Zërat
Blend Hyseni
Blend
Hyseni

Ndikimi i diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës - potencial i shfrytëzuar apo jo?

Zërat October 17, 2018 - 14:50

Roli i remitancave - parave të dërguara nga diaspora -  në zhvillimin ekonomik, social e kulturor të Kosovës është i pamohueshëm. Megjithatë, edhe pse shuma e remitancave në vitin 2017 ishte pothuajse tri herë më e lartë se investimet e huaja direkte potenciali i tyre për të ofruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik ende nuk është shfrytëzuar.

Çdo vit qindra miliona euro të diasporës hyjnë në ekonominë kosovare. Vetëm në vitin 2017 janë regjistruar rreth 760 milionë euro, duke përfshirë format formale dhe joformale të dërgimit. Vendet me pjesëmarrjet më të mëdha në dërgimin e remitancave janë Gjermania, Zvicra, dhe SHBA-ja. Ndërsa sa i përket qëndrueshmërisë, remitancat kanë shënuar një ngritje të lartë dhe të qëndrueshme në pesë vjetët e fundit. Mirëpo çështja kryesore është si kanalizohen këto të hyra dhe sa shfrytëzohen ato për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.                                            

Përfaqësues të institucioneve  shprehen se paratë e dërguara nga jashtë në masë të madhe stimulojnë konsumin vendor, gjë që ndikon në thellimin e importit dhe rrjedhimisht deficitit tregtar. Kjo pikëpamje kryesisht sheh Kosovën si një vend tranzit për remitanca, ku paratë e diasporës hyjnë, qarkullojnë për disa muaj dhe pastaj dalin jashtë vendit përmes importit të produkteve ushqimore. Përveç kësaj, një shumë e madhe të hollash diaspora i investon në prona. Si rrjedhojë, në vitet e fundit vërehet një ngritje e kërkesës për patundshmëri. Kjo dukuri ka ndikuar në ngritje të çmimeve edhe për qytetarët lokalë, të cilët planifikojnë të jetojnë në Kosovë.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqatave të bizneseve shqiptare në diasporë tregojnë se potenciali i diasporës ka ndryshuar shumë krahasuar me kohën e pasluftës. Sipas tyre, sot mërgata kosovare është bërë faktor i rëndësishëm biznesor për ekonomitë e zhvilluara evropiane. Derisa paslufte flitej për një diasporë me punëtorë “krahu”, sot flitet për profesionistë eminentë në fushën e arsimit, të shëndetësisë, të biznesit, të sportit, etj. Kur dikur priteshin të holla për mbijetesë dhe rindërtim, sot duhet të pritet shkëmbim i përvojave profesionale dhe transferim i teknologjisë në fusha të ndryshme. Për këtë arsye, organizata të ndryshme nga diaspora kanë filluar bashkëpunimin jo vetëm me institucione, por edhe me ndërmarrësit kosovarë. Ata presin që të mos shihen vetëm si investitorë në Kosovë, por edhe si konsumatorë. Sipas tyre, bizneset kosovare duhet të eksportojnë produkte vendore në vendet ku jeton mërgata shqiptare. T’i forcojnë lidhjet në mes të bizneseve kosovare dhe atyre të diasporës që të gjejnë mundësi bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët.

Por pavarësisht pikëpamjeve të lartpërmendura, një gjë është e ditur, edhe pse remitancat janë qenësore për Kosovën,  çështja kryesore për të gjithë mbetet se si të shfrytëzohen ato që të kontribuojnë drejtpërdrejt për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Si të punojmë që paratë e dërguara nga jashtë të mos shërbejnë vetëm si mjet afatshkurtër ekonomik, por të investohen në fusha strategjike që mundësojnë punësim dhe zhvillim afatgjatë.

Çështja tjetër që ngjall debat është sa arrijnë institucionet kosovare të përfshijnë diasporën në arritjen e objektivave ekonomike. Sa ka strategji institucionale për t’i shfrytëzuar sa më mirë lidhjet mes diasporës dhe Kosovës që të realizojnë projekte me interes nacional siç janë projektet energjetike, minerale, etj.

 

Ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme se me ngritjen e potencialit të diasporës kërkohet një qasje tjetër institucionale ndaj saj. Kërkohet angazhim më i madh i autoriteteve kosovare në përfshirjen e diasporës në vendimmarrje për projektet zhvillimore të Kosovës. Po ashtu kërkohet një bashkëpunim më i thellë në mes të shoqatave kosovare të diasporës dhe atyre vendase që t’i shkëmbejnë përvojat dhe njohuritë e tyre në fusha të ndryshme të biznesit. E gjithë kjo do të kontribuonte që paratë e dërguara nga jashtë të kenë një qëndrueshmëri më të madhe karshi zhvillimit të Kosovës.  

Në fund, është e qartë se forma aktuale e pranimit të remitancave nuk është e qëndrueshme, ajo kryesisht mundëson konsum dhe punësim sezonal, mirëpo joqëndrueshmëri dhe afatgjatë. Por duke marrë parasysh avancimin e diasporës, si dhe gatishmërinë e saj për të kontribuuar në Kosovë autoritetet tona duhet të hartojnë një strategji të mirëfilltë, ku ftojnë diasporën që të investojnë në sektorë strategjikë e zhvillimorë të vendit. 

Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në  kanalin e salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet duke u bazuar në editorial mund t’i gjeni në uebfaqen tonë.        

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK