Zërat
Jeton Ismaili
Jeton
Ismaili

Një mijë e një arsye për bashkëngjitjen e Luginës me Kosovën

Zërat August 30, 2018 - 15:18
Lexo detajet

Ishte pranverë e vitit 2001. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë po dorëzonin armët derisa qeveria serbe po miratonte planin e saj për inkuadrimin e shqiptarëve nëpër të gjitha organet shtetërore, duke përfshirë edhe revitalizimin ekonomik të rajonit, ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore, etj.  Dokumenti i Beogradit zyrtar ishte hartuar qartazi, ndërsa realizimi i tij ishte afatizuar për tre vjet. Këto dy elemente do të shpinin në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes në Luginë ku garantues i saj ishte caktuar të jetë KFOR-i, gjegjësisht NATO-ja.

Por se gjërat nuk do të merrnin kahen e dëshirueshme u vërejt që në fillim. Tri ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë, saktësisht në ditën e fundit të demitarilizimit, forcat serbe vrasin Ridvan Qazimin, komandant “Lleshin”, njërin nga udhëheqësit kryesorë të UÇPMB-së, njëkohësisht edhe shefin e Grupit Negociues të palës shqiptare karshi Serbisë.

Pavarësisht kësaj ngjarjeje, e cila trondit shqiptarët jo vetëm në Luginë, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare nis përmirësimi deri diku i infrastrukturës, krijohet një forcë multietnike policore dhe mbahen zgjedhjet e para të lira e demokratike sipas sistemit proporcional, duke e shfuqizuar kështu sistemin e vjetër zgjedhor të shumicës, ku që në start me ndarjen e njësive zgjedhore serbët favorizoheshin tej mase.

Sot pas shtatëmbëdhjetë vjetësh pozita e shqiptarëve jo që është përmirësuar, por ajo është degraduar skajshmërish.

Plani qeveritar serb ka mbetur një letër e kalbur, ndërsa organi i cili do të duhej zbatuar atë, Trupi Koordinues, shpeshherë ishte shndërruar në një oazë të gjeneralëve të policisë dhe të ushtrisë serbe. Si përfundim, shqiptarët nuk fituan gati asgjë, por përkundrazi ata fituan dëshpërimin, lodhjen, humbjen e shpresës etj. Dhe, si pasojë e diskriminimit i cili sa vihej e shtohej, epilogu s’ka se si të ishte ndryshe përveçse katastrofë. Asnjëherë nuk u duk në horizont inkuadrimi, punësimi, mirëqenia….por u “ përfitua “ zbrazja graduale e Luginës. Për këtë flet më së miri zvogëlimi i numrit të nxënësve nëpër shkolla. P.sh. Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërrnoc, ku edhe unë kisha vijuar mësimet, në vitin 2001 kishte mbi 1200 nxënës ndërsa sot numri i tyre nuk kalon 500-ishin.

Sferat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve:

Siguria:

Kthimi i përgjegjësisë së Zonës Tokësore të Sigurisë e më pas edhe asaj ajrore nga mbikëqyrja e KFOR-it te forcat serbe rajonin e Luginës e ka shndërruar në një bazë militare të të gjitha njësiteve ushtarake dhe policore. Këto formacione asnjëherë nuk kanë qenë të mirëpritura te popullata shqiptare, por përkundrazi kanë shtuar dozën e frikës duke sjellë edhe pasiguri shtesë. Edhe sot e kësaj dite, për dallim nga pjesa tjetër e Serbisë, mund të shohësh efektive të xhandarmërisë së maskuar, të kamufluar dhe me armatim të rëndë, të cilët përveç “defilimit” krijojnë postblloqe lëvizëse për ndalim të qytetarëve.

Pavarësisht numrit të madh të njësiteve militare, gjatë kësaj kohe kanë ndodhur me qindra incidente të cilat nuk janë zbuluar asnjëherë, kurse disa të tjera janë realizuar qëllimisht për përfitime politike.

Nga periudha e pasluftës në Kosovë në Luginë janë vrarë dhjetëra civilë shqiptarë, ndërsa autorët as që janë zbuluar ndonjëherë. Rasti më i rëndë mund të konsiderohet vrasja e  fëmijës shqiptar në afërsi të zonës kufitare me Maqedoninë, ndërsa si të dhimbshme janë edhe shumë kidnapime për fatin e të cilave nuk dihet asgjë. Në të njëjtën periudhë kohore është kryer spastrimi etnik ku janë zhvendosur më se dymbëdhjetë mijë persona, kryesisht në Kosovë, ndërsa shteti serb nuk ka bërë asgjë për kthimin e tyre. Janë arrestuar dhe janë keqtrajtuar qindra persona nën pretekste të ndryshme, kurse të paktën tri herë kanë ndodhur arrestime “spektakulare” për përfitime politike dhe për tërheqje të vëmendjes nga problemet reale në Serbi. Ndër më të rëndat janë arrestimet e të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit” dhe “Grupi i Bujanocit”, ku pavarësisht amnistisë së fituar target kryesorë ishin ish-ushtarët e UÇPMB-së. Madje rasti i dytë kishte ndodhur gjatë heshtjes zgjedhore në Serbi dhe siç u kuptua më vonë ishte realizuar nën udhëheqjen e Ivica Daçiqit me qëllim të pritimeve në zgjedhje të partisë së tij SPS.

Pas torturave të përjetuara  dhe pas shumë vitesh, muajsh të kaluar në burgjet serbe, me realizimin e interesave politike të gjithë të arrestuarit ishin shpallur të pafajshëm.

Në ndërkohë janë kryer edhe shumë procese të montuara politike, me qëllim të vetmin shtimin e pasigurisë te qytetarët. Si rezultat i këtyre metodave të përdora, pjesa dërrmuese e ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së ka qenë e detyruar ta braktisë Luginën.

Policia lokale e krijuar gjatë vitit 2001 ka pësuar ndryshime të mëdha etnike. Numri i policëve shqiptarë është zvogëluar për rreth 20 për qind, ndërsa i njëjti është mbuluar me serbë të ardhur nga zona të ndryshme të Serbisë. Strukturat komanduese drejtohen nga serbët, p.sh. edhe pse shumicë dërrmuese në komunë të Bujanocit janë shqiptarët stacioni policor drejtohet kryekëput nga kuadro serbë, ndërsa për krijimin e policisë rajonale as që mundet të flitet.

Gjyqësori:

Preshevës ka kohë që i është hequr Gjykata Themelore, Bujanocit ajo i është rikthyer, ndërsa pavarësisht strukturës nacionale të popullsisë janë serbët ata që mbizotërojnë, duke përfshirë edhe kryetarin e saj. Në Medvegjë gjendja është alarmante, ndërsa shkalla e dytë e gjykatës është e vendosur në Vranjë dhe në Leskovc pa asnjë kuadër shqiptar. Ngjashëm është edhe Prokurorinë, kurse gjykata më e afërt ekonomike ka selinë në Leskovc, 90 km larg Bujanocit e 110 km larg Preshevës. Gjykata më e afërt e Apelit është e sistemuar në Nish rreth 150 km nga vendbanimet më të populluara me shqiptarë në Luginë.

Arsimi:

Pavarësisht marrëveshjes së arritur në Bruksel, Serbia akoma nuk i njeh diplomat e Kosovës dhe kjo bën që të rinjtë Luginën ta konsiderojnë të paperspektivë, duke mbetur si mundësi e vetme zhvillimi profesional në Kosovë, në Shqipëri ose në diasporë.

Edhe pse kemi hyrë thellë në shekullin 21, nxënësit e Luginës akoma mundojnë të përfitojnë dije me metodat e gjysmës së shekullit të kaluar, me mbajtjen e shënimeve. Kjo ngase shteti serb akoma nuk ua ka zgjidhur çështjen e përdorimit të teksteve dhe të mjeteve mësimore.

Për inovacione as që mund të flitet në Luginë për shkakun se ky shtet bën diskriminim të qartë me pjesët tjera që janë po ashtu nën administrimin e tij.

Shëndetësia:

Serbia kurrë se ka parë të udhës hapjen e spitalit rajonal në Luginë edhe pse ekzistojnë të gjitha parametrat ligjore se kjo i takon regjionit. Kështu, pacientët shqiptarë shërbimet spitalore duhen kërkuar në spitalin rajonal të Vranjës ku nuk ka të punësuar asnjë bashkëkombës të tyre.

Në sferën e shëndetësisë primare shumë mjekë sillen nga qendrat tjera të Serbisë, duke ua nxënë vendin shqiptarëve të cilët si pasojë e mospranimit të diplomave mbesin të papunë.

Ekonomia:

Të gjitha investimet përfundojnë në Vranjë, qytetin e fundit në jug të banuar etnikisht me serbë. Heshtazi, është politikë shtetërore që rajoni i Luginës të konsiderohet si  pasigurt, kështu që investitorët që në start dekurajohen për të krijuar reparte punuese në këtë rajon. Madje shteti inkurajoi edhe serbët lokalë për të penguar blerjen e pronave shtetërore. Rasti i Banjës së Bujanocit ishte më flagranti kur një qytetar nga Turqia me prejardhje nga komuna e Bujanocit deshi të blejë atë. Serbët lokalë e kundërshtuan ashpër këtë hap gjë që solli te tërheqja e investitorit për shkak të elementit të pasigurisë. Edhe transformimi i shumicës së pronave shoqërore në Luginë ka stagnuar ngase që në start shteti vë kushte qëllimisht të papërballueshme për blerësit potencialë shqiptarë.

Ka raste kur shteti ka shkuar edhe më larg se aq. Në vitin 2004 një bashkëpunëtor imi bleu një fabrikë të industrisë së materialit ndërtimor në qytetin e Vlladiqin Hanit i banuar nga serbët. Edhe pse i kaloi të gjitha procedurat e ankandit publik, të nesërmen desh u linçua nga serbët e motivuar nga politika. Si pasojë e presionit ishte vetë Ministria e Financave që pas disa ditësh ia anuloi blerjen.

Pas katërmbëdhjetë vjetësh ai fitoi të gjitha lëndët në gjykatat serbe, madje edhe në ato ndërkombëtare, por shteti serb asnjëherë nuk i përfilli këto vendime, duke ua mohuar qoftë kthimin e fabrikës, qoftë dëmshpërblimin.

Për dallim nga pjesët tjera të Serbisë ndërmarrësit në Luginë ose bujqit gati fare se nuk subvencionohen nga shteti. Edhe pak nga mjetet që i ndante trupi koordinues, së fundmi edhe ato u bllokuan.

Gjitha këto kanë bërë që investitori më i madh të jetë diaspora, e cila tashmë paraqet gati gjysmën e shqiptarëve të Luginës.

Mediet:

Në këtë rast ndoshta më duhet të flas pak edhe në veten e parë.

Shqiptarët nuk kanë të garantuara frekuenca në spektrin  audio-vizual. Për dallim nga Kosova dhe Maqedonia, medieve shqipe u duhen qasur një konkurrence të lirë.

Popullata shqiptare akoma nuk ka asnjë minutë program në gjuhën shqipe në transmetuesin publik - RTS, i cili posedon platformë  dhjetërakanalëshe qoftë të radios, ashtu edhe të televizionit.

Edhe mjetet financiare të cilat ndahen nga Ministria e Kulturës dhe e Medieve në Serbi shpesh diskriminojnë shqiptarët. Atyre u ndahet mjete simbolike, kurse në emër të informimit shqip përfitojnë mediet qendrore të Beogradit.

Media në gjuhën shqipe përballet me presione të ndryshme të karakterit ekonomik, por edhe penal.

Personalisht, por edhe kompania mediale që i përkas, ka qenë objekt i dënimeve drakoniane nga ana e gjykatave ekonomike me pretekst të të drejtave autoriale të muzikës. Paramendoni, një medium i cili emeton program në gjuhën shqipe është dashur të paguajë të holla për veprat e kompozitorëve dhe të interpretuesve serbë.

Të mos flasim për kontrollet e porositura të inspektorëve financiarë, të cilat shpeshherë janë përcjellë edhe me përforcime policore. Ka pasur raste edhe kur disa kolegë janë gjykuar vetëm për shkak të transmetime të lajmeve, me një fjalë të deklaratave të bashkëbiseduesve.

Kultura:

Sikurse në medie, edhe në kulturë Serbia shumë pak ndan mjete. Kështu që artistët e Luginës janë lënë në mëshirën e fatit, kurse ka ndodhur shumë herë që artistët kosovarë të cilët është dashur të performojnë në Luginë të mos lejohen të hyjnë në serbi.

Përdorimi i gjuhës dhe i shkrimit, i  simboleve kombëtare, si dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike:

Ligji serb nuk e lejon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar duke e cilësuar atë si një simbol të një shteti tjetër, në këtë rast  të Shqipërisë. Efektet e këtij ligji i kanë ndier disa të rinj shqiptarë të cilët janë gjykuar për shkak të vendosjes së tij në godinat e komunave në Bujanocit dhe të Preshevës me rastet e shënimit të “28 Nëntorit”.

Shumica e dokumenteve akoma figurojnë vetëm në gjuhën serbe, si ato civile, ashtu edhe ato komerciale, si faturat e rrymës, të telefonisë etj.

Kohëve të fundit Ministria Serbe e Infrastrukturës përmes kompanisë së rrugëve “Putevi Srbija” të gjitha emërtimet e vendbanimeve shqiptare përgjatë rrugës Bujanoc - Preshevë i kishte vënën në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik.

Komuna e Bujanocit kishte marrë vendim  për emërtimin e sheshit të qytetit nga “Karagjorgje Petroviq” në “Skënderbeu”, por ministria përkatëse serbe asnjëherë s’e kishte përfillur një vendim të tillë.

Shteti serb nuk ka përfillur as vlerat kombëtare, siç ishte rasti i heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, si dhe ka paralajmëruar se lapidaret ose pllakat përkujtimore të këtij karakteri do të hiqen nga të gjitha vendbanimet e Luginës.

Inkuadrimi në organet shtetërore:

Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë më shumë me përjashtim.

Serbia ka me qindra inspektorate ose agjenci shtetërore të cilat shtrihen në nivelet rajonale dhe lokale dhe këtu numri i shqiptareve është më se i papërfillshëm.

Postet më të larta që shqiptarët kanë mbajtur në nivelin qendror kanë qenë praktikantë në ndonjërën nga ministritë.

Sporti:

Në vend se të afirmojë vlerat e saj multietnike, të cilat zakonisht pasqyrohen përmes sportit i cili konsiderohet edhe si urë lidhëse midis popujsh, Serbia është treguar shumë armiqësore.

Shumëkush ka qenë dëshmitarë i evenimenteve sportive kur janë ndeshur skuadrat shqiptare me ato serbe, kryesisht në futboll. Ekipet shqiptare jo që janë dëmtuar nga organizatorët e garave përmes arbitrave për të arritur në shkallë më të lartë, por sportistët dhe kombi ynë është fyer në mënyra më të ndryshme nga tifozëria serbe. Në shumë raste fyerjet mbi baza nacionale kanë kaluar kufijtë, duke u lënë vend edhe fyerjeve në baza fetare.

Duke i pasur parasysh të gjitha faktet e mësipërme mund të vijmë në përfundim se jeta e qytetarëve të Luginës nën administrimin serb gati se është e papërballueshme. Me një fjalë, shteti nuk na përfill, ndërsa shumica e serbëve nuk na duan. Kjo ndjenjë është më e theksuar te serbët nga qyteti i Nishit e më në jug, kur armiqësia ndaj shqiptarëve është më e madhe. Pikërisht në këtë zonë shtrihen edhe kuadrot e fuqishme të kohës së regjimit të Millosheviqit, të cilët kontrollojnë çdo gjë. Këto fryma asnjëherë nuk mund të pajtohen me faktin se shqiptarët duhet të jenë të barabartë krahas tyre, kështu që shqiptarët definitivisht nuk mund të kenë perspektivë nën ombrellën e shtetit serb.

Andaj, ideja e presidentit Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës, nëse  është e sinqertë, vërtet duhet përkrahur me çdo kusht. Tekefundit ky është vullnet i luginasve i shprehur me referendumin e vitit 1992, është aspiratë e shumë dëshmorëve, është aspiratë e stërgjyshërve tanë që duhet realizuar.

Çfarë fiton Lugina në rast se i bashkëngjitet Kosovës?

Me një fjalë i fiton të gjitha ato gjëra që i kishte të mohuara deri më tash. Fillimisht, secili shqiptar do ta ndiente dorën e shtetit të vet dhe sigurinë që ua ofron ai, pa marrë parasysh se çfarë të metash ka.

Nuk do ta ketë ndjenjën e frikës së lëvizjes së lirë pasi ka të bëjë me mbisundimin e forcave militare të kombit të vet, qofshin ato policore ose ushtarake.

Secili shqiptar do ta shijonte kënaqësinë e uniformës së shtetit të vet. Çdokush që ka ambicie, me dinjitet të plotë do të mundë të bëhet pjesëtar i shërbimit sekret, të gradohet në polici e në ushtri. Do të mundë të bëhet pilot dhe të fluturojë mbi qiellin e atdheut të vet deri ku ai të shtrihet. Do të japë maksimumin në ruajtjen e kufirit shtetëror etj.

Edhe investimet qofshin private ose afariste do të realizoheshin me shumë siguri, kurse përfaqësimi në sport dhe në kulturë do të jetë krenari për të gjithë. Kryeqendra e shtetit do të jetë 80 km e jo 400 km.

Të gjitha këto sjellin gjallëri në Luginë dhe përfundimisht eliminojnë frikën të shoqëruar me mantrën e saj se “nuk i dihet se çfarë po na përgatit serbi”.

Në vazhdim po sjellim shkoqitazi edhe refalekset ekonomike që mund t’i sjellë bashkëngjitja e Kosovës me Luginën.

Po fillojmë me sektorin publik, sidomos nëse Lugina bëhet regjion në Kosovë.

Hapja e qendrës rajonale spitalore, që nënkupton punësimin e rreth 150 mjekëve dhe infermierëve.

Krijimi i policisë rajonale dhe kur kihet parasysh se Lugina do të jetë si zonë kufitare si me Serbinë, ashtu edhe me Maqedoninë, aftësimi dhe punësimi i rreth 300 policëve të rinj.

Gjykatat themelore në Bujanoc dhe në Preshevë, një gjykatë e lartë, degët e gjykatës së apelit dhe ato ekonomike do të nënkuptonin minimum rreth 200 kuadro.

Përfshirja në FSK ose në ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Edhe këtu duke e  pasur parasysh elementin e zonës kufitare do të paraqiste inkuadrimin e rreth 400 kuadrove të reja. Po shtrirja e agjencive dhe inspektorateve nga niveli qendror në atë rajonal, edhe ajo  do të inkuadronte rreth 100 kuadro profilesh të ndryshme, ndërsa i kuptueshëm do të jetë edhe përfaqësimi në bordet e resurseve shoqërore. Hapja e ndonjë dege universitare po ashtu do të sillte punësim për stafin akademik. Edhe përfaqësimi politik do të rritet dukshëm, qoftë në nivel deputetësh, ministrash, këshilltarësh etj.

Gjithashtu edhe elementi afarist do të shënonte një bum të vërtetë. Shtrirja rajonale dhe lokale e postës dhe e telekomit, e zinxhirëve ekonomik si “Viva”, “HIB Petrol”, “Elcos” e shumë e shumë të tjerë pa dyshim se do të krijonin qindra vende të reja pune.

Si finalizim, lirisht mund të konstatohet se Lugina në Kosovë mund të pasurohet me 2000 vende të reja pune e që si rrjedhojë me automatizëm krijojnë edhe 2000 vende tjera.

Ndokujt kjo mund t’i duket si shaka me matematikë, por “çmimi” i bashkëngjitjes i posedon këto veti.

Secili do ta gjejë veten diku e do t’i pëlqente diçka. P.sh. mua do të më mjaftonte shikimi i ndeshjes së futbollit në superligë midis një ekipi të Luginës me ndonjë ekip të pjesës tjetër të Kosovës. Që tani po e paramendoj atmosferën me 5000 shikues. Një shok imi më tha se do të dëshironte që djali i tij të bëhet gjeneral në ushtrinë e Kosovës, kurse tjetri vajzën e cila është kah fundi i studimeve me dëshirë do të shihte si ambasadore në ndonjë vend të botës

(Autori është gazetar nga Lugina e Preshevës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK