Zërat
Muhamet Jusufi
Muhamet
Jusufi

Kush do të dominojë Detin e Kuq

Zërat September 24, 2018 - 15:47
Lexoni më shumë detaje

Duket qartë se ngushtica e Bab el Mendebit është stërngushtuar, atje, tensioni ditë e më shumë po rritet. Diplomacia ndërkombëtare hë për hë po tregohet e matur, personalisht mendoj se kështu do të vazhdojë derisa të del rezultati përfundimtar i konfliktit midis Arabisë Saudite dhe Jemenit. Deklaratat e z.Eshkilij të para tri vjetëve, po dalin të kenë qenë shumë serioze, mirëpo, a do t’ia arrijnë që t’i përjetësojnë ëndrrat e tyre, mbetet të shikohet në të ardhmen e afërt.

Bipolariteti në diplomacinë botërore nuk qëndroi gjatë, ndërsa qeverisjes vetëm të një shteti duket se nuk i ka ardhur koha, prandaj, botës po i rikthehet sistemi shumëpolar. Fuqia telurokratike e cila kishte humbur peshën në shekullin e kaluar, këtë milenium arriti të gjejë bashkëmendimtar rajonal dhe ta rikthejë shpejt imazhin e humbur. Bile, në shumë raste po e sfidon fuqinë talasokratike jo vetëm në Bririn e Afrikës por edhe gjetiu.

Ishin dy intervista që më motivuan të merrem me këtë rajon, njëra që ishte zhvilluar nga përfaqësuesi i mbretit Selman të Arabisë saudite z. Enver Eshkilij, dhe e dyta intervista e kohëve të fundit të Dr. Adil el Rafush, musafir në TV al Jezeera. Si studiues i Lindjes së Mesme, kohë më parë kisha shkruar për edhe trazirat e shteteve në Detin e Kuq, mirëpo, kësaj radhe mesazhet që u dhanë në këto dy intervista më bënë të merrem më në brendi të problemit.

Ardhja e Donald Trump-it në krye të SHBA-ve nxori në shesh problemet e mëdha që SHBA-të kanë në tërë globin. Nëse SHBA-të para disa decenieve kishin një ekonomi dhe tregti të qëndrueshme dhe pa konkurrencë në botë, tani duket qartë se janë duke u përballur me probleme të shumta. Presidenti Trump si një njeri i pa parashikueshëm dhe i “frikshëm” për botën, problemet e shtetit nuk po arrin t’i zgjidhë me shkopin magjik. Bota e sotme kërkon veprimtarë realë dhe të besueshëm.

Loja e rrezikshme e presidentit Ismail

Bëhet fjalë për një diplomaci të cilën po e udhëheqë Ismail Omer Guelleh, presidentit të Xhibutit me një sipërfaqe prej 23 mijë km2. Në intervistën e tij z. Enver Eshkilij, përfaqësuesi i mbretit Selman  kishte thënë se SHBA-të së bashku me aleatët e saj arabë dhe Izraelin, nëse nuk do të arrijnë ta kontrollojnë rajonin e Lindjes së Mesme dhe kontinentin e Afrikës në mënyrë paqësore, atëherë, atë do ta bëjnë me forcë. Nga intervista e tij kuptohet se Xhibuti dhe Jemeni do të lidhen me një urë 30 km të gjatë. Ndërsa Etiopia, shteti me mbi një milion km2 dhe mbi 100 milion banorë, do të jetë selia qendrore e SHBA-ve që prej këtu të mbikëqyrin kontinentin e Afrikës. E gjithë kjo do të arrihet pasi të janë plotësuar detyrimet e aleatëve.

Xhibuti një milionësh dhe Eritrea pesë milionëshe janë dy shtete të vogla që kanë bllokuar Etiopinë fqinje të ketë dalje në det, ndërkohë ky është vendi më i fuqishëm i rajonit dhe posedon resurse të mëdha të ujit të pijshëm dhe minerale. Sistemi diktatorial qeverisës i Etireas vjen menjëherë pas atij të Koresë së Veriut. Presidenti Afwerki askujt nuk i beson edhe pse nga Etiopia është shkëputur që në vitin 1991. Etiopia, në pamundësi të zhvillojë marrëdhënie të mira me Eritrean, tregtinë e tij e kishte mbështetur në portet e Xhibutit. Linja hekurudhore midis Adis Abebës dhe Xhibutit ka funksionuar që në fillim të shekullit XX-të.

Presidentit ”demokrat” të Xhibutit që kishte qëndruar në post 20 vjet, i ishte kërkuar të mos rikandidojë në zgjedhjet e viti 2016 për shkak të mos mbështetjes së diplomatëve perëndimorë dhe aferave korruptive.  Perëndimorët kishin një të preferuar tjetër, prandaj këshillohej të mos hynte në garë ku dihej se do të humbiste. Ai nuk i dëgjoi, befasoi të gjithë sepse sërish fitoi. SHBA-të ishin lodhur me këtë njeri, mirëpo, kjo fitore bëri të qartë se, ai, derisa kishte qëndruar në këtë post kishte bërë lidhje të fuqishme dhe të qëndrueshme me shtete të tjera të cilat tani më veç e kishin peshuar prezencën e fuqisë amerikane dhe perëndimorëve në vendin e tij. Çfarë në realitet po ndodh atje!

Gjithçka kishte filluar me rikthimin e ushtrisë franceze në Portin e Xhibutit. Bazuar në rregullat e OKB-së, presidenti Guelleh kishte firmosur disa marrëveshje bilaterale dhe multilaterale ndërkombëtare, prej të cilave vendi tij ishte stërmbushur me korporata dhe agjenci ndërkombëtare.  Ai me francezët themeloi ushtrinë të quajtur “Forcat Franceze të Xhibutit”, dhe për këtë shërbim, Franca do të paguante qira vjetore prej 30 milionë US$.

Ndërkohë që SHBA-të në këtë vend mbanin bazën më të madhe të njohur Camp-in Lemonnier për të cilën paguanin qira vjetore 60 milion US$. Krahas këtyre shpenzimeve, SHBA-të paguanin shërbime të shfrytëzimit të aeroportit dhe mallrave të cilat tejkalonin pagesën e qirasë vjetore, sidomos pasi që kërkesat e amerikanëve ishin shtuar shumë gjatë luftës së Afganistan dhe Irak.

Xhibutasit pa asnjë rezerve ujë të pijshëm dhe pa resurse të tjera natyrore të ardhurat për jetesë i nxirrnin vetëm së saje të pozitës së artë gjeostrategjike. Etiopia, xhibutasve ua garantonte ujin dhe rezervat të tjera elementare për jetesë në këmbim të shërbimeve që këta iu bënin në portin e tyre. Tani ata kanë arritur të kanë kompanitë dhe agjenci të tyre në Etiopi edhe Eritrea e etj. Presidenti Guelleh shfrytëzoi rastin e rebelimit dhe piraterinë e somalezëve duke bërë marrëveshje me shtetet më të zhvilluara që t’i sillnin forcat e tyre ushtarake që të mund t’i siguronin mallrat e tyre që kalonin nëpër ngushticën Bab el Mendeb në Detin e Kuq. Ia vlen të theksohet se nëpër këtë ngushticë çdo vit kalojnë mbi 20.000 tankerë dhe shumë anije të tjera.

Si duket shumat e mëdha të parave tunduan presidentin Guelleh. Ai më 2009-të bëri marrëveshje me Japoninë që të vendosnin 400 trupa të marinës së tyre në vendin e tij në këmbim të 33 milion US$ në vit. Marrëveshje të tilla bëri me Italinë dhe Arabisë Saudite. Kjo e fundit mund të thuhet se përherë të parë në historinë e saj dërgoi trupa jashtë territorit të vet.

Deri këtu zemërimi i perëndimorëve si sponsorë kryesorë të këtij vendi ishte i përmbajtur, mirëpo, Guelleh, nuk u ndal me kaq, ai në vitin 2015-të bëri marrëveshje me Kinën, që edhe ata të sillnin trupat e tyre që të “siguronin” agjencitë dhe investimet e tyre. Tani në këtë territor shumë të vogël veprojnë ushtritë e dy shteteve më të fuqishme të botës. Përveç kësaj, kinezët menjëherë ofruar projekte zhvillimore të vendit të tij që kapin shumën prej 14 miliardë US$, përfshi këtu edhe ndërtimin e gjashtë porteve të reja dhe shumë moderne.

Nëse deri tani kinezët ishin vendosur në kontinentin e Afrikës vetëm në fushën e tregtisë dhe investimeve zhvillimore, tani e tutje kinezët këtu janë edhe me një bazë ushtarake, dhe kjo iu mundëson atyre edhe shtrirje të tjera. “Xhibuti, Uashingtonit ia ngriti nervat pasi nga këta në gusht të vitit 2015 kishin kërkuar që SHBA-të të evakuonin portin dhe objektet që kontrollonin qytetin bregdetar të Obokut, edhe pse SHBA-të kishin investuan rreth 14 milionë dollarë për të përmirësuar platformën e portit në vitin 2009-të. Kërkesa e qeverisë së Xhibutit për tërheqjen e SHBA-ve ishte për shkak se atë vend do t’ia jepte ushtrisë kineze, e cila veç më kishte filluar ndërtimin e objekteve që nga viti 2006-të. Qeveria kishte nënshkruar një marrëveshje me të cilën kinezëve ju lejohej përdorimi i portit deri në vitin 2026-të”.

Që kur Arabia Saudite ishte përfshirë në luftën e Jemen, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), në marrëveshje me SHBA-të, kishin marrë përsipër të kontrollonin ujërat në Detin e Kuq. Ndërsa një kompani ndërkombëtare e Dubait më 2006 kishte bërë marrëveshje zhvillimore afatgjate 50-vjeçare me Xhibutin, mirëpo, kjo marrëveshje do të hasë në pengesa që në kohën kur qeveria e EBA-së insistoi vendosjen e ushtrisë së tyre në zonën Haramusit, një vend shumë afër limanit të SHBA-ve.

Si kundërpërgjigje qeveria e Emirateve, bëri marrëveshje me Eritrean dhe më pas edhe me Etiopinë, kjo e fundit i dha një hapësirë të madhe në bregdetin e Somalilandit, territor të cilin vetë e kishte marrë me qira prej Somalisë. Kjo lëvizje e qeverisë së Emirateve përveç dëmit që ia bëri Xhibutit, ajo ra në konflikt edhe me kompaninë e kontrollit të terminalit ndërkombëtar të Dubait, që konsiderohet njëra prej kompanive më gjigante në EBA. Presidenti Guelleh jo vetëm që e prishi kontratën me këtë kompani, por ai fitoi edhe arbitrazhin në muajin shkurt të këtij viti, pasi u zhvillua një proces gjyqësor ndërkombëtar.

Sidoqoftë, EBA-të në 2015-të kishin nënshkruan një kontratë midis kompanisë ndërkombëtare të Emirateve dhe Eritreas për përmirësimin dhe zhvillimin e portit të tyre primitiv në Detit të Kuq. Para se EBA-të do të fillonin instalimin e infrastrukturës ushtarake jashtë kufijve të saj, ajo do të përfshijë aviacionin dhe vendosi një skuadër të plotë të Mirazhit  2000, C-17, 130 të Forcave Ajrore të EBA-ve. Krahas tyre dërgoi edhe njësi të madhe tokësore, si dhe një batalion me mjete motorike të blinduara të pajisur edhe me tanke. Çfarë u duhej EBA-ve të zgjeroheshin në Afrikë!?

Kohë më parë kisha sjellë mjaft detaje mbi vendosjen e flotës ruse dhe turke në Detin e Kuq, gjegjësisht në tokën e Sudanit, ndërsa tani ky rajon seriozisht është i kërcënuar, sidomos pasi mësuam detaje nga deklarate e Ministrit të Jashtëm të Xhibutit, z. Mahmud Ali Jusuf i cili shprehu shqetësimin e tij mbi të ardhmen e vendit të tij dhe rreziku që po i kanosej nga fqinjët, sikur Eritrea dhe Etipoia. Kjo e fundit kishte kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që Eritreas t’i hiqeshin sanksionet, dhe me këtë veprim Xhibutit iu kishin prishur disa kontrata të majme. Ky ishte vetëm fillimi i një vargu problemesh që do të lindnin në këtë vend. Për këtë, atje shpërtheu një konflikt i armatosur i kontrolluar i cili u stabilizua përkohësisht me ndërmjetësimin e Katarit, i cili kishte vendosur ushtrinë e tij midis palëve në konflikt.

Në anën tjetër Abu Dhabi luajti rol të rëndësishëm në pajtimin historik midis Etiopisë dhe Eritresë, ndërsa kjo u hapi dyert e zyrave të Ministrisë së Jashtme në Uashington, ku morën pjesë ministri i Jashtëm i Eritres Osman Saleh dhe këshilltari i Presidentit "Afwerki" si dhe ish-Kryeministri etiopian Hilaryam Dasalin, nën udhëheqjen e sekretarit të atëhershëm të Jashtëm të Departamentit të Shtetit, Donald Yamamoto. Ndërmjetësimi i EBA-së, u mundësoi zyrtarëve të lartë të Pentagonit të vizitonin lirshëm këto shtete, ndërkohë, më parë ish-sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld, kishte kërkuar për të punuar ngushtë me Eritrean. Ai në vitin 2002 iu kishte kërkuar eritreasve ndihmonte që të mund të luftonin terrorizmin, por kërkesa e tij kishte dalë huq.

Duket qartë se ngushtica e Bab el Mendebit është stërngushtuar, atje, tensioni ditë e më shumë po rritet. Diplomacia ndërkombëtare hë për hë po tregohet e matur, personalisht mendoj se kështu do të vazhdojë derisa të del rezultati përfundimtar i konfliktit midis Arabisë Saudite dhe Jemenit. Deklaratat e z.Eshkilij të para tri vjetëve, po dalin të kenë qenë shumë serioze, mirëpo, a do t’ia arrijnë që t’i përjetësojnë ëndrrat e tyre, mbetet të shikohet në të ardhmen e afërt.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK