Zërat
Hivzi Islami & Arsim Ejupi
Hivzi
Islami
&
Arsim
Ejupi

Elaborat për kufijtë Kosovë - Serbi

Zërat September 04, 2018 - 12:23

“Korrigjimi” i kufirit dhe “bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën – lojë e dëmshme dhe e rrezikshme

Kohët e fundit në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe gjithandej nga ka shqiptarë, si dhe në disa qarqe rajonale e ndërkombëtare po zhvillohet një diskurs i gjerë rreth kufijve, ndarjes së Kosovës dhe copëtimit të Luginës së Preshevës në emër “të korrigjimit” të kufijve dhe rrjedhimisht “bashkimit” të Luginës me Kosovën.

Ndarjet dhe copëtimet e trungut gjeoetnik të shqiptarëve, me imponimet dhe me dhunën e realizimit të tyre, si dhe konsekuencat shumëdimensionale, nuk janë problem i ri dhe kanë një historik të gjatë, nga periudha osmane e deri në ditët tona, por në versione dhe në dimensione të ndryshme, territoriale dhe politike. Ndarja territoriale-etnike e Kosovës sot do të shënonte  mosekzistimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran. 

I pari i shtetit të Kosovës, me disa individë shqiptarë dhe disa qarqe pushtetore serbe dhe ndërkombëtare, duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interesin shtetëroro-kombëtar, është vënë në krye të këtij diskursi dhe aventure me pasoja të dëmshme dhe tepër të rrezikshme për ardhmërinë e Kosovës dhe të shqiptarëve, por edhe gjithë Ballkanin, duke i hapur rrugë “ballkanizimit” të mëtejmë të tij (BeH, Maqedonia, Sanxhaku, Vojvodina, Kroacia, Mali i Zi, pakica bullgare në JL të Serbisë etj.).

Nga elaborimi i të gjitha dimensioneve gjeohapësinore, gjeopolitike dhe etnodemografike, sasinë dhe cilësinë e resurseve, rezulton përfundimi se me ndarjen e Kosovës dhe me copëtimin e Luginës, me kusht që të merrej edhe hekurudha dhe autostrada (Korridori 10), humbëse janë Kosova dhe Lugina, ndërkaq fitues del vetëm Serbia, madje me vetë idenë dhe nismën “e korrigjimit” të kufirit dhe natyrisht Rusia. Prandaj, është trishtuese të preken kufijtë ekzistues.

1. Ideja për ndarjen e Kosovës është e vjetër dhe buron nga Serbia. Autor i saj është “babai” i kombit serb, Dobrica Qosiqi, inspirues i të gjitha tragjedive njerëzore dhe materiale në ish-Jugosllavi. Si kryetar i Jugosllavisë së Tretë (Serbia dhe Mali i Zi), në janar 1993 projektin e ndarjes në proporcion 60:40% në favor të Serbisë e paraqiti në selinë e OKB-së në Nju-Jork, por u hodh poshtë nga bashkëkryetarët e Konferencës së Gjenevës, Sajrus Vens (Cyrus Vance) dhe Robert Oven (Robert Owen) nga frika e ndarjes së BeH-së dhe e Maqedonisë. Në vitin 2004 edhe më vendosmërisht doli me tezën se “Serbia nuk ka forcë biologjike që ta ruajë territorin e saj”, prandaj duhet të ndahet dhe ndarja e përkufizimi i tillë paraqesin “kompromisin midis të drejtës historike e të drejtës etnike dhe zgjidhjen racionale të antagonizmave shekullore ndëretnike”. Pjesa që do ta merrnin shqiptarët mund të bashkohet me Shqipërinë dhe dy popujt dhe dy shtetet mund të jetojnë njëri pranë tjetrit dhe për këtë qëllim autoritetet e Beogradit duhet të bisedojnë drejtpërdrejt me Tiranën zyrtare, duke e kapërcyer Prishtinën. Kryeministri serb Z. Gjingjiq u angazhua që ta realizojë planin e Qosiqit, por ai u vra në vitin 2003.

2. Në frymën e zgjidhjes së çështjes “shqiptaro-serbe”, siç e thoshte Qosiqi, “kapërcimin” e Prishtinës fare lehtë e hetojmë edhe sot nga Tirana zyrtare (prononcimi i Ramës, bashkë me Vuçiqin në Nish për ndërtimin e rrugës Nish – Merdare – Kukës - Durrës, pa çarë kokën se ajo kalon nëpër Kosovë, ose deklarata skandaloze e Ramës në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës se Shqipëria dhe Kosova mund ta kenë një president; me këtë shpërfill rëndë sovranitetin e Kosovës dhe shfaq megalomaninë paternaliste!). Nga kjo shihet qartë se Shqipëria e sotme zyrtare nuk tregon ndonjë zell për afirmimin e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, sikurse as Shqipëria e djeshme dhe e pardjeshme! Përkundrazi! Ndarjen e Kosovës e kundërshtojnë të gjitha instancat relevante ndërkombëtare dhe shtetet më të fuqishme në Evropë dhe në botë, sikundërqë nuk pranojnë që Kosova të kthehet në gjendjen e para vitit 1999 ose të bashkohet me ndonjë shtet tjetër. Edhe Kushtetuta jonë këtë e ndalon. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm” (Neni 1, alineja 1) dhe “nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” (neni 1, alineja 3).

3. Tezën e Qosiqit e ka mbështetur vetëm një shqiptar, “babai” i kombit, Rexhep Qosja, i cili shkon edhe më larg dhe në një seri prononcimesh pas luftës flet për “lëkundjen e kufirit mes Kosovës e Serbisë dhe zhvendosjen humane të popullsisë”, të fokusuar pikërisht te shqiptarët e veriut të Kosovës dhe shqiptarët e serbët e Luginës, duke kërkuar të bëhet shkëmbimi i Luginës me veriun e Kosovës, pa pasur njohuri elementare për kontekstin gjeohapësinor dhe gjeoetnik të dy territoreve. Ndërsa ngrihet pikëpyetja: pse ky njeri kurrë nuk e kërkoi Plavën dhe Gucinë dhe në asnjë rast nuk foli për pozitën e rëndë të shqiptarëve në Mal të Zi?! “Zhvendosja humane e popullsisë” ndodhi përmes spastrimit etnik si veprim më i shëmtuar në luftërat në ish-Jugosllavi në fund të viteve të 90-ta të shek. XX. Në kuadër të krimeve kundër njerëzimit, shpërngulja e qëllimshme, e planifikuar dhe e dhunshme e popullsisë në sistemet juridike të shumë vendeve, duke përfshirë edhe ato që vetë ushtrojnë gjenocid dhe nga vetë OKB-ja, konsiderohet krim gjenocidial. Vetëm njerëzit pa ndjenja njerëzore, megalomanët paranojakë dhe popullistët fisnorë sot e mbështesin “zhvendosjen humane të popullsisë”!

4. Aktualizimi i ndarjes së Kosovës sërish vjen nga Beogradi, bashkë me Tiranën zyrtare në heshtje dhe disa qarqe të huaja proserbe. “Çerek-Prishtina” zyrtare është e fundit që u kyç në këtë projekt katastrofë për shtetin tonë në ndërtim dhe për Luginën e Preshevës, të manipuluar nga profiterët andej e këndej kufirit. Pala serbe duke qenë koshiente për pamundësinë që në aspekt afatgjatë t’i mbajë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në nivelin e “konfliktit të ngrirë” dhe synimit për aderim sa më të shpejtë në BE, kohët e fundit përmes rrugëve mediatike, por edhe të prononcimeve, kryesisht  nga nivelet e ulëta të udhëheqjes politike, gjithnjë e më shumë po e plason idenë e shkëmbimit të territoreve. Për të përfituar sa më tepër nga dialogu deri më tash joproduktiv me Kosovën, por edhe për t’i zvogëluar efektet e mundshme negative në opinionin e brendshëm politik, intelektual dhe fetar heziton haptas ta quajë atë “shkëmbim të territoreve”, sepse Kosovën nuk e pranon shtet të pavarur dhe si tërësi e konsideron pjesë të Serbisë, prandaj po i përdor formulimet “korrigjim” apo “rirregullim” i territorit. Për fatkeqësinë tonë, në këtë “grackë” ka ra i pari i shtetit tonë, duke e ndjellë një të keqe të madhe!

5. Plani i Ahtisaarit i ka njohur kufijtë e Kosovës në gjendjen para 31 dhjetorit 1988. Aty shprehimisht thuhet: “Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga Marrëveshja e Demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001” (2 shtator 2007). Në afatin e paraparë, në procesin e “demarkimit” Maqedonia i mori nga Kosova 1.91 km². Dokumenti i tij dhe shumë dokumente të tjera, çfarë janë Kushtetuta e KSA-ja e Kosovës e vitit 1974, Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 dhe Kushtetuta e Republikës e vitit 2008, si dhe Komisioni i Badinterit i vitit 1991, vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës i vitit 2010 dhe harta e KFOR-it i definojnë qartë kufijtë e Kosovës, të kornizuar në 10.905 km². Deri më sot 115 vende e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës në këtë madhësi territoriale. Dokumenti i Ahtisaarit, i futur komplet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, serbëve të Kosovës u dha aq shumë privilegje sa nuk i gëzon asnjë pakicë në botë. Plani i Ahtisaarit është kompromisi maksimal që ka bërë Kosova; përtej nuk mund të shkojë. Që nga paslufta serbët e veriut të Kosovës nuk paguajnë as ujë, as rrymë, as tatim në pronë!

6. Të flitet për ndërrim të kufijve dhe bashkim të Luginës me Kosovën pa u zgjidhur çështjet elementare në negociatat me ndërmjetësim ndërkombëtar (Brukseli), çfarë janë diplomat e UP-së të shqiptarëve të Luginës, problemi i energjisë, i kadastrës, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë etj., është një absurd i paparë në marrëdhëniet midis shteteve. Shtëpia nuk ndërtohet nga çatia! Klithja për “bashkim” është pikërisht paaftësia e realizimit të agjendës së Brukselit dhe kjo sjellje e aktorëve “të bashkimit” çon drejt amortizimit të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndoshta ky është dhe qëllimi të cilin e dinë vetëm aktorët e lojës “së korrigjimit” të kufijve!

7. Sipas Komisionit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, i njohur si Komision i R. Badinterit, në kufijtë ekzistues administrativë (Uti possidetis) 6 ish-republikat e ish-Jugosllavisë u bënë shtete të pavarura në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar (1991-1993). Kufij të tillë administrativë, me bazë kadastrale, kanë pasur edhe dy ish-krahinat socialiste autonome Kosova dhe Vojvodina. Meqenëse Serbia nuk e ka pranuar formalisht pavarësinë e Kosovës nuk mund të ndërmerret asnjë veprim rreth kufijve dhe nuk është e mundur ndonjë marrëveshje për delimitimin dhe pastaj demarkimin e vijës kufitare. Serbia së pari duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues e pastaj vjen korrigjimi ku mendohet se ka konteste, si me vendet e tjera fqinje që e kanë njohur pavarësinë e saj. Midis Kosovës dhe vetvetes Serbia vazhdon ta konsiderojë kufirin administrativ, joshtetëror. Prandaj, i ashtuquajturi “korrigjim i kufirit” është sa mosdije, po aq një sjellje irracionale ndaj opinionit dhe një lojë me ndjenjat e popullatës shqiptare në Luginë dhe në veri të vendit, të cilët këto ditët e diskursit po përgatiten të ikin edhe ata pak shqiptarë të mbetur në veri, duke i shitur pronat, ndërsa serbët në jug të Ibrit, bashkë me Kishën Ortodokse Serbe janë kundër “ikjes” së Veriut të Kosovës.

8. Në opinionin e gjerë publik është krijuar një huti e madhe rreth përdorimit të nocioneve “ndarje”, “copëtim”, “shkëmbim”, “lëkundje”, “korrigjim”, “rishikim”, “demarkim”, “rirregullim”, “ridizajnim”, “rikufizim”, “rivijëzim” etj. Aktualisht të gjitha janë në funksion të pazareve politike të individëve të papërgjegjshëm dhe të qarqeve jashtë Kosovës e Luginës dhe veçanërisht të Serbisë. “Ndarje”, “shkëmbim” dhe “copëtim” do të thotë e njëjta gjë, por në kontekstin e diskursit të sotëm konkret politik e njëjta gjë nënkuptohet dhe me nocionet “korrigjim”, “rishikim”, “rivijëzim”, “rivizatim” ose “lëkundje” e territorit. “Korrigjimi” i kufijve midis Kosovës dhe Luginës së Preshevës është një mashtrim banal i radhës, qitje hi syve opinionit shqiptar në Kosovë, në Luginë dhe përtej. Përveç fjalëve boshe dhe konfuze, ndonjë plan konkret i “korrigjimit” të territorit midis Kosovës dhe Serbisë, bashkë me kriteret dhe parametrat e tjerë,  nuk po prezantohet, sepse nuk ekziston; aktorët e “korrigjimit” të kufirit nuk kanë as haber për kontekstin gjeohapësinor të Luginës së Preshevës. Serbia mund edhe të ketë plane të ndarjes në versione të ndryshme. (Vazhdon në numrin e nesërm  të gazetës “Zëri).

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK