Zërat
Luan Shllaku
Luan
Shllaku

OJQ-të dhe politika!

Zërat May 05, 2016 - 21:10
A duhet shoqëria civile të merret me politikë? Sigurisht se po! Pa veprim politik nuk do ta ketë te mundur që të luftojë për avancimin e vlerave demokratike të shoqërisë. Po ku është vija (e kuqe) që e ndanë veprimin e saj nga veprimi i partive politike, të cilat, të paktën deklarativisht, luftojnë për t'i vendosur në vend të njëjtat vlera? Ku është pra dallimi?

Kohëve të fundit është shkruar se opozita, ose një pjesë e saj, do të bëhet bashkë - çka do që do të thotë kjo - me shoqërinë civile, për të protestuar, dhe sipas mundësisë edhe rrëzuar qeverinë! Çfarë lidhje në mes të partive politike dhe shoqërisë civile synohet?

Nëse do të mungonte lidhja e shoqërisë civile me politikën atëherë shoqëria civile do ta humbte një krah të rëndësishëm të veprimtarisë së saj - mundësinë që ta formësojë dhe ndikojë politikën; por, në anën tjetër, afrimi i tepërt i shoqërisë civile me partitë politike e zbeh kredibilitetin dhe neutralitin e saj. Të bësh presion ndaj partive qeveritare për t'i korrigjuar politikat e tyre jo frytdhënëse si dhe për të quar dorë nga praktikat korruptive dhe krimi i organizuar, është kontributi dhe ndikimi më i madh që OJQ-të mund ta bëjnë në politikën Kosovare. Dhe ky kontribut duhet të jetë afatgjatë, dhe intensiv, tërë kohën. Dhe s'do mend që të gjitha këto do t'i shkojnë opozitës shumë për shtati: do të mund të argumentojnë fuqishëm për abuzimet e qeverisë, duke i përdorur rezultatet e punës së OJQ-ve, si dëshmi të fuqishme se diçka duhet ndryshuar.

Por, në këtë kontekst, ka dy rrugë, që qojnë deri te ndryshimi: njëra është ajo që do të ishte e natyrshme - të ndikohet votuesi kosovar. Sa më shumë argumente të sillen për veprimet a pa-qëlluara dhe abuzuese të qeverisë aq më pak ajo do të votohet. Dhe këtu shoqëria civile bëhet një aleate e fortë e partive opozitare. Me dhjetëra studime për abuzimet e qeverisë bëhen pothuaj çdo muaj. Partitë opozitare duhet të dinë t'i përdorin duke i vu në spikamë frytet e punës së OJQ-ve, dhe kjo është aleanca më e mirë që ata mund ta krijojnë me organizatat e shoqërisë civile.

Rruga tjetër është të dëshmosh vazhdimisht se ka zgjidhje për problemet e vendit, dhe t'i shpalosësh para qytetarëve këto zgjidhje, çdo ditë nëse duhet. Në këtë ndërmarrje OJQ-të mund të marrin pjesë me analizat e tyre, me rekomandimet, apo me ndonjë aksion tjetër simbolik, që mund të jenë të ngjashme ose identike me ato që i bënë opozita. Por, zgjidhjet që promovohen duhet të jenë të qarta, të studiuara mirë dhe të bindshme për qytetarët. Sa më shumë aksione të tilla që ka, aq më afër ndryshimeve të nevojshme do të jemi. Pra, në këtë rast partitë opozitare dhe OJQ-të vijnë në një front të përbashkët, dhe secila bënë punën e vet: opozita synon të vijë në pozitë, sepse i di zgjidhjet, ndërsa OJQ-të i mbesin besnik përcaktimit për një shoqëri më demokratike, duke e ruajtur neutralitetin e saj politik.

Përndryshe, në at moment kur OJQ-të i afrohen tepër partive politike, mund të shihen të kapura nga ato, dhe në at moment e humbin neutralitetin e tyre politik, dhe nuk janë ma OJQ! Janë dy kritere te shenjta që i bënë OJQ-të organizata civile (qytetare): nuk janë (organizata) politike dhe nuk janë fitimprurëse. Pra duhet të merren me politikë, t'i ushqejnë politikat e caktuara me zgjidhje adekuate, t'i mbikëqyrin proceset më të dalluara politike, të bëjnë presion ndaj politik-bërësve por edhe të bëhen aleat (virtual) i politikave të qëlluara, qofshin nga qeveria apo opozita. Nëse OJQ-të i përmbahen këtyre dy kritereve atëherë do të mund ta përcaktojnë lehtë se çka iu lejohet dhe çka jo kur hynë në valle me partitë politike, nëse duan ta mbajnë statusin e OJQ-së -edhe pse nuk po e shoh se kush do t'iu merr këtë status!

Ta marrim një situatë hipotetike, kur opozita i fton OJQ-të për ta rrëzuar qeverinë e korruptuar. Baza më e fortë e opozitës për një ndërmarrje të tillë është te votuesit e vet, që janë qytetarë të Kosovës. Tash, le të themi se opozita i ka një mijë e një arsye të kërkojë largimin e qeverisë nga pushteti, për t'ia zërë vendin, pas zgjedhjeve apo edhe menjëherë (edhe pse nuk e njoh asnjë rrugë demokratike që të merret pushteti pa zgjedhje)! Dhe i fton organizatat e shoqërisë civile që ta bëjnë këtë punë bashkë. Si t'i përgjigjet një OJQ kësaj thirrje? Ti bashkëngjitet apo jo? Natyrisht se përgjigjja në këtë pyetje është shumë komplekse, dhe nuk ka përgjigje të lehtë. Por një mënyrë për të gjet përgjigjen, pa e shkelur mandatin që ka si pjesëtar i sektorit civil, do të ishte nëse tenton të mbahet sa më afër bazës (virtuale) që ka. Pra qytetarëve. Sepse shoqëria civile është një term tjetër për shoqërinë qytetare. Të gjithë ata që nuk janë në qeveri dhe nuk janë në biznese janë pjesëtar të shoqërisë civile. Pra, logjika do të thoshte se duhet të jesh sa më afër tyre. Por kujt, në këtë rast konkret? Atyre që e votuan opozitën, që bënë ftesë për rrëzim të qeverisë, apo atyre që i votuan partitë politike që janë në pushtet, që gjithmonë janë më shumë se të parët? Është vështirë të përcaktohesh për ata që e dhanë votën e drejtë dhe ata që "gabuan"! Pra, nëse i përmbahemi parimit se OJQ-të duhet ta kenë më afër qytetarin se partitë politike me aspiratat e tyre të vijnë në pushtet, atëherë na del se OJQ-të duhet të kenë shumë kujdes kur të bëjnë opozitë politike. Opozitarizmi i OJQ-ve duhet të jetë parimore, të mos e atakojë gjykimin e lirë qytetarë, të vendosur me votë të lirë (nëse ishte e lirë), dhe të mbahet vetëm aty ku e ka vendin: në argumentimin e abuzimeve qeveritare dhe rekomandimin për zgjidhjet më të mira që duhet bërë; e partitë opozitare duhet të dinë ta shfrytëzojnë këtë favor që iu bëhet.

(autori është drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të hapur)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK