Zërat
Enis Veliu
Enis
Veliu

Prokurorë, lajmërohuni në AKP!

Zërat February 08, 2016 - 11:21

Gati dy dekada pas përfundimit të luftës është dashur ndërhyrja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) t’i bëjë gati për publikim listat e personave që edhe më tutje mbajnë të uzurpuara ndërmarrjet shoqërore (NSH) në gjithë territorin e vendit.

Për uzurpime është folur e shkruar shumë, por çuditërisht emrat e vërtetë të uzurpatorëve për raste individuale janë publikuar para pak ditësh nga një hulumtim i gjatë, që ka bërë gazeta “Zëri”.

Si për çudi, madje edhe me fanatizëm, emrat e uzurpatorëve janë mbrojtur pothuajse nga të gjitha menaxhmentet, duke përfshirë këtu ndërkombëtarët në kohën e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe më vonë vendorët në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Janë rreth 600 prona shoqërore, të cilat që nga përfundimi i luftës deri më sot janë në dorë të uzurpatorëve, persona këta të lidhur ngushtë me politikën. Këta të fundit janë të paprekshëm, madje edhe atëherë kur janë identifikuar dhe ndaj tyre kanë nisur procese gjyqësore. Është i habitshëm fakti se në shumë raste edhe gjyqësori ka dalë në krah të tyre, ndonëse indirekt duke fshehur lëndën në sirtarët e pluhurosur të gjykatave, por edhe duke mos e konsideruar veten kompetent.

Në shumë lokale të uzurpuara të AKP-së në qendër të Prishtinës, por edhe në qendra të tjera të Kosovës, bëhet biznes lirshëm dhe pa probleme, ndonëse uzurpatorët nuk kanë asnjë dokument për pronën që shfrytëzojnë. Këta (uzurpatorët) kanë krijuar biznes në atë pronë, kanë marrë leje komunale, kanë lëshuar pronën me qira, ndonëse nuk kanë asnjë tapi për pronën në fjalë, e çuditshëm është edhe kjo!

Mu në mes të Prishtinës, në rrugën e “UÇK”-së, nga përfundimi i luftës një lokal i Agjencisë Kosovare të Privatizimit vazhdon të jetë i uzurpuar nga një zyrtar i lartë i Partisë së Drejtësisë. Personi në fjalë, që është në listën e uzurpatorëve, mban edhe funksione të tjera publike, por çuditërisht askush nuk është marrë me të. Njëjtë është edhe pak metra larg përmendores së heroit kombëtar “Zahir Pajaziti” lokali tjetër, po ashtu pronë e AKP-së, që mbahet në dorë të uzurpatorit.

Edhe më tutje mbetet shumë e pashpjegueshme se si Prokuroria në Kosovë ka mbyllur sytë karshi një skandali aq të madh të abuzimit me prona shoqërore.

Pas publikimit të listave në uebsajt të AKP-së, prokurorëve kosovarë vetëm po u mbetet që t’i lexojnë ato, nuk po u mbetet punë fare e në kushte dhe rrethana normale është dashur të ndodhë e kundërta. Prokuroria është dashur të hetojë dhe të arrestojë të gjithë ata persona që kanë uzurpuar dhe abuzojnë me pronën publike.

Por, situatë e mjerueshme vazhdon të jetë edhe në ato prona që janë menaxhuar dhe më pas janë shitur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si përmes procesit të rregullt, ashtu edhe përmes spin-ofit special, ku blerësi në bazë të kontratës ka marrë obligime si në punësim, ashtu edhe në investime.

Privatizimi në Kosovë në masë të madhe ka dëmtuar ekonominë, edhe ashtu të lodhur. Në çdo vend normal të botës privatizimi ka sjellë zhvillim ekonomik e vende të reja të punës, por tek ne ka ndodhur e kundërta.

Dhjetëra mijëra punëtorë mbetën në rrugë e qindra ndërmarrje, që dikur ishin simbol i zhvillimit ekonomik, mbetën gërmadha të cilat u zhdukën me kohën, duke u zëvendësuar në qendra tregtare e rrokaqiej shumëkatësh.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK