Zërat
Jeffrey D. Sachs
Jeffrey
D.
Sachs

Politikanë vrasës

Zërat October 30, 2018 - 11:18

Amerikanët me të drejtë janë të tronditur nga vrasja brutale e Jamal Khashoggit, por shumica nuk e kuptojnë se mënyrat vrastare të liderëve të tyre nuk ndryshojnë shumë nga ato të atyre që urdhëruan vdekjen e Khashoggit. Përhapja e vrasjeve të sponsorizuara nga shteti nuk është kurrë justifikim për trajtimin e vrasjes si të pranueshme

“A do të më shpëtoj ndokush nga ky prift ngatërrestar?”, pyeti Henri II ndërsa nxiti vrasjen e kryepeshkopit të Kanterbërit, Thomas Becket, në vitin 1170. Gjatë shekujve presidentët dhe princat në mbarë botën kanë qenë vrasës dhe kanë ndihmuar në vrasje, siç dokumentuan sociologu i madh i Harvardit Pitirim Sorokin dhe Walter Lunden, në detaje statistikore në kryeveprën e tyre “Power and Morality”. Një nga gjetjet e tyre kryesore ishte se sjellja e grupeve qeverisëse ka tendencë të jetë më kriminale dhe më amorale sesa ajo e popullit mbi të cilin ata sundojnë.

Sundimtarët e preferojnë shumë mohimin. Por me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nga qeveria e tij, helmimin e ish-spiunëve rusë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të fjalëve që kreu i INTERPOL-it, Meng Hongwei, mund të jetë ekzekutuar në Kinë, perdja e mohimit ka rënë më shumë sesa zakonisht. Në Riad, në Moskë, madje edhe në Pekin klasa politike po përpiqet t’i mbulojë mënyrat e saj vdekjeprurëse.

Por askush nuk duhet të ndihet i vetëkënaqur këtu. Presidentët amerikanë kanë një histori të gjatë vrasjesh, gjë që nuk ka gjasa të shqetësojë presidentin aktual Donald Trump, paraardhësi i preferuar i të cilit Andrew Jackson ishte një vrasës gjakftohtë, skllavopronar dhe spastrues etnik i amerikanëve vendas. Për Harry Truman bombardimet atomike të Hiroshimës i kursyen atij koston e mundshme të lartë të pushtimit të Japonisë. Por bombardimi i dytë atomik, ai i Nagasakit, ishte krejtësisht i pambrojtshëm dhe ndodhi në mes të një vrulli të thjeshtë burokratik: bombardimet me sa duket ndodhën pa urdhrin e qartë të Trumanit.

Që nga viti 1947 mohimi i vrasjeve presidenciale është lehtësuar nga CIA, e cila ka shërbyer si një ushtri sekrete (dhe dikur skuadër vdekjeje) për presidentët amerikanë. CIA ka qenë një palë për vrasjet dhe kaosin në të gjitha pjesët e botës, me pothuajse asnjë mbikëqyrje ose përgjegjësi për vrasjet e panumërta të saj. Është e mundur edhe pse jo e vërtetuar përfundimisht, që CIA madje të ketë vrarë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Dag Hammarskjöld.

CIA është mbajtur përgjegjëse vetëm për një rast.  Seancat e senatit amerikan të vitit 1975 të udhëhequr nga Frank Church. Që atëherë CIA ka vazhduar mënyrat e saj të dhunshme dhe po, vrastare, pa ndonjë përgjegjësi për këtë ose për presidentët që autorizuan veprimet e saj.

Shumë vrasje masive nga presidentët kanë përfshirë ushtrinë konvencionale. Lyndon Johnson përshkallëzoi ndërhyrjen ushtarake amerikane në Vietnam me pretekstin e një sulmi të Vietnamit të Veriut në Gjirin e Tonkinut, i cili nuk ndodhi kurrë. Richard Nixon shkoi edhe më tej: duke bombarduar Vietnamin, Kamboxhian dhe Laosin, ai kërkoi t’i fuste Bashkimit Sovjetik frikën se ai ishte një lider irracional i aftë për çdo gjë. (Gatishmëria e Nixonit për të zbatuar “teorinë e tij të çmendur” është ndoshta prova vetëpërmbushëse e çmendurisë së tij.) Në fund lufta amerikane Johnson - Nixon në Indokinë mori miliona jetë të pafajshme. Nuk pati kurrë asnjë llogaridhënie të vërtetë dhe ndoshta krejt e kundërta: shumë precedentë për vrasjet masive të mëvonshme nga forcat amerikane.

Vrasjet masive në Irak nën udhëheqjen e George W. Bush natyrisht janë më të njohura, sepse lufta e udhëhequr nga SHBA-ja atje ishte për televizion. Një vend gjysmë i qytetëruar i angazhuar në përhapjen e “tronditjes dhe të frikës” për të përmbysur qeverinë e një vendi tjetër, duke u bazuar në pretendime krejtësisht të rreme. Qindra mija civilë irakianë vdiqën si rezultat i kësaj.

Dhe Barak Obama u sulmua gjerësisht nga e djathta se ishte shumë i butë e megjithatë edhe ai është përgjegjës për një numër të madh vdekjesh. Administrata e tij në mënyrë të përsëritur aprovoi sulme me dronë ku u vranë jo vetëm terroristë, por edhe të pafajshëm dhe qytetarë amerikanë që kundërshtonin luftërat e përgjakshme të Amerikës në vendet myslimane. Ai nënshkroi dekretin presidencial që autorizonte CIA-n të bashkëpunonte me Arabinë Saudite në përmbysjen e qeverisë siriane. Ky operacion “i fshehtë” (i diskutuar  shumë pak në faqet e ‘New York Times’) çoi në një luftë civile të vazhdueshme që ka rezultuar në qindra mija vdekje civile dhe miliona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ai përdori sulmet ajrore të NATO-s për të rrëzuar Muammar el-Qaddafin të Libisë, duke rezultuar në një dhunë të dështuar dhe të vazhdueshme shtetërore.

Nën udhëheqjen e Trumpit, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vrasjen masive të Arabisë Saudite (duke përfshirë fëmijë) në Jemen, duke i shitur asaj bomba dhe armë të avancuara me pothuajse asnjë ndërgjegjësim, mbikëqyrje ose llogaridhënie nga Kongresi ose nga publiku. Vrasja e kryer larg syve të medieve pothuajse nuk është fare vrasje.

Kur bien perdet, si me vrasjen Khashoggit, ne për pak kohë e shohim botën ashtu siç ajo është në të vërtetë. Një kolumnist i “Washington Post”-it  vritet në mënyrë brutale dhe copëtohet nga “aleati” i ngushtë i Amerikës. Gënjeshtra e madhe amerikano-izraelite-saudite se Irani është në qendër të terrorizmit global, një pretendim i hedhur poshtë nga të dhënat, kërcënohet shkurtimisht nga shqetësimi, zbulimi i fundit të Khashoggit. Princi i kurorës Mohammed bin Salman, i cili me sa duket urdhëroi operacionin, është vënë në krye “të hetimit” të çështjes, sauditët kanë shkarkuar disa zyrtarë të lartë, dhe Trump, një mjeshtër non stop i gënjeshtrave, përsërit tregimet e gjata saudite në lidhje me një operacion mashtrues.

Disa liderë qeverie dhe biznesesh kanë shtyrë vizitat në Arabinë Saudite. Lista e tërheqjeve të lajmëruara nga një konferencë investimesh është një listë e kompleksit ushtarako-industrial të Amerikës: bankierët të lartë të “Wall Street”-it, drejtues kompanish të mëdha mediatike dhe zyrtarë të lartë kontraktorësh ushtarakë, siç është kreu i mbrojtjes i “Airbus”.

Shtetet e Bashkuara krenohen se janë një demokraci kushtetuese, por kur bëhet fjalë për politikën e jashtme presidenti nuk është shumë ndryshe nga një despot. Trump sapo ka paralajmëruar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Reze të Mesme pa përmendur fare Kongresin. Shkencëtarët politikë duhet të testojnë hipotezën e mëposhtme: vendet që drejtohen nga presidentët (si në rastin e Shteteve të Bashkuara) dhe nga monarkë antikushtetues (si në rastin e Arabisë Saudite) dhe jo nga parlamentarë dhe kryeministra, janë të prekshëm nga vrasjet politike. Parlamenti nuk ofron asnjë garanci, por sundimi nga një njeri në politikën e jashtme, si në rastin e Shteteve të Bashkuara dhe të Arabisë Saudite pothuajse garanton lejimin e një gjakderdhjeje masive.

Amerikanët me të drejtë janë të tmerruar nga vrasja e Khashoggit. Por mënyrat vrastare të qeverisë së tyre mund të jenë shumë pak më ndryshe. Përhapja e vrasjeve të sponsorizuara nga shteti nuk është kurrë justifikim për trajtimin e vrasjes si të pranueshme. Përkundrazi, është një arsyetim për nënshtrimin e pushtetit ndaj kufizimeve të rrepta kushtetuese dhe sidomos në të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo është shpresa jonë e vetme e vërtetë për mbijetesë dhe për siguri në një botë ku dhuna mund të jetë lehtësisht fundi për të gjithë ne.

(“Project Syndicate”)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK