Zërat
Xhavit Haliti
Xhavit
Haliti

Protesta në festa!

Zërat February 12, 2016 - 11:44

Brenda rreth 80 ditësh protestat e opozitës ndaj qeverisjes janë planifikuar të bëhen në dy datëfestat më të mëdha për shqiptarët. Dukuria e përsëritur në data simbolike për një popull është vështirë të konsiderohet si rastësi. 28 Nëntori, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, si akti që ndryshoi dhe determinoi fatin tonë kombëtar, si dhe 17 Shkurti, data e Pavarësisë së shtetit tonë të ri 8-vjeçar, janë festa që çdo shqiptar pret t’i festojë dhe jo të “qajë” për hallet politike, familjare apo personale. Gjithkush pavarësisht moshës, gjinisë, gjendjes sociale, ekonomike, arsimore e kulturore i veçon, i respekton dhe i feston ditët e shënuara. Ndërsa ne në Kosovë protestojmë e ballafaqohemi mes vete në festa, në ditën e simboleve që drejtpërdrejt lidhen me ekzistencën tonë etnike e shtetërore. Vërtet e kam të vështirë të gjykoj e të aprovoj arsyet e protestës opozitare pikërisht më datën 17 Shkurt.

Protesta në festa! E, finalja? Kërkohen zgjedhje të parakohshme! E njëjta gjë u kërkua dhe u miratua në Beograd. U miratua në Maqedoni, më 24 prill. Kërkohet në Shqipëri, kërkojnë gati të gjithë ballkano-perëndimorët. Por, a janë perëndimorët të gatshëm të menaxhojnë dëshirat tona? Dhe në këtë rend ballkanik, kur i vjen radha Kosovës? Nga unë si deputet s’varet asgjë. Unë si deputet mund të përdor vetëm fjalën. Të argumentoj për apo kundër. Dhe, edhe me këtë rast, përmes këtij mjeti, dëshiroj të bëj një apel për mbarë shqiptarët: Ta festojmë së bashku 8-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht nga 110 vende, anëtarë-vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe i shumë organizmave tjerë ndërkombëtarë.

Na takon të gjithëve ta presim e ta festojmë bashkërisht, siç e meriton 8-vjetori i pavarësisë sonë. Viti ka më shumë se 360 ditë. Besoj se janë të mjaftueshme për partitë opozitare që të organizojnë sa të duan protesta. Por, që të shfrytëzohen 28 Nëntori dhe 17 Shkurti prej opozitës jo për të festuar, por për t’i bllokuar rrugët e Prishtinës me protestues dhe policë, që edhe mund të përballen ndërmjet vete, më duket jonormale, për të mos thënë e qëllimshme.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK