Zërat
Lavdim Hamidi
Lavdim
Hamidi

Viza drejt Dubravës

Zërat May 06, 2016 - 15:25

Liberalizimi i vizave për Kosovën, bashkë me pranimin në UEFA, pa dyshim se është lajmi më i madh për vendin pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 2008.

Pavarësisht se lëvizja e lirë në zonën Schengen për qytetarët e vendit po ndodh shtatë vjet më vonë se fqinjët e tyre, sidoqoftë është pozitive se kosovarët nuk do të jenë edhe më tutje më të izoluarit.

Dhe kështu pas pak javësh Evropa do t’i hapë dyert edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët për vite me radhë dështuan ta realizojnë lirinë e lëvizjes në kontinentin e vjetër, pikërisht për faj të liderëve të tyre të korruptuar, të cilët në vend se t’i plotësojnë kriteret e nevojshme për liberalizim dhe ta përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve, krijuan jetë luksi për familjarët e tyre.

Prandaj, liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Fundja, këtë e kërkoi gjatë vizitës së djeshme në Kosovë edhe komisionari Avramopoulos, sipas të cilit lufta ndaj këtyre dukurive negative është detyrim për shtetin më të ri.

Zyrtarët e lartë nga Brukseli na dëshmuan edhe një herë se Evropës nuk i duhen zyrtarë të dyshuar për korrupsion dhe krim të organizuar, por qytetarë të civilizuar dhe me pikëpamje evropiane.

Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë evropianë për luftim të korrupsionit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë deklaroi se korrupsioni në vend është vetëm perceptim.

Dhe si për dreq, fill pas kësaj deklarate ndodhi edhe arrestimi i ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, i cili deri vonë ka qenë deputet i ish-partisë së Thaçit në Kuvend si i dyshuar se e ka dëmtuar Kosovën në vlerë prej 30 milionë eurosh nga malverzimet me prona shoqërore.
Po ashtu, vite më parë kur Thaçi ishte kryeministër i vendit dhe kur bënte premtime të pareshtura për heqjen e vizave ndodhi skandali me pasaportat biometrike, ku bëhej fjalë për dyshime për korrupsion në vlerë prej 1.4 milion eurosh.

Skandali i Azem Sylës me prona dhe i Natali Veliajt me pasaportat biometrike nuk janë të vetmet raste të dyshimta për përfshirje në afera korruptive.
Por, janë edhe shumë ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë institucionalë si të dyshuar për përfitime të paligjshme, por me këta të fundit për më shumë se një dekadë ka dështuar të merret seriozisht sistemi i drejtësisë në vend.

Mjafton që t’u hedhet një sy formularëve të deklarimit të pasurisë, pa i marrë parasysh edhe përfoljet për pasuri milionëshe të padeklaruar për ta kuptuar se sa shpejt zyrtarët e lartë kosovarë janë bërë milionerë nga pagat e buxhetit të varfër të vendit.

Një pasuri të tillë është e pamundur ta arrijnë për një periudhë kaq të shkurtër edhe zyrtarët evropianë, pavarësisht se këta të fundit paguhen shumëfish më shumë.

Tashmë kur vizat u hoqën për në Bashkimin Evropian, për të ecur sa më shpejt në proceset integruese, detyrimisht të gjithë të korruptuarve duhet t’u jepen viza për në Burgun e Dubravës apo të Dyzit, ashtu siç kanë vepruar shtetet tjera ballkanike para se të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK