Zërat
Jeton Ismaili
Jeton
Ismaili

Koha për tubime gjithëpopullore në Luginë

Zërat September 07, 2018 - 12:26

Për herë të parë në histori, duke përjashtuar deri diku konfliktin e armatosur të viteve 2000 - 2001, Lugina është bërë temë mbarëkombëtare e ç’është më e rëndësishmja, çdo ditë e më shumë ajo po merr përmasa të karakterit ndërkombëtar.

E gjithë kjo po ndodh pas shfaqjes në opinion të idesë së presidentit, Hashim Thaçi, për mundësinë e bashkëngjitjes me Kosovë të komunave të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës.

Edhe pse ideja e Thaçit nuk është e sqaruar si duhet, duke përfshirë edhe kontradiktat që mbretërojnë brenda koalicionit qeverisës dhe kundërshtimeve të opozitës, megjithatë i gjithë spektri politik shqiptar i Luginës e ka mbështetur një gjë të tillë. Madje, në përkrahje të saj janë deklaruar edhe këshilltarët shqiptarë të kuvendeve komunale të të tria komunave të sipërpërmendura duke e miratuar një deklaratë të përbashkët, ndërsa pas një takimi të zhvilluar muajin e kaluar në Prishtinë, në njëfarë mënyre liderët e Luginës edhe e kanë autorizuar njeriun e parë të Kosovës të shpalosë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel çështjen e këtij rajoni.

Pavarësisht termave të ndryshëm të përdorur kohëve të fundit, si: korrigjim, shkëmbim, ripërkufizim etj, është plotësisht e qartë se në suaza të marrëveshjes finale midis Prishtinës dhe Beogradit do të vihet paralelja midis veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.

Në këtë kontekst, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shumë më të lehtë të flasë dhe të pozicionohet në favor të pjesës së Kosovës në veri të lumit Ibër, ngase shteti që përfaqëson ai kontrollon gati se gjithçka në atë territor, kështu që i mbetet vetëm se legalizimi i gjendjes faktike.

Në anën tjetër pozicioni i z. Thaçit do të jetë shumë më i vështirë, pasi ka të bëjë me prezantimin e një rajoni, siç është Lugina, e cila si de facto, ashtu edhe de jure kontrollohet dhe është nën juridiksionin e shtetit serb.

Lehtësirat e Vuçiqit janë rrjedhojë e gjendjes së krijuar në veri të Kosovës që nga qershori i vitit 1999, kurse vështirësitë e Thaçit për Luginën kanë të bëjnë me një gjendje që mbizotëron prej gati 150 vjetësh duke u ndërlikuar disi edhe në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar.

Në një situatë të tillë presidentit Thaçi i duhet mbështetje bazike, e cila do të vinte nga vetë Lugina dhe kjo mbështetje duhet t’i tejkalojë liderët politikë dhe të zbresë te populli. Por do të duhet të jenë vetë liderët që do ta nxisin popullin.

Është e vërtetë se shqiptarët me anë të Referendumit të vitit 1992 janë deklaruar për bashkim me Kosovën sikurse që është e vërtetë se edhe subjektet politike shqiptare me dhjetëra herë kanë kërkuar reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë, njëkohësisht duke kërkuar edhe mbështetje nga Prishtina e nga Tirana zyrtare.

Por, a mjafton me kaq? Jo dhe aspak. Derisa përgjatë viteve të fundit serbët e veriut të Kosovës përmes formave të ndryshme, madje duke përdoruar edhe elementet e dhunës, kanë kontestuar çdo gjë që i përket Kosovës, shqiptarët e Luginës kanë qenë totalisht të disiplinuar në Serbi.

A duhet të ndryshojë qasja në Luginë?

Po, sepse tash është momenti.

Për ta qartësuar këtë elaborim, themi se është momenti i fundit që lidershipi i Luginës të bëjë diçka përtej deklaratave. Nuk ka rast më të mirë se tani, që paria e Luginës së paku të ftojë popullin në tubime gjithëpopullore në mbështetje të idesë për bashkimin përfundimtar me Kosovën dhe këto tubime do të duhej të ishin të pareshtura derisa të duken qartazi kahet e bisedimeve të Brukselit. Ato do të duheshin të karakterizoheshin për nga masoviteti si kurrë më parë dhe do të duhej të dërgonin mesazhe në shumë drejtime. E para, do të rikonfirmohej se popullata shqiptare e Luginës do përfundimisht bashkëngjitje me Kosovën. E dyta, internacionalizimi i çështjes do të arrinte  kulminacionin. E treta, presidenti Thaçi do të fitonte një legjitimitet të plotë që ta fuqizojë idenë e tij karshi Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar, si dhe e katërta, pakkush në Kosovë më do të ishte kundër kësaj ideje.

Nëse Lugina vazhdon të heshtë dhe nëse tërë luftën e bën në suaza të deklaratave mediale, atëherë shumë më i vështirë do të ishte epilogu i favorshëm. Përkundrazi, do të kuptohej se Luginës i mungon vullneti, ndërsa inatet e disa rrymave politike në Kosovë për të penguar këtë proces sa vijnë e do të shtoheshin. Krejtësisht në fund, edhe vetë ideja për bashkim më do ta humbte kuptimin.

(Autori është gazetar nga Lugina e Preshevës)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK