Zërat
Hajriz Sejdiu
Hajriz
Sejdiu

Kosova ‘oazë’ e shërbimeve sekrete

Zërat February 05, 2016 - 11:37

Situata e rënduar politike dhe parlamentare në Republikën e Kosovës ka gjasa të mëdha të shfrytëzohet për skenarë terroristë me pasoja të rënda, me qëllimin e vetëm, të synuar kamotshëm nga qeveria e Serbisë dhe strukturave paralele të Jakshiqëve, të cilët vazhdimisht kanë trumbetuar se Kosova nuk është e zonja të qeverisë vetveten, prandaj ata përmes aksioneve të kombinuara të shërbimeve sekrete, duan të komprometojnë

jo vetëm qeverisjen aktuale të Kosovës por edhe tërë këto pesëmbëdhjetë vite sakrifice nga vendorët dhe nga bashkësia ndërkombëtare, për ndërtimin e imazhit shtetndërtues

demokratik të Kosovës. Serbia me çdo kusht do ta shfrytëzojë gjendjen aktuale politike në Kosovë të cilën e karakterizon një mosunitet veprimesh i liderëve institucionalë dhe atyre politikë, konfrontimi i skajshëm pozitë-opozitë, gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale, barrikadimi i opozitës në qëndrimet e veta, ekskursionet e presidentes nëpër komunat e Kosovës (në vend se të angazhohet për unitet dhe tejkalim të krizës), bisedimet me çdo kusht dhe pa kushte me Beogradin si dhe agjendat personale të liderëve institucionalë. Gjithashtu është i dhembshëm dhe tragjik fakti i vërshimit të portaleve dhe mediave të shkruara me akuza dhe kundërakuza të tmerrshme dhe të llahtarshme në mes njerëzve që janë së bashku në qeverisje ose atyre që ishin së bashku në veprimtari dhe aktivitete kombëtare, që nga vitet 70-80 e deri tash, e që të gjitha këtopër qytetarët e zakonshëm janë një shembull jo i mirë dhe i dëmshëm se si liderët institucionalë dhe politikë po dërgojnë mesazhe përçarjeje dhe armiqësie te qytetarët dhe se si ata nuk kanë dhe nuk mund të hartojnë një agjendë të përbashkët politike, përkundër nevojës imediate të vendit për diçka të tillë.

Shërbimet sekrete serbo-ruse dhe qeveria e Serbisë

Deklaratat e Marko Gjuriqit para dhe gjatë bisedimeve të fundit në Bruksel, se Serbia duhet të shfrytëzojë momentumin e ri në Kosovë për forcimin e ndikimit të saj, u përsëritën dhe vërtetuan edhe nga intervista e kriminelit të luftës kundër shqiptarëve, Oliver Ivanoviq, i cili edhe pse u dënua, shkoi në shtëpi gjoja pas një gabimi në përkthim në verdiktin e gjykatës. Kësi aktesh qesharake ndodhin vetëm në drejtësinë e ndërkombëtare bile nga ata që e kanë mandatin e Evropës për këtë drejtësi që erdhën pikërisht për të na mësuar se si bëhet drejtësia. Mësimi “më i mirë” që na e dha drejtësia ndërkombëtare ishte ky me Ivanoviqin. Akti që ndodhi në Deçan e që për fat të keq nuk u ndriçua ende mjaftueshëm nga policia, po tentohet të keqinterpretohet nga kisha serbe, pastaj votimi i rezolutës për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku kërkohet që në Kosovë në segmente të caktuara të sigurisë të riaktivizohet dhe instalohet  UNMIK-u si bartës i vendimmarrjes dhe bashkëpunimit me organizmat ndërkombëtarë të sigurisë si INTERPOL dhe EUROPOL, në vend të strukturave vendore, janë vazhdimësi e orkestruar dhe e qëllimshme e shërbimeve serbo sllave dhe shërbimeve tjera. Po të njëjtin avaz nga Etiopia e përsëriti edhe kryetari serb Nikoliq i cili deklaroi nga largësia se Kosova është krijuar nga ithtarët e ISIS-it dhe sipas këtij modeli.

Një zyrtar tjetër i Serbisë (Drecun) ka deklaruar së fundmi se “incidenti te Manastiri i Deçanit ka treguar se në atë territor (Kosovë) është krijuar baza e fuqishme e islamizmit radikal dhe se shteti (serb) do të bëjë çmos për të penguar çfarëdo kryerje të aksioneve

terroriste”. Prandaj, Serbia jo vetëm që ka përcjell, po përcjell por edhe në periudhën e ardhshme do të përcjell situatën dhe mbrojë serbët nga aktet e ndryshme kundër tyre deklaron ai. Kjo deklaratë tregon dhe pranon haptas, pa ngurrim dhe frikë se Serbia, Rusia dhe shërbimet e tyre, janë dhe do të jenë në kulmin e aktiviteteve destruktive në Republikën e Kosovës dhe se nuk njohin, nuk përfillin dhe as nuk dëshirojnë bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat e sigurisë për mbrojtjen e “serbëve të rrezikuar” sipas tyre.

Deklaratat e fundit në unison të zyrtarëve serbë, gjoja për rrezikun që u kanoset serbëve në Kosovë, nuk janë të paqëllimshme dhe nuk sjellin ogur të mirë sa i përket gjendjes së sigurisë në Republikën e Kosovës, kurse veprimet e shërbimeve sekrete jo vetëm serbe në Kosovë dhe rreth saj, që do të pasojnë në muajt në vijim, mund të jenë të dhembshme dhe të pariparueshme për Kosovën, qoftë në aspektin politik, ekonomik dhe diplomatik ose me pasoja dhe dëme të mëdha në humbje të jetës së njerëzve, të mirave materiale apo në infrastrukturë kritike (ushqim, ujë të pijshëm, energji etj.).

Agjenda e përbashkët politike

Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet e sigurisë, mekanizmat e sigurisë, partitë politike, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të kenë kujdes dhe të jenë të gatshëm që të hetojnë dhe parandalojnë këto veprime kundër Kosovës, kurse kryeministri pas këtyre deklaratave të zyrtarëve të lartë serbë, që janë shqetësuese për sigurinë e qytetarëve të Republikës dhe sigurinë nacionale, duhet të thërrasë Këshillin për Siguri të Kosovës dhe të rekomandojë masa shtesë për ngritjen e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për të gjitha strukturat e sigurisë në Republikën e Kosovës.

Në këtë gjendje çfarë është Kosova, sot si asnjëherë deri më tash, është e domosdoshme një agjendë e përbashkët politike, pozitë-opozitë dhe e shoqërisë civile, për të menaxhuar me sukses situatat e jashtëzakonshme që do të shfaqen si pasojë e krizës politike dhe veprimeve destruktive të shërbimeve të huaja armiqësore gjatë këtij viti. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK