Zërat
Donika Emini
Donika
Emini

FSK-ja në FAK – Emërtim apo transformim substancial?

Zërat April 05, 2016 - 12:11

Ka disa vite që debati rreth transformimit të FSK-së në FAK ka filluar. Megjithatë, të gjitha diskutimet rreth këtij procesi janë të zbehta e të izoluara kryesisht nëpër fushata parazgjedhore. Nganjëherë diskutime të tilla konsumuese ngrihen në medie kur mungojnë lajmet atraktive të ndërlidhura me dialogun me Serbinë, por manifestime, përvjetorë e parada ushtarake na kujtojnë se megjithatë një shtet pa ushtri të mirëfilltë është i pakompletuar.

Pothuaj secili tashmë është i vetëdijshëm për sfidat dhe alternativat për të arritur transformimin përtej barrierave të tilla si: 1) Politike - me dështimin në arritjen e konsensusit politik në përpjekje të marrjes së meritave për këtë arritje nga secila parti politike në krye të Qeverisë; 2) Barriera kushtetuese që u ngatërrua edhe më tej me kundërshtimin e hapur dhe fuqishëm të Listës Serbe, e cila po arrin të nxjerrë përfitime të mëdha pa u kushtëzuar fare për këtë çështje; dhe 3) Implikimet buxhetore që po listohen si problem shumë i madh edhe pse Kosova shpenzon një shumë tejet të ulët për ushtrinë; 4) Mosinvolvimi i drejtpërdrejtë i bashkësisë ndërkombëtare në këtë proces dhe mungesa e faktorit “presion” i ka hutuar ata që gjithmonë janë në përpjekje për t’i kënaqur dëshirat dhe plotësuar kërkesat që vijnë nga jashtë. Fundja, kjo çështje nuk është pjesë e kërkesës që duhet plotësuar për liberalizim të vizave, çështja më me prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës, andaj pse të ngutemi?

Ndryshim emërtimi apo substance?

Përkundër një grumbulli të madh sfidash që e përcjellin transformimin e FSK-së, debati ende po sillet nëpër sipërfaqe, më konkretisht tek emërtimi në krahasim me “ushtritë” e vendeve të tjera, sepse rëndësia qenka tek emërtimi apo krahasimi me Gjermaninë apo Izraelin, shtete që kanë fuqi të madhe ushtarake në nivel botëror. Emërtimi çon shumë pak peshë, mirëpo misioni, kompetencat dhe mandati kanë shumë rëndësi. Me mandatin aktual vështirë se FSK-ja mund të quhet ushtri sepse kompetencat e kësaj force i tejkalojnë ato të policisë, por vështirë që i arrijnë ato të një ushtrie me kapacitete të plota operative në fushën e mbrojtjes, së paku jo ato që i kanë vendet e rajonit dhe të NATO-s. Me mandatin aktual FSK-ja nuk ka kompetenca për garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, prandaj ndryshimi i mandatit do ta pajiste FSK-në me këtë kompetencë.

Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, transformimi i FSK-së duhet të shihet përtej emërtimit sepse ky proces ndodh vetëm atëherë kur kapacitetet e FSK-së ngrihen dhe kompetencat e kësaj force e tejkalojnë ato të një organizate për reagim në raste emergjente, pra kompetenca të tejlimituara.

Shndërrimi i FSK-së në FAK vetëm se fillon me ndryshimin dhe plotësimin e bazës ligjore për këtë forcë, pra kjo paraqet vetëm njërin nga segmentet që më vonë do të përcillet me ndërrimin e strukturës, avancimin në kapacitete e më vonë me trajnimin dhe kompletimin e personelit, numri i të cilëve është paraparë të rritet në 5.000 pjesëtarë aktivë dhe 3.000 pjesëtarë rezervë.

Konsensusi politik kundrejt transformimit të FSK-së

Për një gjë jemi të sigurt, shndërrimi i FSK-së në FAK nuk është vendosur si prioritet kryesor në këtë fazë të shtetndërtimit nga asnjë parti politike. Vitet e fundit kanë dëshmuar që nuk ka ekzistuar dhe si duket ende nuk po ekziston një angazhim konkret dhe serioz i institucioneve të Kosovës për të formuar ushtrinë, përveç rasteve kur kjo çështje i është dashur për ta përdorur për konsum politik.

Transformimi i FSK-së apo formimi i ushtrisë nuk është marrë aspak me seriozitet që nga lansimi i Analizës së rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë së Republikës së Kosovës në vitin 2014. Mosgjetja e konsensusit nacional në Kosovë brenda partive politike për të formuar ushtrinë tregon se përveçqë nuk ka pasur qasje proaktive nga Qeveria e Kosovës kundrejt këtij procesi, ka munguar edhe lobimi për të shtyrë përpara këtë proces edhe kundrejt Listës Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Përkundër natyrës së këtij procesi, është për t’u çuditur fakti që kjo çështje shumë rrallë është ngritur për debat në Parlament. Ndryshe nga Marrëveshja për Themelimin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën jo që është diskutuar, por edhe është lobuar tejmase për t’u siguruar votat e numrat në Parlament. Kjo reflekton edhe mungesën e presionit të brendshëm për të shtyrë këtë çështje, mosdiskutimi i transformimit të FSK-së më partitë politike e sidomos me ato serbe dhe moskushtëzimi me votën për Asociacion tregojnë qartazi një hezitim të institucioneve për të hyrë në këtë proces.

Kjo qasje e zbehtë e Qeverisë qëndron krejtësisht kundër opinionit të përgjithshëm në Kosovë, i cili ka mbështetur formimin e ushtrisë me shumë entuziazëm. Rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë, program i QKSS-së për matjen e perceptimeve publike lidhur më sektorin e sigurisë në Kosovë, reflekton një presion pozitiv që e kërkon transformimin e FSK-së me mbi 90 për qind në dy vjetët e fundit.

“Plani B” dhe implikimet buxhetore

Së fundmi janë dëgjuar zëra se pritja për të bindur deputetët serbë për t’i votuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për formimin e ushtrisë janë të panevojshme dhe se transformimi mund të bëhet edhe përmes ndryshimit të Ligjit aktual për FSK-në. Duke pasur këto në mendje, zyrtarë të MFSK-së pohojnë se përgatitjet për transformim brenda FSK-së vetëm se kanë filluar duke ngritur kapacitetet në funksion të bërjes së forcës sa më profesionalë dhe gati për t’u përshtatur rrethanave dhe sfidave të reja në rajon dhe botë. Gjithashtu, buxheti për FSK-në ka shënuar rritje nga 2014-a kur ishte 38.5 milionë euro, 2015-a me rritje të lehtë në 41.3 milionë euro dhe 2016-a me 54 milionë euro duke numëruar edhe donacionet e huaja, që është një buxhet tejet i limituar që të mbulojë nevojat elementare të FSK-së pa i llogaritur edhe shpenzimet tjera për armatim ushtarak. Ky buxhet është shumë pak në krahasim me atë që shpenzojnë ushtritë e vendeve në rajon dhe ato që janë pjesë e NATO-s gjë që reflekton se Qeveria e Kosovës nuk ka qenë aspak serioze as në ndarjen e buxhetit.

Mungesa e presionit nga “jashtë” dhe diplomacia e NATO-s

Qeveria e Kosovës ngjan si lokomotivë, e cila punon në bazë të presionit që i jepet nga faktorë të jashtëm. Diplomacia e madhe e NATO-s me qasjen e njohur neutrale ka lënë nën mjegull ata që me ngulm kërkojnë të përmbushin çdo kërkesë që vjen nga jashtë. Deklaratat se kjo çështje duhet të trajtohet si diçka e brendshme që i përket vetëm Kosovës, andaj edhe vendimi duhet të merret në Kosovë, por në pajtueshmëri me vendet e rajonit duket se e ka frikësuar Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, janë pikërisht zyrtarët e NATO-s ata që kanë pasur qasje më proaktive ndaj kësaj çështjeje. Deklaratat e shteteve anëtare të NATO-s si SHBA-ja dhe Turqia, të cilat haptazi kanë përkrahur FSK-në me armatim dhe kapacitete dhe pa dyshim se do të ndihmonin edhe FAK-un, megjithatë nuk duhet pritur që NATO-ja të themelojë ushtrinë, kjo forcë duhet të derivojë nga brenda institucioneve të Kosovës.

Me gjithë këto diskutime një gjë duhet të jetë e qartë, ky proces duhet parë si kompletim i arkitekturës së sigurisë në Kosovë, si dhe si proces vendimtar në integrimin e Kosovës në NATO. Vonesa për ta transformuar FSK-në do të ketë implikime serioze për vendin, kjo përveçqë e lë Kosovën vendin e vetëm ne rajon pa një ushtri të mirëfilltë, krijon sfida për Kosovën në anëtarësimin e nismave rajonale të sigurisë, si dhe shkakton vonesa në hyrjen e procesit të anëtarësimit në NATO.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK