Zërat
Violeta Haxholli
Violeta
Haxholli

40 kompromise për njohje!

Zërat November 03, 2018 - 16:29

Në negociatat e Vjenës për zgjidhjen e statusit të saj pala e Kosovës kishte pranuar një numër të madh të kompromiseve të propozuara në Planin e Ahtisaarit. Mbi bazën e këtyre kompromiseve Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008. Kushtetuta e Republikës së Kosovës garantoi të drejta të zgjeruara për komunitetin serb në Kosovë, që tejkalonte edhe standardet evropiane e ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, në fund të negociatave të Vjenës Serbia nuk e pranoi propozimin e Ahtisaarit dhe rrjedhimisht nuk e njohu as pavarësinë e Kosovës.

Një gjë e tillë nuk ndodhi as pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vendimin e saj të 22 korrikut të vitit 2010, konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por pavarësisht kësaj dhe kompromiseve të Ahtisaarit Kosova hyri në një proces tjetër negociator me Serbinë në vitin 2011. Për më tepër, një vit pas dialogu i ashtuquajtur teknik u shndërrua në dialog politik dhe për çështje të brendshme të Kosovës.

8 vjet pas fillimit ky proces ka hyrë në një fazë të re, në të cilën Kosovës mund t’i kërkohen kompromise tjera nga bashkësia ndërkombëtare për të akomoduar kërkesat e mëtutjeshme të Serbisë. Edhe kësaj radhe në Kosovë ka pritje që pas një marrëveshjeje të re me Serbinë, kësaj radhe përfundimtare, Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Përveç kësaj, Kosova do të njihej edhe nga shtetet e tjera dhe të arrijë të anëtarësohet edhe në organizata ndërkombëtare.

Por, duke qenë se deri më tani Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, një gjë e tillë mund të mos ndodhë as me një marrëveshje të re, që do të përfshinte kompromise të reja për Kosovën. Për më tepër, edhe nëse eventualisht Serbia do ta njohë Kosovën nuk ka garanca se kjo do të përcillej me njohje nga shtetet e tjera, si p.sh. 5 vendet anëtare të BE-së ose Kina dhe Rusia. Kjo sepse shumica e këtyre shteteve nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës jo në mungesë të njohjes nga Serbia, por për shkak të çështjeve të brendshme të tyre.

Megjithatë, edhe nëse ka mundësi reale për këto njohje pala e Kosovës para se të vendosë të pranojë kompromise të reja në këtë fazë të dialogut duhet të sigurohet mirë që çdo kompromis tjetër potencial nuk do ta dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe nuk do të mundësojë ndikimin e shtetit serb në Kosovë.

Në anën tjetër, në takimet e dialogut me Serbinë dhe në forumet e tjera ndërkombëtare pala e Kosovës duhet t’i ripërsërisë të gjitha kompromiset që shteti i Kosovës i ka bërë deri më tani për të arritur normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje ndërkombëtare. E ato janë shumë, ndërsa më poshtë janë të listuara 40 prej tyre. Kompromise këto që Kosova ka bërë me pranimin e Planit të Ahtisaarit dhe marrëveshjet e dialogut të Brukselit.

Gjatë periudhës 2007-2016 Kosova ka pranuar ndër të tjera:

  • Mospërfshirjen e luftës çlirimtare në Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
  • Mospërfshirjen e simboleve dhe ngjyrave të flamurit kombëtar në flamurin e shtetit të Kosovës;
  • Decentralizimin në baza etnike;
  • Bërjen e gjuhës serbe gjuhë zyrtare, krahas gjuhës shqipe;
  • Krijimin e një kanali televiziv publik në gjuhën serbe;
  • Dhjetë (10) vende të garantuara në Kuvend për subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb;
  • Një (1) nënkryetar Kuvendi nga subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb;
  • Një Komision të përhershëm të Kuvendit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve me (1/3) e anëtarëve nga subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb;
  • Së paku një (1) ministër në Qeveri nga komuniteti serb;
  • Së paku dy (2) zëvendësministra në Qeveri nga komuniteti serb. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra Qeverisë i shtohet edhe një zëvendësministër i tretë, i cili përfaqëson komunitetin serb;
  • Dy (2) anëtarë nga komuniteti serb në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe të paktën njëri prej tyre gjyqtar;
  • Një (1) anëtar serb në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve;
  • Ofrim të sigurisë shtesë dhe masa tjera mbrojtëse për gëzimin e plotë të të drejtave, privilegjeve dhe imuniteteve të tyre për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë (KOS), duke përfshirë klerin dhe pjesëtarët, aktivitetet dhe pronat e saj;
  • Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë (KOS) të jetë e vetmja pronare e pronës së saj në Kosovë me diskrecion të plotë sa i përket menaxhimit të pronës së saj dhe qasjes ndaj premisave të saj;
  • Të gjitha komunat në të cilat komuniteti serb është shumicë të kenë: a) Autoritetin për të ushtruar përgjegjësinë për çështje kulturore, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore të serbëve dhe të tjerëve brenda territorit komunal, si dhe përkrahjen për komunitetet fetare lokale; si dhe b) Të drejta të avancuara pjesëmarrëse në zgjedhjen dhe shkarkimin e komandantëve të stacioneve policore;
  • Shkollat të cilat mësojnë në gjuhën serbe mund të zbatojnë planprograme ose tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë;
  • Universiteti i Mitrovicës Veriore të jetë institucion autonom i arsimit të lartë. Universiteti përcakton vetë rregullat dhe procedurat e qeverisjes së brendshme të tij dhe ndërveprimin me autoritetet publike;
  • Lejimin e bashkëpunimit të komunave me shumicë serbe me institucionet në Republikën e Serbisë - bashkëpunimi i tillë merr formën e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë në implementimin e kompetencave komunale;
  • Lejimin e financimit të aktiviteteve komunale nga Republika e Serbisë;
  • Pas kompromiseve të mësipërme në Planin e Ahtisaarit Kosova më tutje pranoi edhe kompromise të tjera si:
  • Fillim të edhe një procesi tjetër dialogu me Serbinë, në vitin 2011;
  • Për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë të mos shtronte në dialog, ndër të tjera, kërkesën për kërkimfalje nga ana e Serbisë, kompensimin për reparacionet e luftës e kthimin e personave të pagjetur;
  • Pranoi ndryshimin e formatit të dialogut nga teknik në politik;
  • Përfshirjen në dialog të çështjeve të brendshme të Kosovës;
  • Përfshirjen e veriut të Kosovës në dialog;
  • Lejimin e përdorimit të targave KS krahas targave RKS, me Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë;
  • Pranoi që Serbia t’i kthente kopjet e regjistrave civilë dhe jo origjinalet, me Marrëveshjen për Regjistrat Civilë;
  • Pranoi që Serbia t’i kthente kopjet e regjistrave kadastralë dhe jo origjinalet, me Marrëveshjen për Regjistrat Kadastralë;
  • Pranoi përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës me fusnotë;
  • Mosvendosjen e simboleve të shtetit të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, me Marrëveshjen për IBM;
  • Heqjen e mbishkrimit Republikë nga vulat doganore të Kosovës;
  • Pranoi themelimin e një kompanie të re, degë e një kompanie serbe, për furnizim me energji të komunitetit serb, me Marrëveshjen për Energji;
  • Themelimin e një kompanie të re, degë e një kompanie serbe, për furnizim me shërbime të telefonisë për konsumatorët serbë, me Marrëveshjen për Telekomunikacion;
  • Amnisti dhe integrim në institucione të Kosovës të personave nga komuniteti serb që kanë qenë pjesë e Mbrojtjes Civile;
  • Krijimin e fondit të veçantë zhvillimor vetëm për komunat veriore serbe;
  • Krijimin e divizionit të veçantë të Gjykatës së Apelit për rastet e komunitetit serb;
  • Krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 nene;
  • Shpërbërjen e Asociacionit vetëm me vendim autonom të Kuvendit të Asociacionit;
  • Komandant regjional serb për komunat veriore;
  • Vazhdim të lejimit të vizitave të zyrtarëve serbë pavarësisht fjalimeve provokative dhe fyese për Kosovën; dhe
  • Vazhdim të dialogut me Serbinë pavarësisht lobimit të saj kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare;

(Autorja është hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës - KDI)
 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK