Zërat
Arsim Canolli
Arsim
Canolli

Daullet pirrike të marrëveshjes me Serbinë

Zërat September 03, 2018 - 15:58

Retorika për korrigjim të kufirit me Serbinë e shfaqur në konferenca për medie, por edhe në tryezat ndërkombëtare është retorikë e valles pirrike (valle imitative para betejës) për ta përgatitur Kosovën drejt marrëveshjes që vështirë çon në ndarje e shkëmbim territoresh, sepse kjo duket e pamundur në kontekst gjeostrategjik sot, por drejt marrëveshjes për statusin e “trashëgimisë serbe në Kosovë”. Këto daulle rrahin për të përgatitur opinionin për atë që duket se synohet si marrëveshje: kompetenca ekzekutive për Asociacionin e Komunave Serbe ose vetëm veriun e Kosovës dhe status superspecial për të ashtuquajturën “Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë”.  

Për të dy këto zgjidhje disa zyrtarë teknokratë dhe të pavotuar e të pazgjedhur të BE-së gjejnë precedentë ku janë e ku s’janë. Së fundi duket se kanë hedhur nëpër medie prapë idenë e Tirolit Jugor për autonomi të serbëve të Kosovës, pas idesë tashmë të rrahur për status ekstraspecial të së ashtuquajturës “Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë” si kinse titullare e të gjitha kishave a manastireve ortodokse që ekzistojnë në Kosovë. Për këtë të dytën janë shpërndarë shumë opsione, nëpër medie kryesisht e ndër to edhe statusi i Vatikanit.   

Tiroli Jugor nënkupton bosnjëzimin e Kosovës, por me retorikë evropiane në emër të pranimit të diversitetit. Ky opsion nuk duhet pranuar asnjëherë sepse është opsion që ndan Kosovën, edhe ashtu të brishtë, si demokraci parlamentare. Zyrtarët e pazgjedhur të BE-së duhet ta kuptojnë se nuk ka formula shabllonike që mund të hyjnë në punë si shabllone në afrimin e këtyre dy shteteve, duke e zhbërë Kosovën pasi SHBA-ja dhe Evropa e kanë ndihmuar të bëhet shtet.

Statusi i Vatikanit e Atosit për Kishën Ortodokse Serbe nënkupton mbylljen e konfliktit në fuqi baruti, që mund të shpërthejë kurdo. Kjo nënkupton shkatërrimin e trashëgimisë diverse dhe shumështresore të Kosovës dhe mumifikimin e saj si “trashëgimi serbe”. Zyrtarët e BE-së duhet ta kuptojnë se motoja e tyre, që rri në sirtarët e tyre, është “të bashkuar në diversitet” dhe duhet ta aplikojnë atë e jo idenë e trashëgimisë kulturore si vlerë e objekt i ndarjes e i urrejtjes.

Paradoksi qëndron se për Asociacion rrihet daullja e diversitetit, ndërsa për trashëgimi kulturore, e cila përndjell një logjikë diversiteti, rrihet daullja e gardhimit (me beton e gjemba) juridik e kulturor. Në fakt kjo është edhe hipokrizia e disa zyrtarëve të BE-së në krye dhe në filiale të saj. Shtetet e mëdha evropiane si Britania, Gjermania e Franca nuk duhet ta lejojnë këtë hipokrizi të BE-së, sepse i kushton popullit të Kosovës me gardhim e gjembëzim të vazhdueshëm.

Në jetën e përditshme serbët e Kosovës jetojnë mirë dhe s’kanë probleme. Ata duhet të integrohen më shumë dhe ta pranojnë shtetin e tyre të ri. Shteti i Kosovës duhet t’i afrojë dhe t’i mbrojë si qytetarë të lirë. Asociacioni i Komunave Serbe mund të jetë mjet lehtësues për jetën e tyre, por nuk duhet të shndërrohet në sherr për juridiksionin e Republikës së Kosovës.

Objektet e trashëgimisë kulturore, të cilat janë kisha e manastire ku luten e jetojnë priftërinjtë serbë, duhet të mbrohen, të ruhen e të promovohen, ashtu si janë ruajtur, mbrojtur e promovuar pas hyrjes në fuqi të ligjeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit. Kisha Ortodokse Serbe ka seli në Beograd dhe nuk ekziston “Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë”. Çdo synim për status përtej Planit të Ahtisaarit, që tashmë veçse është mishëruar në Kushtetutë dhe në ligje të Kosovës, është sherr për juridiksionin e Republikës së Kosovës.

Prandaj, vallja pirrike e disa zyrtarëve të pazgjedhur të BE-së dhe daullet e tyre në rajon janë teatër në prag të marrëveshjes, në mënyrë që të nxirret një “diçka” tashmë e bërë filozofi beteje në politikën  e Serbisë. Ajo “diçka” nuk duhet të jetë marrëveshja për “statuse speciale” për Asociacion e trashëgimi kulturore. Jo “diçka”, por “gjithçka” ekziston në kompromisin që është bërë në Planin e Ahtisaarit të përpiluar nga BE-ja dhe të tjerët dhe marrëveshja duhet të dalë nga përfillja e tij. Krejt çka mund të kërkohet nga Kosova është zbatimi i ligjeve ekzistuese.  “Marrëveshja historike”, “kreativiteti” dhe “diçkafi” janë arritur në Planin e Ahtisaarit, detyrimet e të cilit janë mishëruar në Kushtetutë e në ligje. Asgjë nuk duhet të pranohet jashtë tij as për Asociacionin, as për trashëgiminë kulturore.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK