UDB. Ai ka bashkëpunuar me shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë, duke i treguar gjëra të vërteta UDB-së, lidhur me rolin e PD në ngjarjet e vitit 1991 dhe është pyetur për stukturat policore dhe të sigurimit në fshatin e tij dhe më tej.

Të gjitha këto detaje, e bëjnë atë një njeri shoqërisht të rrezikshëm, po të mendojmë se pas këtij kontakti, ai është përqëndruar në një karrierë politike në Partinë Demokratike, duke qenë dhe jashtë standartit intelektual. Të kujtoj se i është dashur gati dyfishi i kohës të mbarojë studimet e larta dhe ato me ndërhyrje politike. Ai ka pranuar të poshtërohet dhe të përbuzet, por mjafton të ecte përpara në karrierë, derisa ish-kryeministri Berisha e bëri atë Ministër të Punëve të Brendshme.

Kjo është një histori e rëndë për shtetin shqiptar, pasi ne mund të kemi pasur në krye të shtetit shqiptar, një bashkëpunëtor klasik të UDB, i cili mund ta ketë rolin e tij, në shumë zhvillime dëshpëruese të policisë nën drejtimin e tij , si dhe zhvillime të tjera për të cilat mund të mos jemi në dijeni.

Ju zoti Prokuror, keni ngritur një stukturë të posaçme e cila duhet ta thërrasë menjëherë për të marrë në pyetje zotin Flamur Noka, për të treja këto akuza. Sipas nenit 92 të Kodit penal ai rrezikon 3 deri 7 vite burg për deklarime të gënjeshtërta, ndërsa ndaj tij duhet të nisë një hetim i mirëfilltë penal, edhe për implikimin e mundshëm të tij me UDB. Ky hetim mund të bëhet dhe nga një prokuror special, pasi është nje çështje që rrezikon sigurinë kombëtare dhe kërkohen fakte dhe të dhëna, që duhet të lidhen dhe interpretohen në raport me ndikimin që ka pasur kontakti i tij me UDB, në karrierën e tij politike. Fakti që në vitin 1991, UDB e ka pyetur atë për PD dhe rolin e saj dhe pas kësaj ai ka bërë karrierë në PD, është për t’u hetuar dhe analizuar me përgjegjshmëri.

Nga ana tjetër duhet t’iu kujtoj se për shkak të postit që ka mbajtur si ish Ministër i Brendëshëm, ai është pajisur me çetfikatë sigurie që do të thotë se paraprakisht ai ka plotësuar nje formular rreth 30 faqe. Pjese e pyetjeve të atij formulari kanë qenë dhe pyetjet për kontakte me shërbime të huaja. Tani ky person mban postin e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. E kuptoni në dorë të kujt është siguria kombëtare e Shqipërisë sot? Në dorë të një spiuni të rëndomt birucash të UDB që raporton për policin e fshatit. Por puna juaj e parë është të zbatoni ligjin e dekriminalizimit dhe të kërkoni ndërprerjen e mandatit të tij si dhe lejen për ta arrestuar si mashtrues dhe falsifikues i të dhënave me karakter zyrtar.

Por puna juaj e parë është të zbatoni ligjin e dekriminalizimit dhe të kërkoni ndërprerjen e mandatit të tij si dhe lejen për ta arrestuar si mashtrues dhe falsifikues i të dhënave me karakter zyrtar.

Nëse nuk e bëni jeni duke konsumuar me dashje mosveprimin tuaj për zbatimin e ligjit, për të cilin u investua aq shumë, politika shqiptare dhe aleatët tanë perëndimorë dhe natyrisht dhe zoti Flamur Noka.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK