Zërat

80 vota duhen edhe për shkarkimin e tij

Zërat August 28, 2018 - 18:29

Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, ndoshta edhe opozitarët Albin Kurti, Isa Mustafa e Shpend Ahmeti, duhet ta kenë marrë vesh se kah çon “ideja” e Hashim Thaçit për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Liderë kryesorë të Kosovës, institucionalë dhe partiakë, duhet ta kenë parë me sytë e tyre hartën e re të vizatuar nga presidenti, si një prej opsioneve të tij për arritjen e marrëveshjes në negociata. Duhet ta dinë saktësisht se deri ku hyn Serbia në Kosovë dhe ku ndalet Kosova në Serbi. Institucionet e Republikës, po ashtu duhet të kenë marrë mbështetjen zyrtare prej aleatëve, sidomos nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Mbretëria e Bashkuar se Kosova nuk do të bëhet “Palestinë” edhe nëse do të negociohet për korrigjim të kufirit përpara demarkimit të tij dhe njohjes reciproke midis dy shteteve.

Thaçi si president i Republikës ka mandat të zhvillojë bisedime edhe me Serbinë, por nuk ka mandat të bëjë marrëveshje të fshehtë për shkëmbimin e territoreve me asnjë shtet fqinj. Duhet të përcillet hap pas hapi, sepse ka dëshmuar se di të prijë edhe mbrapsht, ta fusë Kosovën në rrugë pa krye, të humbë miq dhe të bëjë veprime që e kanë mbajtur vendin peng me vjet të tëra.

Liderët e lartpërmendur, Kadri Veseli, Albin Kurti, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Shpend Ahmeti e Behgjet Pacolli nuk mjafton të shprehen kundër ndryshimit të kufijve nëse nuk i kanë këto informata. Nuk besoj se janë aq naivë sa të besojnë që Thaçi është “superman”. 80 vota duhen edhe për shkarkimin e tij.

Nuk mund të ketë shkëmbim të territoreve me Serbinë duke qenë jotransparentë, i nxitur nga interesa të ngushta brenda e jashtë Kosovës, të tij, të ndonjë miku ose zyrtari të huaj (sharlatan) qoftë edhe amerikan, qoftë edhe presidenti Donald Trump. Për këtë temë, për shkëmbim të territoreve, për te cilën në parim nuk jam kundër (mirëpo vetëm pas njohjes reciproke), presidenti Thaçi duhet të ketë mbështetjen e 2/3-s së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të familjes Clinton dhe Bush dhe të paktën të 20-30 kongresistëve amerikanë (republikanë e demokratë).

Përpjekja për të ngrënë me dy lugë, edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen, është e gabuar dhe për këtë e kemi shembull Greqinë deri më tash dhe aktualisht Turqinë e Recep Tayyip Erdoganit, me të cilin disa prej emrave të lartpërmendur, duke përfshirë edhe presidentin, kanë ndërtuar lidhje të forta (dhe të dyshimta).
Kosova është e njohur prej 116 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë vendet më demokratike dhe më të zhvilluara të botës. I takon oksidentit. Nuk guxon që për fajin e këtij ose të atij lideri, për interesa ose për paditurinë e tyre të futet në një aventurë që e lë edhe 20 vjet tjera në tranzicion, e tërhequr si çorape prej orientit - e zvogëluar, e zhvlerësuar, e shqyer dhe e padobishme.

(Autori është gazetar/opinionist)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK