Zërat

Arta Berisha

A ndikuan portalet fantome në rezultatin zgjedhor të vitit 2017?

31 tetor 2018 • 14 : 29

Deri në ditën e zgjedhjeve të fundit parlamentare opinioni publik në Kosovë është bombarduar vazhdimisht me lajme të trilluara, demaskimi i të cilave ka kërkuar kohë më të gjatë në krahasim me ndikimin e menjëhershëm që mund të kenë pasur. Shkrimeve të këtilla u është bërë jehonë e madhe edhe në mediet sociale, veçanërisht në “Faceebook” si platformë më popullore në Kosovë

Lajme të trilluara, lajme me pikëpyetje dhe pa përgjigje brenda tekstit ose edhe lajme të shoqëruara me fotografi të montuara - këto janë disa nga llojet e informacionit, të cilat i kanë plasuar në opinion portalet fantome dhe jo vetëm ato, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në qershor të vitit të kaluar. Një nga uebsajtet fantome që ka përfunduar në organet e rendit është "kosovasot.live". Persona ende të panjohur zgjodhën javën e fundit të fushatës zgjedhore për të shpërndarë dezinformata me qëllim të dëmtimit të imazhit të kandidatëve dhe të subjekteve të caktuara politike.

Njëri nga politikanët që u bë viktimë e dezinformatave të prodhuara nga “kosovasot.live” ishte Avdullah Hoti, i nominuari i LDK-së për kryeministër. Në një nga shkrimet, tashmë i fshirë në internet, ky portal fantom shkruante se "Hoti do të bëjë koalicion me PDK-në në rast se vendi shkon në krizë".

Portali citonte medien tjetër “Indeksonline” si prodhuese e këtij lajmi. Këtu bëhej fjalë për një artikull krejtësisht të trilluar, pjesë e të cilit ishte edhe një deklaratë, po kështu trillim, e Hotit, kinse e thënë pas një takimi elektoral në Gjilan.

Artikuj të tillë kanë një standard të zakonshëm të përpilimit të lajmeve në mediet online në Kosovë, andaj dhe mundësitë për t'u besuar atyre publiku janë të larta. Aty jepet edhe një vlerësim i analistëve, të cilët kinse kanë kritikuar Hotin për këtë qasje kur dihet raporti i LDK-së me PDK-në në të kaluarën. “Indeksonline”, të cilit i ishte referuar portali fantom, e kishte mohuar autorësinë e lajmit duke e quajtur shantazh virtual, i cili duhet të hulumtohet nga autoritetet përkatëse.

LEXO EDHE: Lajme nga spitali apo lajme për spital?

Deri në ditën e zgjedhjeve të fundit parlamentare opinioni publik në Kosovë është bombarduar vazhdimisht me lajme të trilluara, demaskimi i të cilave ka kërkuar kohë më të gjatë në krahasim me ndikimin e menjëhershëm që mund të kenë pasur. Shkrimeve të këtilla u është bërë jehonë e madhe edhe në mediet sociale, veçanërisht në “Faceebook” si platformë më popullore në Kosovë.

 Vetë Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur të pavërtetë lajmin për takimin e Avdullah Hotit me Kadri Veselin vetëm një ditë para zgjedhjeve.

LDK-ja ftonte Prokurorinë dhe Policinë që konform mandatit ligjor të hetojnë dhe të ndalojnë manipuluesit e opinionit publik. Si pjesë e skemës për manipulimin e informacionit LDK-ja e shihte edhe portalin fantom "kosovasot.live." LDK-ja njoftonte opinionin se këto dezinformata kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të Avdullah Hotit një ditë para zgjedhjeve. “Natyrisht që është dëshmuar se lajmet e rrejshme dëmtojnë procese të rëndësishme edhe në shtete të fuqishme e demokraci të konsoliduara e lëre më në një shtet si Kosova”, thotë deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani.

Në Kosovë sikurse jashtë saj mungojnë të dhëna empirike për ndikimin e lajmeve të pasakta në rezultatet zgjedhore. Hulumtime të kësaj fushe përmendin raste të vendeve perëndimore si shembuj ku keqinformimi ka ndikuar në ndërrim rezultati. "Referendumi për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, kandidatja për presidente të Francës, Marine le Pen, e cila arriti të shkojë në balotazh, dhe disa lajme të tjera janë përdorur si shembuj ku keqinformimi i vazhdueshëm ka pasur fuqi", thuhet ndër të tjera në raportin e Këshillit të Evropës me titull, “Information Disorder (Toward an interdisciplenary frame work, for research and policy maker”.

LEXO EDHE: E vërteta online: Gazetaria e verifikimit në pikëpyetje

Për shtetet në zhvillim si rasti i Kosovës ose shoqëri që janë duke kaluar në faza të ndryshme tranzicioni, gazetari Eoghan Sweeney, drejtor i trajnimeve globale në organizatën “First Draft News”, e vë në plan të parë edukimin si proces mjaft të rëndësishëm në një shoqëri, në mënyrë që demokracia e saj të jetë më shumë se, thjesht, një emër. “Natyrisht se është jetike që qytetarët të jenë të edukuar dhe të trajnuar me njohuri teknike dhe me një ekspertizë moderne e të nevojshme për të udhëhequr një shoqëri. Por nëse ne i nënvlerësojmë aftësitë e nevojshme për të menduar analitikisht, për ta vlerësuar informacionin, atëherë jemi në rrezik që të mbetemi me një popullsi, e cila  është e hapur për t’u manipuluar nëpërmjet propagandës dhe dezinformatave”, thotë  Sweeney.
 

Por sa vendi ynë po rrezikohet nga portalet fantome me përmbajtje dezinformuese në dëm të procesit zgjedhor dhe të informimit të drejtë të qytetarëve?

Arben Hajredinaj, njohës i punës së medieve, konstaton se mediet përherë kanë pasur rol të rëndësishëm në procesin zgjedhor dhe se ky rol veç sa shtohet me shfaqjen e portaleve të shumta. "Portalet fantome kanë ndikim nëse dezinformatat ose 'fake news' që ato i prodhojnë shpërndahen edhe nga portalet, të cilat kanë emër dhe vizitohen më shumë nga lexuesit. Edhe vjet sikurse çdo proces zgjedhor media ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm e sidomos portalet, pasi janë më të shpejta dhe më të qasshme për publikun në çdo moment", thotë Hajredinaj.
Ndërkohë ata që janë prekur direkt nga fenomeni i lajmeve të rrejshme përveç të zëshme shprehin edhe zhgënjimin me reagimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Shkëlqim Osmanaj, kryeredaktor në portalin “Indeks Online”, e quan dështim reagimin e institucioneve të drejtësisë pasi shkrimet e tyre në portalin e rrejshëm kanë marrë qindra shpërndarje, duke “ulur kredibilitetin dhe seriozitetin e portalit tonë”, thotë Osmanaj.

“Organet përkatëse duhet të ndërmarrin masa paraprake për të penguar fenomene të tilla, ashtu siç po ndërmerren kudo në shtete ku sundon ligji për ta luftuar këtë fenomen global”, tha Osmanaj.

Por masa e vetme që autoritetet kosovare kanë marrë për largimin e dezinformatave nga rrjeti është mbyllja e portaleve fantome disa ditë pasi ato publikuan dhe shpërndanë në mediet sociale dezinformatat  e tyre. Policia e Kosovës konfirmon se dy portale të krijuara në qershor të vitit 2017 janë mbyllur pas hetimeve. Në të dyja rastet Policia thotë se nuk ka mundur t’i identifikojë krijuesit e faqeve dhe të përmbajtjes së llojit dezinformues. "Në javën e parë të qershorit të vitit të kaluar Policia ka iniciuar hetimin e dy rasteve, njëri ka të bëjë me hyrje në sistemet kompjuterike dhe i dyti me cenim të të drejtave të autorit. Në të dyja rastet është kërkuar mbyllja e këtyre portaleve. Kjo edhe ka ndodhur", thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës.

Zyra për informim e Policisë nuk ka treguar se si janë kualifikuar veprat, duke thënë se ato emërtohen sipas Kodit Penal, megjithatë është bërë e ditur se rastet i janë dorëzuar Prokurorisë së Shtetit, e cila nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në lidhje me këto raste.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet për këdo që pa autorizim dhe me qëllim që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete ose për personin tjetër, ose t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ndryshon, publikon, shlyen, asgjëson ose shkatërron të dhënat, ose programet kompjuterike, ose në ndonjë mënyrë tjetër hyn në sistemin kompjuterik të tjetrit. E dënueshme me gjobë dhe me burgim është edhe vepra penale “Cenimi i të drejtave të autorit”.  

Ndërsa autorët e dezinformatave mbeten ende të pazbuluar, Kosova sërish ka hyrë në një fazë ku tema e zgjedhjeve është pjesë e diskursit publik, rrjedhimisht është hapur edhe më shumë tregu për keqinformim e dezinformim të qytetarëve të saj.

Ky projekt është financuar në kuadër të skemës së nëngranteve të përkrahur nga Bashkimi Evropian, Zyra në Kosovë, e i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës.

© zëri.info