Zërat

Ne dhe New Yorku

Zërat August 31, 2018 - 09:09

Më rastisi një natë të dal me disa shokë tenisi me origjinë nga Galicia, regjion ky tremilionësh në Spanjë. Na ftojnë në qendrën e tyre kulturore “Casa Galicia”. Ishte kënaqësi të shohësh gjenerata të ndryshme si shoqërohen. Kishte program të pasur artistik. Na thanë se qendra mirëmbahet me anëtarësi vjetore dhe se mbështetja fillestare kishte ardhur nga vendi.

Ditë më pas, këtu në NY, mbahet një koncert humanitar kushtuar regjisorit të mirënjohur Bekim Lumi, i cili kishte nevojë për ndihmë mjekësore për shërim jashtë vendit. Ngrihet në këmbë rinia. Një organizim dhe performancë e rrallë.  Qëllimi arrihet, lekët mblidhen, por një shumë relevante jepet për sallën e “Scadninavian House”. Fatkeqësisht, Bekimi nuk ia doli, por kjo sigurisht nuk e zbeh entuziazmin dhe vullnetin e rinisë sonë të mrekullueshme për të ndihmuar.

Kishte një lëshim në këtë eveniment. U harrua një përshëndetje dhe një falënderim për Z. DioGuardi që ndodhej aty. Njeriu i cili i kishte dhënë aq shumë Kosovës. Mbase është harruar, memoria ynë kolektive shpesh di të jetë afatshkurtër. 

Nuk e kuptoja, si është e mundur që gjer tani në Amerikë të mos ketë një qendër kulturore shqiptare dhe një organizim edhe oficiel të mërgatës sonë atje, të tillë çfarë e kishin diasporat e shumë shteteve të botës. Terri i Ballkanit sikur po mbulon edhe Amerikën. Shkonin dhe shkojnë bosh gjithë ato organizime të koncerteve, të ekspozitave e të performancave kulturore të një rinie aq të talentuar. Nuk mundet artisti i madh Fadil Berisha, ky puro patriot, të mbajë mbi supet e tij të gjitha këto organizime.

Dhe se qëmoti ka nevojë për një qendër kulturore, kjo është jashtë çdo dyshimi. Aty ku rinia do të njihej e do të shoqërohej dhe ku do të bëhej një afrim i shqiptarëve nga Kosova e nga Shqipëria! Dhe ku do të thyhej stigma për shqiptarët e Kosovës si “malokë” e ata të Shqipërisë “që bëjnë shoqëri vetëm kur kanë interesin”.

Është koha e fundit që zyrtarët e dy shteteve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, të lëvizin në këtë drejtim dhe të iniciojnë themelimin e qendrës kulturore në NYC, një pikëtakimi e referimi për qindra mijëra shqiptarë në NY. Le ta hapin pak qesen e El Chapo Guzmanit dhe të J.J Velasquezit. Vishen bukur, duken si shtetarë evropianë, natyrisht kur xhirimet janë pa zë! Le të bëjnë diçka për kulturën. Kultura nuk kafshon, përkundrazi ajo ushqen.

Dhe se si më bie ndërmend, sikur ta bënin e të siguronin akomodim për shtetarë që vizitojnë. Në emër të kursimit të buxhetit të shtetit që po zhvatet pa mëshirë, andej e këndej kufirit. Aty ku do të mundë të qëndronin ministra e zëvendësministra që sorollaten e bredhin rrugëve të NYC dhe akomodohen, paramendoni! Në “Ritz Hotel”! Nuk është “Ritz”-i për ne, as ne për të. Tjerë janë ata…

Dhe, në vend të përmbylljes, të gjithë e dimë se Kosova e Shqipëria kanë punë për të bërë. Ka shumë prioritete. Por edhe qendra është një i tillë. Të mos e harrojmë asnjëherë ndihmën e përgjithësuar e të përvitshme të mërgatës në shërbim të Kosovës dhe të Shqipërisë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK