Zërat
Hysamedin Feraj
Hysamedin
Feraj

Lojë rezolutash në Kuvendin e Kosovës

Zërat October 13, 2018 - 14:31
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Diskursi antilogjik: gabimi politik

E hartuar nuk dihet nga kush, është paralajmëruar paraqitja për miratim në Kuvendin e Kosovës një “Rezolutë për finalizimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”. Më poshtë, shkurt Rezoluta:

Siç do të shohim: Rezoluta nis gabim që në rreshtin e parë. Dhe, çka nis gabim, vështirë se del mbarë. Rezoluta mbështetet mbi premisa të rreme, prandaj përfundimi nuk ka si të jetë i drejtë. Rezoluta mbështetet mbi vlerësime të pabazuar dhe ngrehina pa baza shembet shpejt. Rezoluta zhvishet nga morali, prandaj s’ka si të prodhojë drejtësi as politikë.

Rezoluta nis me një padrejtësi në pikën 1:

“Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative, përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë...”.

Rezoluta i fal të gjithë fajet e dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës dhe popullit shqiptar në këmbim të njohjes së Kosovës prej saj. Veç njohjes nga Serbia, marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht obligative nuk përmban asgjë tjetër. Sigurisht, Rezoluta nuk jep asnjë arsyetim pse Kosova duhet “ta blejë” kaq shtrenjtë njohjen nga Serbia. Rezoluta do vetëm që t’i impresionojë deputetët dhe popullin se njohja e Kosovës nga Serbia është jetike për Kosovën, aq sa me të Serbia i shlyen gjithë dëmet, borxhet dhe jetët e vuajtjet që ua ka shkaktuar shqiptarëve. Me këtë sugjestionim Rezoluta përpiqet ta ndikojë votën e deputetëve pa asnjë shpjegim tjetër.

Rezoluta shpreh ngutinë që Kosova ta njohë Serbinë. Kuvendi duhet të insistojë që dialogu të përmbyllet me njohjen reciproke, pra edhe të Serbisë nga Kosova. Sigurisht ky nuk është një ngut i Serbisë. Por Rezoluta nuk jep asnjë shpjegim pse dhe kush ngutet në Kosovë ta njohë Serbinë pa asnjë kusht tjetër veç njohjes edhe nga Serbia të Kosovës.

Rezoluta parashikon ndryshimin e kufijve të Republikës së Kosovës. Rezoluta synon krijimin e një komisioni për zhvillimin e negociatave me Serbinë. Komisionit i ndalohet të negociojë për kufijtë (pika 2) “kufijtë e Republikës së Kosovës janë të pandryshueshëm dhe të panegociueshëm”, komisioni sjell për ratifikim në Kuvend marrëveshjen e arritur paraprakisht, dhe Kuvendi, sipas pikës 6, “me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: (1) Territorin...”. Duket sheshit se komisioni do të sjellë në Kuvend një marrëveshje ku është negociuar territori, se rezoluta e parashikon atë, dhe prandaj përcakton procedurën e ndryshimit të tij.

Përndryshe, nëse territori është i panegociueshëm nuk ka arsye të parashikohet procedura e miratimit të ndryshimit të territorit.

Në rreshtin e dytë Rezoluta konstaton një unitet: “Duke pasur parasysh një unitet politik që ekziston në Kosovë për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në OKB, në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO...”.

Të vetmin unitet që ekziston mes shqiptarëve Rezoluta merr përsipër ta kthejë në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës. Unitetin që ekziston mes shqiptarëve për anëtarësim në OKB, në BE dhe në Paktin NATO, Rezoluta do ta përdorë që Kosova të bëjë marrëveshje me Serbinë, pavarësisht se marrëveshja, çfarëdo qoftë, nuk mundëson realizimin e qëllimit për të cilin ka unitet në Kosovë. Sepse anëtarësimi në organizatat e mësipërme nuk kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Rezoluta ndërtohet mbi rrena dhe vlerësime të gabuar:

“Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson që marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht obligative do t’i mundësojë Republikës së Kosovës anëtarësimin në OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera relevante ndërkombëtare në të cilat nuk është anëtarësuar. Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson që marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht obligative do të përshpejtojë thelbësisht procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Paktin NATO dhe në BE”.

Argumenti kryesor i Rezolutës e lë fatin e Kosovës në bixhoz. Siç do të shihet më poshtë, argumenti se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të rezultojë në anëtarësimin e Kosovës në OKB, etj., është ndërtuar mbi premisa të rreme. Jologjikisht, është e mundur që përfundimi të jetë i saktë, por pa lidhje me premisat nuk ka asnjë domosdoshmëri të atillë; ai mbetet thjesht rastësi, siç mund të dalë i saktë përfundimi parashikues se do të fitojë lotarinë ose një lojë bixhozi.

Anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk varet prej njohjes nga Serbia. Varet nga një numër i caktuar i shteteve anëtare të OKB-së dhe varet veçanërisht nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kanë të drejtë vetoje, pra në masë të madhe nga Kina dhe nga Rusia. Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB me njohjen nga Serbia është një mit që e kanë krijuar qeveritë e Kosovës si mjet legjitimimi për marrëveshjet dhe për marrëdhëniet asimetrike me Serbinë në dëm të Kosovës.

Rezoluta rren sepse flet në emër të Kinës e të Rusisë pa asnjë autorizim prej tyre. Në rastin më naiv, vlerësimi se marrëveshja me Serbinë i mundëson Kosovës anëtarësimin në OKB është i gabuar. Në rastin më real ky vlerësim është një rrenë taktike e hartuesve të Rezolutës: nuk ekziston asnjë deklaratë zyrtare, as e Kinës as e Rusisë, që e kushtëzon njohjen e Kosovës prej tyre me njohjen e saj praj Serbisë. Kush ia ka thënë këtë formuluesve të Rezolutës? Kur e kanë deklaruar këtë Kina dhe Rusia? Duke vlerësuar rrejshëm, Rezoluta do që ta bëjë Kuvendin e Kosovës të flasë në emër të Kinës e të Rusisë, pa asnjë autorizim prej tyre dhe pa asnjë të drejtë përfaqësimi të politikës ndërkombëtare të Kinës e të Rusisë. Madje edhe të kishte ndonjë deklaratë të atillë do të duhej marrë me rezervë sepse mund të ndryshohet qëndrimi i Kinës dhe i Rusisë mbasi Kosova të bënte marrëveshjen e vet të lajmëruar me Serbinë. Kushtëzimi i atillë do të ishte vlerësim pak a shumë i besueshëm vetëm nëse Kina dhe Rusia do t’i kishin dhënë botërisht diplomacisë së Kosovës siguri relativisht të lartë dhe angazhim publik se me njohjen e Kosovës nga Serbia do të pasonte edhe njohja prej tyre.

Rezoluta rren sepse ia vesh Serbisë një fuqi që nuk e ka: e paraqet superfuqi botërore. Rezoluta do që ta krijojë besimin e rremë te deputetët e Kuvendit dhe te populli shqiptar se qëndrimet e fuqive të tilla të mëdha, si të Rusisë e të Kinës, në politikën ndërkombëtare dhe në OKB vendosen nga Serbia. Mirëpo as Kina dhe as Rusia nuk varen në qëndrimet e tyre nga Serbia dhe as nuk do ta ulnin veten duke u vënë në varësi të qëndrimeve të Serbisë. Kushtëzimi i tyre i njohjes së pavarësisë me njohjen nga Serbia do të ishte vendosje e tyre në varësi të Serbisë dhe qëndrimeve të saj. Kjo është e pamundur për to dhe prandaj kurrë nuk e kanë vendosur një kushtëzim të tillë. Këtë e ka shpikur diplomacia shqiptare. Me këtë shpikje ka krijuar mitin e Serbisë si fuqia që vendos për fuqitë e mëdha, si fuqi mbi fuqitë e mëdha.   

Rezoluta rren, sepse flet në emër të Spanjës, të Greqisë, të Qipros, të Rumanisë e të Sllovakisë pa asnjë autorizim prej tyre. Nisja nga vlerësimi se marrëveshja për njohjen reciproke i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare është ose i gabuar, ose i rremë qëllimshëm. Nuk ekziston asnjë deklaratë e shteteve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, që e kushtëzon këtë njohje prej tyre me njohjen prej Serbisë. E kundërta, disa prej tyre kanë deklaruar se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe në rast se e njeh Serbia.

Rezoluta rren, sepse sërish i jep Serbisë një fuqi që nuk e ka. Rezoluta do të krijojë përshtypjen te deputetët dhe te populli i Kosovës se Serbia është aq e fortë sa ua dikton shteteve anëtare të BE-së se çfarë qëndrimi do të mbajnë ato. Me këso rrenash hartuesit e Rezolutës dhe përgjithësisht qeveritë shqiptare janë përpjekur ta bëjnë të pranueshëm qëndrimin e tyre personal të deritashëm të nënshtrimit ndaj Serbisë.

Rezoluta është ndërtuar mbi mosnjohjen e marrëdhënieve ndërkombëtare aq sa mbi keqdashjen. Vendosja nën varësinë e Serbisë të qëndrimeve të Kinës dhe të Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare është sa injorant, aq edhe i lig. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Kina dhe Rusia rivalizojnë me SHBA-në dhe fuqitë e mëdha të BE-së, jo me Serbinë dhe me Kosovën. Për ata pavarësimi i Kosovës është realizuar nga NATO-ja nëpërmjet shkeljes së të drejtës ndërkombëtare, shpërfilljes së tyre duke e anashkaluar Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shkeljes së sovranitetit të shteteve dhe të ndryshimit të kufijve me dhunë, duke krijuar një precedent që destabilizon rendin ndërkombëtar dhe që mund t’i prekë vetë ata në emër të të drejtës së popujve përballë të drejtës së shteteve. Për ta Serbia është vetëm parashikimi i çka mund t’u ndodhë vetë atyre dhe që është e papranueshme për ta. Politikës së jashtme shqiptare i bie barra të ndeshet e të fitojë me këtë lloj diskursi dhe ta legjitimojë të drejtën e Kosovës për pavarësi.  

Diskursi “tragjik” i Kosovës: gabimi moral

Në rreshtin e parë të Rezolutës flitet për të kaluarën tragjike të popullit tonë: “duke respektuar dhe duke kujtuar të kaluarën tragjike dhe luftën e popullit tonë për liri dhe pavarësi...”.

Me të drejtë kundër këtij diskursi u ngritën gjerësisht kritika (Boiken Abazi etj.). Megjithatë ia vlen një zgjerim i mëtejshëm në të, sepse flet sa të huaj ose të tëhuajësuar nga shqiptarët dhe Kosova janë autorët e Rezolutës. Ndërkaq konceptimi i së kaluarës si tragjike nuk është as naiv dhe as i pafajshëm.

Rezoluta e kthen fitoren në tragjedi:

Tragjedia përfundon me humbjen dhe/ose vdekjen e personazhit pozitiv. Në të kaluarën Kosova nuk humbi, por fitoi: Pavarësinë. Prandaj e kaluara e Kosovës nuk është tragjike, por heroike. Ndërsa të kaluarën e kthen në tragjike e tashmja dhe e ardhmja, që i sjell humbjen Republikës së Kosovës dhe fitoren Republikës së Serbisë. Kujt i duket tragjike fitorja e Kosovës?

Tragjedia përmban një dimension të fortë moral. Prandaj ka tragjedi ku ka moral dhe ku nuk ka moral nuk ka tragjedi. Në natyrë ndodhin katastrofa kozmike, janë të panumërta gjallesat që e humbin jetën me dhimbje të mëdha, por është e pakuptimtë të cilësohet tragjike humbja dhimbshëm e jetës së sorkadheve në ndeshjen me hienat, ose “vdekja” e dhunshme e një planeti në ndeshjen me një më të madh.   

Në moralitet nuk ka neutralitet. Moraliteti e kërkon me domosdoshmëri mbajtjen anë dhe veprimin e anshëm njerëzor. Asnjë situatë, qoftë e mirë ose e keqe, nuk vjen në ekzistencë, nuk mbetet në ekzistencë, as nuk ndryshon mënyrën e ekzistencës pa veprimin njerëzor, vetiu, saje ligjeve natyrore, sepse në natyrë nuk ka fare moral. Prandaj neutraliteti është njëanshmëri: në mbështetje të situatës ekzistuese. Në moralitet nuk ka qëndrim “përtej së mirës dhe së keqes”, siç mund të mendojnë ata që kanë lexuar ose dëgjuar veç titullin e një vepre të Nietzsches.

Në moralitet ka hierarki vlerash. Shkelja e një kërkese a vlere morale është legjitime vetëm për hir të një vlerë më të lartë morale. Kërkesa morale “mos i shkakto dhimbje tjetrit” është legjitime të shkelet nga mjeku nëse është kusht i pashmangshëm për shpëtimin e jetës së pacientit dhe pacienti e do jetën.

Moraliteti dhe hierarkia e vlerave e bëjnë të pamundur baraslegjitimimin e palëve në tragjedi. As e vërteta që secila palë në tragjedi vepron për mbrojtjen e një vlere dhe të drejte morale nuk e provon legjitimimin e barabartë të tyre, kur mendohet kush ka më shumë të drejtë. Përsa palët nuk janë krejt të palegjitimuara dhe kundër çdo moraliteti, ka kuptim të flitet për “fajtor pa faj”, por vetëm në thonjëza dhe në mënyrë homonime. Në rastin më “naiv” vetëm telashi i mendimit deri lart në zinxhirin e hierarkisë së vlerave dhe vetëm telashi i angazhimit për të mirën morale e të drejtën njerëzore gjen ngushëllim te teza e Hegelit të vonshëm për baraslegjitimimin (“Gelichberechtigung”) e pushteteve morale që e bëjnë tragjedinë. Të dy janë të baraslegjitimuar: Kreoni sepse mbron të drejtën e shtetit, Antigona sepse mbron të drejtën e familjes. Të dyja palët janë të baraslegjitimuara: serbët sepse mbrojnë të drejtën e shtetit, shqiptarët sepse mbrojnë të drejtën e popullit.

Aleatët tanë, NATO-ja dhe të tjerët, ndërhynë në mbrojtje të Kosovës sepse nuk baraslegjitimuan palët. NATO-ja ndërhyri në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës: sepse brenda tragjedisë ata dalluan fajtorët nga të pafajshmit, më pak të legjitimuarit nga më shumë të legjitimuarit; sepse në pajtim me Hegelin e hershëm analizën e tij të Orestit e zbatuan në rastin e Antigonës dhe vlerësuan më lart të drejtën e Antigonës sesa të Kreonit, të drejtën e popullit të Kosovës sesa të shtetit të Serbisë; sepse ekzistenca e shtetit legjitimohet si mjeti i realizmit të popullit dhe humb legjitimitetin kur vihet kundër popullit (që e pretendon për të vetin); sepse me veprimet e saj kundër shqiptarëve të Kosovës shteti serb e ka delegjitimuar (“joepardiset” - Clinton) të drejtën e tij; sepse Karta Universale e të Drejtave të Njeriut e koncepton shtetin si mjet për realizmin e të drejtave dhe lirive të njeriut e të popullit të vet; jo e kundërta.

Kundërshtarët e NATO-s, Serbia, Kina, Rusia dhe të tjerë, mbështetën të drejtën e shtetit kundër popujve, të drejtën e Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës, ruajtjen e të drejtës së sovranitetit dhe kufijve të shtetit serb kundër së drejtës së popullit shqiptar për jetë, liri dhe vetëvendosje.

Pa dalluar fajtorët nga të pafajshmit “në tragjedi” Rezoluta i vihet kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ajo i thotë NATO-s dhe aleatëve se mbrojta që na bënë ka qenë e padrejtë, e palegjitimuar dhe arbitrare; njësoj arbitrarisht mund të kishin vendosur për të qenë në anën e Serbisë dhe për pastrimin etnik të Kosovës, sepse në konflikt asnjëra palë nuk ishte më legjitime se tjetra, rrjedhimisht nuk kishte mundësi vendimi objektiv se kush është fajtor e kush i pafajshëm. Rezoluta bën të vetin qëndrimin e Serbisë, Rusisë, Kinës dhe të ngjashmëve se ndërhyrja e NATO-s në favor të njërës palë të tragjedisë ka qenë jolegjitime, sepse ka qenë arbitrare mbasi nuk mund të bazohet mbi legjitimitetin e ndonjërës prej vetë palëve.

Pa identifikuar dhe pa ndëshkuar fajtorët Rezoluta e shndërron fitoren e Kosovës në tragjedi. Pa e identifikuar Republikën e Serbisë si fajtore dhe shkaktare të tragjedisë Rezoluta bën hapin e parë kah bashkimi i Kuvendit të Kosovës me mendimin serb se tragjike ka qenë ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë, se personazhi pozitiv ka qenë Serbia dhe Serbia humbi. Me këmbënguljen e Serbisë se ndërhyrja e NATO-s ka qenë më së paku arbitrare në aspektin e legjitimimit i ka dhënë mundësinë Serbisë t’i vërë përfundi burokratët brukselianë të tipit Mogherini, i gjithë moraliteti i të cilëve matet me suksesin personal në karrierë,në rrogë dhe në shërbim të të cilëve Rezoluta synon ta vendosë Republikën e Kosovës dhe popullin shqiptar.

Nga baraslegjitimimi i palëve në tragjedi, më e pakta, Serbia ka formuluar qëndrimin se është e padrejtë që “Kosova të fitojë gjithçka e Serbia asgjë” dhe propozimin minimal që së paku Kosova të ndahet gjysmë për gjysmë. Efekti i këtij qëndrimi serb shfaqet në Rezolutën që nuk diferencon fajtorin nga viktima. Por më shumë Serbia, ashtu si NATO-ja, nuk beson se në tragjedi palët janë të baraslegjitimuara. Serbia beson se qëllimi i saj ka qenë më i legjitimuar se i Kosovës, se, siç e tha Vuçiqi, “qëllimi i Millosheviqit ka qenë i drejtë”, pra i legjitimuar dhe pikërisht për këtë tragjedinë e ka pësuar Serbia me “humbjen” e personazhit pozitiv, “humbjen” e Serbisë. Me këtë epërsi morale, të cilën ia kanë siguruar njëra pas tjetrës edhe qeveritë e Kosovës, Serbia u kërkon dëmshpërblim Kosovës dhe aleatëve tanë, NATO-s dhe Brukselit: e pakta ndarjen e Kosovës, e shumta rikthimin e Serbisë në Kosovë (sipas Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes së Kumanovës). Epërsia morale e Kosovës në luftë me Serbinë bënte që fitorja të detragjedizojë dhimbjen e luftës; fitimi i epërsisë morale nga Serbia bën që fitorja jonë të kthehet në tragjedi dhe e ashtuquajtura tragjedi e Serbisë të detragjedizohet duke u kthyer në fitore.

Pa identifikuar dhe pa ndëshkuar fajtorët, jetët dëshmore e heroike të dhëna për lirinë e shqiptarëve i kthen në humbje tragjike të jetës. Në vetvete dhënia vullnetarisht e jetës për liri nuk është vdekje tragjike, por dëshmore dhe heroike. Ajo kthehet në tragjedi kur personazhet negative që e kanë shkaktuar vdekjen, para së gjithash Republika e Serbisë, enden të lirë e të pandëshkuar në këtë botë e vrasësit individualë shpërblehen në radhë të parë me shfajësimin e tyre, me barazimin e tyre me viktimat, me përkuljen para monumenteve të shtetit vrasës që dëshmorët tanë i konsideron terroristë etj.

Në fund, kur e cilëson luftën e Kosovë për liri si “e kaluara tragjike” Rezoluta synon të vendosë Kosovën në largësinë e spektatorit, në tragjedinë që përndryshe është e vetja. Rezoluta përpiqet që ç’ka qenë përvojë tragjike derisa nuk ishte fitore ta kthejë në përvojë thjesht estetike-teatrale. Mirëpo “individët që qenien e vet e ankorojnë në diçka, që jovullnetarisht e lëndojnë veten pakthyeshëm, përjetojnë një përvojë tragjike, e cila nuk mundet të jetë e barabartë me estetiken e një tragjedie [...] Në të gjitha fazat e mendimit të tij Nietzsche ka reflektuar për tensionin ndërmjet seriozitetit ekzistencial të tragjedisë dhe lirisë estetike të shikuesve e dëgjuesve të saj dhe u përpoq t’i integrojë ato në një njohje që i kapërcen perspektivat e pjesëmarrësit dhe vëzhguesit dhe të qenët e vet i përfshirë në botën jetësore e përfytyron sipas analogjisë me teatrin. Kjo perspektivë sub specie theatralis çel këtu një hapësirë, të cilën Nietszsche e rrok në metaforën impresionuese të “syrit të tretë”, i cili botën e sheh në teatër dhe gjen një arratisje “qoftë edhe nëse vuajtjet e tua bien mbi ty. Hape syrin tënd teatral, atë sy të tretë të madh, i cili sheh në botë përmes dy të tjerëve!”. (Asmus Trautsch, 2008).

Kjo distancë tregon sa të huaj ose të tëhuajësuar janë autorët e Rezolutës dhe sa e huaj për Kosovën është vetë Rezoluta. Kosovës i duhet një Rezolutë që shpreh shpirtin e saj, dhimbjen dhe të drejtën e saj.  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK