Zërat
Xhezide Selimi
Xhezide
Selimi

Këshilltarët pa ide dhe pa guxim

Zërat May 05, 2016 - 13:38

Nisur nga kjo që e thamë në krye të këtij shkrimi, zyrtarët shtetërorë duhet të punësojnë këshilltarë të mprehtë dhe të guximshëm, që kurdoherë kanë kurajë që t’ia thonë shefit të tyre edhe ato që nuk do të kishte dëshirë t’i dëgjojë?

Në vend të përgjigjes, në këtë pyetje më së miri do t’i shkonte ajo që thoshte Hans Morgethau:“Prestigji i një kombi është reputacioni i tij i pushtetit. Ai reputacion, reflektimi i realitetit të pushtetit në mendjet e vrojtuesve, mund të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe vetë realiteti i pushtetit. Ajo që të tjerët mendojnë për ne është po aq e rëndësishme sa ajo që ne jemi vërtet…”

Kosova, edhe pse ishte nën një administrim ndërkombëtar, (UNMIK) ka aplikuar këshillëdhënien (shërbyes politik) në kuptimin klasik të fjalës.

Mirëpo, raportet mediale nuk i paraqesin në dritën më të mirë profesionale dhe të reputacionit këshilltarët politikë të zyrtarëve të shtetit kosovar.
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës përmes përfaqësuesve të popullit e rikonfirmoi pavarësinë e Kosovës, e cila edhe u njoh ndërkombëtarisht nga mbi 110 vende të botës deri më sot. Republika e Kosovës ndërton institucionet e veta dhe zgjedh drejtuesit e tyre përmes një sistemi zgjedhor ku marrin pjesë parti politike, koalicione politike, iniciativa qytetare, si dhe individë të pavarur.

Partia fituese apo koalicioni fitues apo i ndërtuar përmes një marrëveshjeje politike parazgjedhore, merr përsipër dhe zgjedh qeverinë për ta drejtuar vendin për katër vjet, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. 

Po, njëkohësisht Kuvendi zgjedh edhe presidentin e vendit me mandat pesëvjeçar.

Kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve më të larta të vendit, Presidencës, Kuvendit, si dhe Qeverisë, tashmë janë rregulluar me ligje përkatëse dhe dihen mandatet, detyrat si dhe fushëveprimtaritë e secilës prej tyre.

Pjesë e pandashme nga konstituimi i organeve të para shtetërore në Kosovën e pasluftës sipas një rezultati zgjedhor (10 dhjetor 2001 - Kuvendi i Kosovës) e më pas edhe presidenti e Qeveria (4 mars 2002) janë edhe kategori e shërbyesve politikë në këto institucione – këshilltarët, qoftë në Presidencë, Kuvend apo Qeveri, statusi i të cilëve, emërimi, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, saktësohen edhe me ligje, edhe me Rregullore të Qeverisë, që është funksionale që nga gjysma e dytë e vitit 2011.

Kjo kategori e shërbyesve politikë në shkallë vendi, është edhe pjesë e interesimit tim dhe të shumë qytetarëve, sepse në Kosovë nuk e kemi një hulumtim më të detajuar rreth tyre, siç e kemi, bie fjala, në disa nga shtetet tjera evropiane, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Spanja, Danimarka, Polonia etj.

Rregullorja nuk përcakton se cili duhet të  jetë niveli arsimor i këshilltarëve

Ajo që tashmë e dimë dhe po e shohim, zyrat kryesore të vendit, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria (Zyra e kryeministrit, z/kryeministrave dhe ministrave e z/ministrave) nuk frymojnë apo nuk funksionalizohen si duhet pa këshilltarë politikë, ndihma dhe prania e të cilëve lehtëson ndërtimin e politikave drejtuese, qeverisëse dhe zbatuese të këtyre institucioneve, duke shërbyer edhe si urë lidhëse mes subjekteve politike prej nga vijnë udhëheqësit kryesorë të vendit, po edhe ndërtimit të raporteve mes këtyre subjekteve dhe shefave për të cilët punojnë, pa e anashkaluar asnjëherë edhe koordinimin ndërinstitucional e ndërministror, si dhe mes shërbimit civil.

