Zërat
Blendi Fevziu
Blendi
Fevziu

Kush po e përdor pajisjen sekrete të përgjimit?

Zërat May 16, 2016 - 15:56

Policia shqiptare ka pranuar praninë e një pajisjeje përgjimi në ambientet e saj, por i ka thënë prokurorëve që kanë shkuar për ta sekuestruar se ajo nuk administrohet nga policia shqiptare, por nga misioni italian i Interforcës. Së paku kështu raporton faqja “Opinion.al” që i referohet edhe faqeve të tjera që kanë trajtuar këtë lajm.

Po sipas shtypit, çështja e një pajisjeje ilegale përgjimi është njoftuar nga një informacion që SHISH i ka çuar Presidentit të Republikës dhe që ka vënë në lëvizje Prokurorinë. Javën që kaloi ka qenë kjo e fundit që ka bërë hetime dhe ka gjetur që kjo pajisje nuk figuron e regjistruar në doganë, nuk ka asnjë akt zyrtar që të shënojë hyrjen në Shqipëri, por ekziston!

Po përse duhet një pajisje e tillë përgjimi dhe përse do të përdoret ajo? Sipas ligjit në fuqi, përgjimi bëhet i autorizuar nga Prokurori dhe merr forme ligjore vetëm nëse është i miratuar me vendim gjykatë. Edhe në këtë rast, përgjimi ngërthen 3 institucione, Prokurorinë, Shërbimin Informativ dhe Policinë. Asnjëra palë nuk mund të përgjojë pa praninë e palës tjetër. Synimi i këtij ligji ka qenë që të shmangë abuzimin me përgjimet, një fenomen, mjaft problematik edhe në vende të zhvilluara evropiane si Britania e Madhe etj.

Por përgjigja që Drejtoria e Policisë i ka dhënë Prokurorisë ngre një pikëpyetje të madhe ligjore dhe lë vend për hamendje nga më të errëtat.

E para përse Interforca italiane duhej të instalonte një pajisje të tille në Shqipëri?

E dyta përse kjo pajisje përgjimi është futur pa asnjë shenjë në doganë dhe pa dijeninë e institucioneve të tjera që duhet të administrojnë atë. Ka një ligj se kush i administron pajisje si këto dhe kushdo që bën përgjim të paligjshëm, institucion shtetëror apo privat, përgjigjet përpara ligjit.

E treta, a i lejohet Interforces të bëjë përgjime pa lejen e Prokurorisë? Këtu përgjigjja është pa ekuivok, JO?

Dhe e fundit, nëse pajisja është për trajnimin e policëve, siç citon “www.Opinion.al” deklaratën e Cakos, atëherë ky trajnim duhej të përfshinte edhe Prokurorinë dhe SHISH sepse përgjimi është atribut i të tre institucioneve? Përse po trajnohet vetëm policia dhe përse po e bën këtë trajnim.

Ndërkohë burime të besuara nga institucionet e sigurisë, i kanë thënë “Opinion.al” se në Shqipëri janë instaluar pajisje të sofistikuara që mund të deshifrojnë edhe platforma të koduara komunikimi si “Whatsap” dhe “Viber”. Por nuk sqarohet nëse këto administrohen në mënyrë legale apo ilegale si pajisja e mësipërme.

Siç nuk dihet nëse programet në fjalë arrijnë apo jo të dekriptojnë sistemin e fundit të vendosur nga “Whatsap”, ku mesazhet nuk ruhen më në server dhe ku kriptimi është nga burimi në burim.

Ka hije të forta në këtë histori, që më shumë sesa një histori ligjore duket si një abuzim me ligjin. Ndaj policia duhet të jetë më e hapur dhe Prokuroria duhet t’i shkojë deri në fund një ngjarje që mund të kthehet në një skandal me përmasa jo të vogla. Si të gjitha skandalet e përgjimeve në botë, që nga watergate e deri te News of the World… (opinion.al)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK