Zërat

Arta Berisha

Tymi mediatik: Zjarri në Stamboll e tymi në Obiliq

08 nëntor 2018 • 13 : 40

Obiliqi është vetëm 8 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, por raportimi fillestar në mediet online për zjarrin fushor u bë duke u bazuar vetëm në fotot dhe në videot e arritura në adresën e medies nga qytetarët. Gazetarët shërbyen lexuesit e tyre me foto që datonin nga një tragjedi e mëhershme në Turqi.

Tymi mbulon komunën e Obiliqit si pasojë e djegies së mbeturinave të hekurit dhe të gomës në zonën e “MetalKos”-it. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK-ut Skënder Bucolli. Sipas tij zjarrvënia ka ndodhur larg termocentraleve dhe nuk ka pasur problem ne operimin ditor.

LEXO EDHE: A ndikuan portalet fantome në rezultatin zgjedhor të vitit 2017?

Teksti i mësipërm do të duhej të ishte përafërsisht përmbajtja e një lajmi lokal që rastis të ndodhë të dielën në komunën e Obiliqit, në zonën ku ndodhen dy termocentralet që furnizojnë vendin me energji elektrike.

Rezultatet e monitorimit të medieve online tregojnë se verifikimi i informacionit para se ai të publikohet është sfida kryesore me të cilën ballafaqohen mediet online në Kosovë. Kopjimi i materialeve të paverifikuara nga një portal në tjetrin është po kështu një praktikë e zakonshme, e cila në të shumtën e rasteve buron nga interesi i medieve për ta pasur secila në faqen e vet lajmin e fundit, pavarësisht se a është lajmi i konfirmuar dhe i saktë.

LEXO EDHE: Lajme nga spitali apo lajme për spital?

Pikërisht nën paralajmërimin “Lajmi i fundit” u publikua edhe lajmi për  “Zjarrin e madh në termocentralin ‘Kosova A’”. Një zjarr që sipas autoriteteve ishte fushor, i është servuar opinionit publik si shpërthim në termocentral ose afër termocentraleve duke shpërndarë amulli e frikë te lexuesi kosovar.

“Zjarr i madh në afërsi të termocentralit ‘Kosova A’” ishte titulli i shkrimit në portalin “Indeks Online”. Teksti vijon se “zjarri i madh dyshohet të ketë shpërthyer në termocentralin ‘Kosova A’”.

Burimi i vetëm në këtë tekst janë fotografitë dhe videot e dërguara, siç thuhet, nga një numër i madh i lexuesve në redaksinë e portalit “Indeks Online”. Raportimi për mediet online është bërë më i lehtë sepse shpesh vijat e para të informacionit vijnë nga dëshmitarë okularë, të cilët raportojnë për ngjarjet e fundit ose duke i postuar materialet në rrjete sociale, ose duke i dërguar ato në mediet përkatëse. Por në anën tjetër jogjithmonë informacionet që qarkullojnë në këtë mënyrë janë tç besueshme, pasi ekziston rreziku i lajmeve të pavërteta, propagandës dhe në këtë rast të krijimit të pasigurisë te qytetarët.

LEXO EDHE: E vërteta online: Gazetaria e verifikimit në pikëpyetje

Disa mediume të tjera e kopjuan lajmin për ta ripublikuar në kanalet e tyre pa e plotësuar me informata të reja dhe të sakta. Lajmi u përpunua në atë mënyrë që të jetë akoma më tërheqës për opinionin publik në funksion të manipulimit me faktet e munguara.

“Zjarri i madh ka shpërthyer në termocentralin ‘Kosova A’”, ishte titulli i lajmit në portalin “Periskopi”, për të vijuar me brendësinë e tekstit: “Duket se ky termocentral është përfshirë nga flakët nga një shpërthim i mundshëm”.

“Tym i madh tek termocentrali ‘Kosova A’” ishte titulli i gazetës online “Metro” për të vijuar me po të njëjtën përmbajtje.  

Më larg shkon portali “Bota Press” ku lajmi për zjarrvënien afër termocentralit “Kosova A” është shoqëruar me një fotografi të incidentit të para disa vitesh, të helikopterit në Stamboll, ku humbën jetën disa persona.

Raportimi fillestar në mediet online për zjarrin fushor u bë duke u bazuar vetëm në fotot dhe në videot e dërguara në adresën e medieve nga qytetarët, dëshmitarë okularë. Raportimi në këtë mënyrë bën që mediet të kontribuojnë që panikun e banorëve lokalë të shpërndajnë anembanë Kosovës dhe jashtë saj, në disa medie online të rajonit, duke përfshirë Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Duke qenë se lajmi për zjarrin fushor në Obiliq është pasqyruar dhe është raportuar i bazuar vetëm në fotot e dëshmitarëve dhe jo nga skena e ngjarjes, ai edhe ka rezultuar i pavërtetë.

Sipas zëdhënësit të KEK-ut, Skendër Bucolli, zjarri ka ndodhur te “MetalKos”-i, një kompani e grumbullimit të mbeturinave të hekurit dhe të gomave, jashtë hapësirave operative të KEK-ut. “Ka qenë zjarr fushorë, është djeg bari ku ka pasë edhe goma të vjetra por nuk ka pasë asnjë rrezik për operimet tona (të KEK-ut)”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” zëdhënësi i KEK-ut.

Në orët e pasdites të së njëjtës ditë mediet i plotësuan lajmet me informata të reja duke iu referuar deklaratës zyrtare nga Korporata Energjetike e Kosovës, si dhe duke qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Por lajmet fillestare të pasakta nuk u larguan nga rrjeti.  

Rëndësia e lajmeve lokale konsiderohet e rëndësishme veçanërisht kur ato vijnë nga zona si Obiliqi, ku ndodhen divizionet e prodhimit të energjisë elektrike. Për më tepër, etika profesionale i kufizon gazetarët të nxitohen në raportim kur zona të caktuara në të kaluarën kanë qenë burim i incidenteve fatale. Në vitin 2014 pikërisht në termocentralin “Kosova” ka ndodhur një shpërthim si pasojë e të cilit kanë humbur jetën dy punëtorë dhe disa të tjerë janë lënduar rëndë.

Pikërisht tragjedi të tilla me humbje në njerëz do të duhej të shërbejnë si shembull se pse mediet duhet të jenë të përgjegjshme si me shkrimin, por edhe vizualisht kur raportojnë dhe informojnë opinion publik për një ngjarje të caktuar. Tymi mediatik, përveç keqinformimit për një ngjarje të caktuar po ashtu ndikon në rënien e besimit në raportimin e mirëfilltë gazetaresk dhe krijon amulli në informim të përgjithshëm.

© zëri.info