Kështu së paku parashihet nga aktet normative në fuqi, të cilat sigurisht që janë hartuar sipas modeleve të vendeve të rajonit dhe, veçmas të atyre shteteve me demokraci më të zhvilluara.

Presidenti/ja, në zyrën e tij/saj, parashihet t’i ketë deri në 12 këshilltarë politikë, po aq sa ka edhe kryeministri, ndërsa ministrave u mundësohen deri nga gjashtë këshilltarë e z/ministrave, sipas praktikës së deritashme, nga një këshilltar, pa e llogaritur këtu stafin ndihmës të zyrave, të cilët i përkasin shërbimit civil (asistentë, vozitës…).

Sipas Ligjit për Qeverinë (2011), që kuptohet është në fuqi, qartë përcaktohet mënyra se si zgjidhen këshilltarët, kohëzgjatja e mandatit që është e njëjtë me mandatin e eprorit të tyre, të cilit edhe i lihet mundësia për ta pushuar nga të qenit pjesë e ekipit të tij/saj, nga momenti që vlerëson se nuk është i dobishëm sa duhet e sa kërkohet apo dhe ka shkelur rregullat apo ka rënë ndesh me ligjin.

Një përkufizim më i detajuar i detyrave, kompetencave dhe përgjegjësive të këshilltarëve, përcaktohet dhe e kemi te Rregullorja Nr. 02/2011, ku specifikohen përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrave, përkatësisht në nenet 20, 21, 22 dhe 23. Këtu shihet qartë se është e drejtë e drejtuesve kryesorë të vendit, Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë, që vetë t’i zgjedhin këshilltarët, të cilët pastaj ndihmojnë në hartimin e politikave të këtyre institucioneve, zbatimin si dhe afirmimin e tyre në publik. 

Mirëpo, në asnjë nga këto nene të kësaj Rregulloreje apo as edhe të vetë Ligjit për Qeverinë prej nga e ka bazën po kjo Rregullore, nuk saktësohet përgatitja profesionale dhe karriera politike e këshilltarëve politikë, të cilët janë të thirrur pikërisht për ta këshilluar dhe për t’ia lehtësuar punën në drejtimin e zyrës së cilës i përkasin, eprorit të tyre, nga fusha të caktuara apo prej fushave nga të cilat vinë e për të cilat eprori i tyre ka më pak njohuri. Ndërsa, si në ligj po ashtu dhe në Rregullore, saktësohet apo dhe përmendet gjithnjë përkatësia politike e këshilltarit që duhet të jetë e njëjtë me atë të eprorit.

Një fakt që dëshmon domosdoshmërinë e respektimit të vijës partiake ku, drejtuesit e vendit, deri më sot, janë treguar shumë të zellshëm.

Dhe për pasojë në shumë zyra qeveritare “rehatohen” militantë partiakë kinse në pozitat e këshilltarëve politikë, por që në thelb janë analfabetë funksionalë!

Partishmëria apo profesionalizmi dhe karriera politike

Shtrohet pyetja: A do duhej që, me rastin e emërimit të këshilltarëve politikë, domosdo të ndiqet vija partiake apo ajo profesionale?

A do duhej që të kihet parasysh dhe karriera politike e këshilltarëve e cila, bie fjala, është kriter qenësor në vendet perëndimore, me demokraci të konsoliduar dhe traditë shtetërore?

Drejtuesit tanë, që nga fillimi dhe, pa dallime të mëdha nga njëri-tjetri, i janë përmbajtur partishmërisë, para se gjithash, dhe fare rrallë janë mbështetur te përgatitja profesionale e këshilltarëve, pra arsimimi, karriera dhe edukimi qytetar nuk ka qenë dhe gjithherë një kriter i kërkueshëm dhe i respektueshëm.

Dhe ende nuk është vendosur ndonjë kriter që përcakton shkallën e arsimimit të këshilltarëve si dhe edukimin e tyre qytetar.

Nëse kthehemi pak mbrapa në (retrospektivë) gjatë kohës së paraluftës, viteve të nëntëdhjeta, kur Kosova pati ndërtuar sistemin e saj paralel të udhëheqjes përmes presidentit historik të saj, dr. Ibrahim Rugovës, këshilltarët politikë të tij kishin edhe premisa akademike dhe, rrallë ndonjë ishte pa titull doktor shkence. 

Të përmendim këtu profesorët Fehmi Agani, Sabri Hamiti, Xhavit Ahmeti, Alush Gashi, Ibrahim Berisha, etj.

Këta njëherësh ishin edhe funksionarë të partisë (LDK).

Sot, rangun e tillë të këshilltarëve vetëm mund ta dëshirosh, ani se Kosovës nuk i mungojnë ekspertët e fushave të ndryshme që gërshetohen me politikën.

Por, nuk i kemi të pranishëm aty ku do duhej të ishin shumë të nevojshëm.

Shkaqet pse, mbase mund të hulumtohen, por mendoj se është në pyetje ana partiake, pavarësia personale dhe jodëgjueshmëria e dëshirueshme nga eprori përkatës nga kuadro të tilla etj.

Nëse mbështetemi pak në shtypin e përditshëm dhe në masmedia, këshilltarët e sotshëm, karakterizohen më së shumti nga vija partiake dhe nga shkalla e dëgjueshmërisë ndaj eprorit si dhe në shkathtësitë e tyre për të pasur qasje në rregullimin e raporteve me bizneset, tenderomaninë si dhe profite tjera të ngjashme madje edhe në relacione me median e publikun se sa shkathtësinë e tyre profesionale e kontributet këshillëdhënëse nga fushat prej të cilave vinë dhe do duhej të jepnin këshilla për t’ia lehtësuar pozitën eprorit që i ka emëruar.

Kush e di në Kosovë se ç’është e drejtë dhe ç’është e mundshme?

Do të duhej bërë një hulumtim i gjithanshëm për këshilltarët dhe këshillëdhënien e tyre në nivel vendi dhe në këto tri institucione qendrore, Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë, për ta nxjerrë një pasqyrë të saktë të gjendjes, sepse publiku ka nevojë ta dijë se kush dhe si po i këshillon drejtuesit më të lartë të vendit.

Një hulumtim i tillë, sado që do të nxirrte të dhëna trishtuese, sidomos në aspektin e përgatitjes profesionale dhe të karrierës politike, do ishte tepër i mirëseardhur për një lloj presioni pozitiv mbi këta drejtues që, të jenë më të ndërgjegjshëm kur emërojnë këshilltarë, meqë, edhe këshilltarët paguhen nga taksat e qytetarëve.

Një hulumtim i mirë dhe profesional, pa ndikime partiake dhe paanshmëri çfarë, në masë të madhe janë sondazhet dhe hulumtimet në Kosovë, do ndikonte edhe në rritjen e reputacionit dhe autoritetit këshillëdhënës në Kosovë, sepse, ky vend ka nevojë për këshilltarë po, nuk ka nevojë që këshilltarët t’i degradojë në asistentë, ose madje edhe në miq me të cilët pihet kafeja e mëngjesit, sepse sa më e lartë të jetë përgatitja profesionale e këshilltarëve aq e lartë do të jetë performanca e liderëve shtetërorë pra edhe niveli i politikëbërjes në Kosovë.

Postulati thelbësor i këshillëdhënies sipas doajenit të diplomacisë botërore Henry Kissinger është fakti se çdo burrë shteti duhet të përpiqet të pajtojë atë që konsiderohet e drejtë me atë që konsiderohet e mundshme.

“Ajo që konsiderohet e drejtë varet nga struktura e brendshme e shtetit të tij; ajo që është e mundshme varet nga burimet e vendit, pozita gjeografike dhe vendosmëria si dhe nga burimet, vendosmëria dhe struktura e brendshme e shteteve tjera”.

Shembulli kulmor i këshillëdhënies për secilin burrë shteti është padyshim Henry Alfred Kissinger (1923) diplomati amerikan dhe doktori i shkencave politike. Ai ka shërbyer si këshilltar e Sigurisë Kombëtare dhe më vonë në të njëjtën kohë sekretar i Shtetit në administratat e presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford. Për negocimin e armëpushimit në Vietnam, Kissinger mori çmimin Nobel për paqe në vitin 1973. (Autorja është studente në Fakultetin Juridik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK