Zërat
Jakup Krasniqi
Jakup
Krasniqi

Për anonimët dhe anonimusët

Zërat April 29, 2016 - 13:32

            Pas burgosjes sime më 5 prill 1981, shumëkush pati menduar: jo vetëm që “mbeta si peshku në zall”, por edhe mora fund njëherë e mirë. Për kombin tim dhe atdheun, kurrë nuk kam hezituar të mbetëm si “peshku në zall” apo të jetoj edhe në guri të thatë. Nga babai im, ndjesë pastë, shpesh e kam dëgjuar të thoshte: “Njeriu i zoti, jeton edhe në guri të thatë”! Dhe vërtet, për vite jetova jo vetëm në gur të thatë, por jetova edhe si gjarpri nën gur, por mbijetova edhe atë jetë!

Pse e ndoqa atë rrugë?

Sepse për Atdheun ia vlen çdo sakrificë! Natyrisht që kjo është thënë edhe nga mendjet më të ndritura të kombit, por edhe nga mendjet e shquara botërore. Ky edukim më ka bërë që gjithë angazhimin tim mbi 40-vjeçar në politikë, ta bëj për liri, për çlirim, për shtet të së drejtës, për sundim të rendit e të ligjit. Jam krenar që në këtë angazhim me bashkëkombësit e mi të vendosur, kemi luftuar pa u kursyer për idealin çlirimtar. Jam më se i lumtur që isha njëri nga ata që Kosovës ia sollëm lirinë. Isha njëri nga më të angazhuarit në të gjitha proceset e lirisë e të shtet ndërtimit. Jam më se i lumtur, që isha ai, që pas votimit të Deklaratës së Pavarësisë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe prezantimin e simbolit të shtetit, e bëra publik rezultatin e votimit për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik!.

Kudo ku isha, në ilegalitet, në burgjet jugosllave, në Lëvizjen paqësore, në Luftën Çlirimtare, në vitet e lirisë e të pavarësisë, ministër a Kryetar Kuvendi, isha mbrojtës i fuqishëm i Kushtetutës, i ligjeve, i Rregullores së Punës së Kuvendit, i mbrojta me dashuri e përkushtim. Këto opinionit tonë publik i janë të njohura. Nëse disa anonimusë, nuk i njohin këto, le të mbetet në nderin e tyre!

Kam ushtruar pozita politike, ushtarake, publike e institucionale, deri dhe President në detyrë, dhe në asnjë rast, nuk e shfrytëzova fuqinë institucionale, politike a ushtarake, për t’i bërë ndonjë padrejtësi ndonjë individi a favore të paligjshme vetes e familjes sime. Pata pushtet, por kurrë dhe në asnjë rast nuk e keqpërdora atë! Kjo më bën më shumë se krenar! Anonimet dhe anonimusët, kurrë nuk e patën këtë mundësi dhe më gjasë nuk do ta kenë kurrë!

Nëse ata nuk duan të jenë me mua, le të shkojnë me tenderomanët, me lakuriqet e natës apo me tregtarët e tokave publike e tyxharët tjerë. Ajo është zgjedhja e tyre.

Anonimusëve edhe njëherë ju them: Mendoj se shkuarja pas bindjeve tona, pas idealeve tona, pas qëllimeve fisnike për shtet, atdhe e komb, nuk është humbje, përkundrazi është fitore. Unë besoj dhe besoj shumë, që “Nisma” kudo në Kosovë do të forcohet se është në shërbim të interesit të kombit e të shtetit.

“Nisma për Kosovën” i garanton anëtarët e saj, në Drenicë e në Kosovë, se ashtu si kemi qenë të gatshëm të sakrifikohemi për komb e shtet të se drejtës, ne, në asnjë mënyrë e me asnjë kusht, nuk kërkojmë nga asnjë qytetar i Republikës që për interesin e pushtetit  tonë, të sakrifikohet edhe një njeri i vetëm. Ne, jemi gati të marrim pushtet, por vetëm nga vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK