Zërat
Rexhep Hoti
Rexhep
Hoti

Strategjia, Hashimi dhe Aleksandri?!

Zërat August 20, 2018 - 14:44

1. Kemi ndërmarrë hapa me Rusinë për këtë blerje.

Marrëveshjet janë nënshkruar.

Me vullnetin e Perëndisë do të shohim ardhjen e sistemit raketor ‘S-400’ në vendin tonë dhe do të vazhdojmë pastaj me prodhimin e përbashkët», ishte kjo deklarata e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, e cila realisht e ndryshoi epokën e NATO-s pas kremtimit të fundit të 50-vjetorit, kur Lufta e Kosovës më 1999-ën e kishte parapërcaktuar kuptimin e perspektivës së saj për të ardhmen. Për më tepër, mbi marrëdhënie të tilla qëndronte prej kohësh qëndrimi i pakënaqësisë së presidentit Trump në lidhje me aleancën ushtarake. SHBA-ja edhe në përgjigje ndaj detyrimeve dhe përgjegjësisë së aleancës ushtarake në reagime kolektive a individuale ka dominuar dukshëm më shumë sesa partnerët e tjerë. Për të mos thënë, që prej fillimit të Luftës së Gjirit më 1990-ën e gjer më sot SHBA-ja e ka vulosur fillimisht e vetme e më pas edhe nën bashkëngjitjen e kohëpaskohshme të Britanisë së Madhe dhe më pak e më rrallë të partnerëve të tjerë karakterin e sigurisë në nivelin ndërkombëtar.

Pas mosmarrëveshjeve që rrodhën ndërmjet Gjermanisë dhe Turqisë, në verën e vitit 2017, gjermanët morën vendim që t’i tërheqin forcat e veta ushtarake prej bazës Inçirlik, prej nga i kishin mbështetur operacionet ndërkombëtare kundër “Shtetit Islamik” (ISIS).

Flirti dhe rebelimi i Turqisë së presidentit Erdogan me partnerët nga Perëndimi i Afërt e i Largët së fundi u përballë edhe me krizën ekonomike. Lira turke nga fillimi i vitit e gjer më tash ka rënë në 40 për qind. Në këto ditë të nxehta vere mediet raportonin se çmimi i birrës mund të rritet teksa jeni duke e pirë.

Departamenti Amerikan i Tregtisë e përcjell deklaratën e sekretarit Wilbur Ross, ku është ritheksuar se presidenti Trump ka rritur tarifën doganore prej 25 për qind në 50 për qind për çelikun e importuar nga Turqia. «Nuk dëshiroj të komentoj për sanksionet e ardhshme, por mund të them një gjë: Nëse ndodh diçka si formë e ndalimit në operacionet bankare ose në qasjen në ndonjë valutë, është e mundshme që ta konsiderojmë këtë akt si deklarim të luftës ekonomike», ka thënë kryeministri i Rusisë. Medvedev, prej gadishullit Kamchatka, në lindje të Rusisë. Fjala është për sanksionet e reja amerikane që hynë në fuqi më 22 gusht të këtij viti. Ato ndërlidhen me helmimin e ish-agjentit rus në Britaninë e Madhe, Sergei Skripal dhe së bijës Julia në mars të këtij viti dhe kanë për synim sanksionimin e disa bankave me kapital shtetëror rus, vështirësimin e transaksioneve me dollarë. Masat prekin edhe pasuritë e shtetasve ose të kompanive ruse për aktivitete të dyshimta.

2.

Reflektimet e veprimeve të lartcekura mbi ndryshimin e partnerëve strategjikë në kuadër të ndarjeve të deridjeshme, Lindje – Perëndim, me natyrë ekonomike, ushtarake e tregtare, sjellin edhe pasqyrime të reja në kuadër të gjeostrategjisë se deritashme në Ballkan Perëndimor dhe jo vetëm.

U pa gjithashtu si mendimi politik e strategjik mbi normalizimin e mundshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është kryqëzuar nga shumë enigma që dalin nga shpërthimet e përkufizimeve të reja ndërmjet interesave strategjike të Rendit Botëror, e cila ka natyrën e Kaosit të Bardhë.

Bashkimi Evropian ka qëndrim të prerë së bashku me Britaninë e Madhe se nuk ka “lojë me kufij” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e rajonit janë të përmbajtura.

Maqedonia dhe Greqia nuk nguten me deklarime zyrtare, kurse Mali i zi, sikurse edhe SHBA-ja, ka hedhur në treg vetëm mendim analitik që jep mesazhin se lëvizja e kufijve çon në luftë, ndërsa qëndrimi zyrtar amerikan i jep përparësi marrëveshjes së arritur ndërmjet të dyja palëve, por me kufizime të nënkuptuara në këtë rast.

Në anën tjetër, skena politike e vendit fillimisht në mënyrë naive nëpërmjet këshilltarëve të presidentit Thaçi e krijoi kaosin se “ata e dinin marrëveshjen me Beogradin dhe dhimbjen e kompromisit të saj dhe se kur të vinte koha do t’u tregonin të tjerëve” e deri te deklarimi i fundit i një miku të presidentit Thaçi, i cili e bëri të qartë tashmë se korrigjimi i kufijve i deklaruar prej presidentit Thaçi nënkuptuaka edhe marrjen e veriut (jo krejt, thotë ai) të Kosovës prej Serbisë.

Të dyja rastet e cekura shënjojnë tronditje të mëdha në skenën politike të vendit. Ato realisht e mobilizojnë opinion e gjerë publik e veçmas opinionin e skenës politike të vendit që të jetë pa ekuivokë kundër presidentit Thaçi në radhë të parë e më pas edhe kundër propozimeve ose marrëveshjeve që paska arritur ai ose kushdo qoftë, sipas misionarëve që flasin në emër të tij. Në qoftë se kjo ka qenë intenca e mestarëve në fjalë, atëherë misioni i tyre mund të quhet i stërpërmbushur.

3.

Po sikur mestarët e presidentit Thaçi të kenë të drejtë?!

Kjo do të thotë se Kosova në korrigjimin e vet do të marrë diçka te Lugina e Preshevës e do të japë diçka të veriu i saj. Sipas të dhënave në diskrecion nga një shtet thellësisht i shqetësuar i BE-së, Serbia do të marrë afro 10 për qind territor nga Republika e Kosovës e do të ofrojë si kompensim afro 6.5 për qind, që do të thotë se tash për tash Kosova do të humbë 3.5 për qind të territorit. Në përllogaritje të tilla Ujmani do të marrë një status të ngjashëm me Hong Kongun për 100 vjetët e ardhshëm. Përgjatë kësaj kohe Kosova do t’ia paguajë një shumë të caktuar Serbisë për çdo vit. Ndërsa sa i përket korridorit të dhjetë, i cili kalon nëpër tokat shqiptare te Lugina e Preshevës, Serbia këmbëngul të mos e japë atë pjesë, sepse ai është korridori i vetëm i garantimit të rrugës veri-jug për të dalë në Selanik.

Në fillim, prej të njëjtave burime, marrëveshja ka qenë që Serbia të marrë si dhuratë diçka më shumë se 9 për qind të territorit të Kosovës në këmbim të njohjes, karriges në OKB, mospërzierjes së saj në rast të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë etj. etj. Në errësirën e kanaleve pa dritë çështja ka evoluar në hapësirën spekulative. E vërteta është se shtatori po vjen dhe diçka, megjithatë, do të bëhet e ndritshme, qoftë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, qoftë nga ndonjë zyrtar i lartë i shtetit prej SHBA-së, që pritet të vijë në prag të kësaj vjeshte për vizitë në Republikën e Kosovës. Uroj që klasa politike e Kosovës të jetë e përgatitur për këtë vizitë.

4.

Pavarësisht nga e vërteta dhe ana spekulative e shumë ideve dhe nismave të ndryshme mbi përmbylljen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, propozimi i strategjisë serbe në krye me presidentin serb Aleksandër Vuçiq mbi ndarjen etnike synon:

 

Një, zementimin përfundimtar të korridorit shqiptar të Kosovës me Sanxhakun;

Dy, zementimin e Saxhakut me B&H;

Tre, sigurim i bashkimit të natyrshëm i Republikës Serbe në B&H me Serbinë;

Katër, krijim i Federatës së Republikave të Serbisë;

Pesë, garantimin e natyrshëm të pranisë së Rusisë në Ballkanin Perëndimor në kuadër të Serbisë së Madhe ose të Federatës së Republikave të Serbisë;

Gjashtë, garantimin e pranisë së Kinës në Serbi dhe dominimin e tregut prej saj në kuadër të Evropës Juglindore;

Shtatë, garantimin e pranisë arabe dhe investimin e tyre;

Tetë, garantim i lidhjes së fuqishme të Federatës së Republikave të Serbisë nëpërmjet aleancës ruse (historikisht perandoria otomane dhe shteti turk ka humbur nga Rusia dhe nuk alternativë mosekzistimi i kësaj lidhjeje për Turqinë e ndërvarur);

Nëntë, të ndalë përfundimisht shtrirjen e shqiptarëve drejt Vranjes, rrjedhimisht drejt varreve të të parëve të tyre;

Dhjetë, të fitojë mbështetjen e Brukselit, sikurse Millosheviqi pas «Marrëveshjes së Dejtonit»;

Njëmbëdhjetë, të shpëtojë klasën politike të korruptuar të mazhorancës dhe opozitës në Republikën e Kosovë dhe klasës politike të degraduar mbarëshqiptare në Shqipëri e në Maqedoni;

Dymbëdhjetë, të nxitë lindjen e një lufte të mundshme civile brendashqiptare (pasojat e mundshme të një bashkimi);

Trembëdhjetë, përfundimisht e ndal avancimin e proceseve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor;

Katërmbëdhjetë, që nëpërmjet territoreve të reja Federata e Republikave të Serbisë të rikthejë rolin e policit të Ballkanit Perëndimor;

Pesëmbëdhjetë, që nëpërmjet tregtisë kineze, lidhjes sllave dhe islame, ta kthejë fuqishëm Azinë në Ballkanin Perëndimor dhe dominimin e saj prej tyre;

Gjashtëmbëdhjetë, që Britania e Madhe do të mbetet për nostalgji mbreti i deteve të Ballkanit Perëndimor, kurse Gjermania do ta humbë rolin e saj në dominimin e tregut «Made in Gjermani» dhe rruga Berlin - Stamboll do të mbetet vetëm një iluzion;

Shtatëmbëdhjetë, që me Ballkanin Perëndimor ta rinisë Luftën e Kaosit të Bardhë, të gjithë kundër të gjithëve;

Tetëmbëdhjetë, që Bashkimi Evropian ta ketë gjatë Krizën e Ukrainës, gjersa ajo të mos ndahet me Rusinë përfundimisht në modelin e Kosovës me Serbinë ose të Serbisë me B&H;

5.

E ardhmja ka shumë të panjohura. Këto bëhen dyfish, shumëfish më të rrezikshme kur kemi parasysh edhe edukatën e klasës politike në Kosovë, si dhe të asaj mbarëshqiptare. Korruptimi dhe kriminalizimi i saj nuk janë pjesët e vetme e të këqija që i ka ajo.

Në konstelacione të tilla shpresë e vetme mbetet mbështetja e fuqishme e SHBA-së.

Vetëm ajo mund ta drejtojë qartë interesin e shqiptarëve në këtë kohë të politikës bastarde shqiptare.

Prandaj, mund të thuhet se tash nuk mund të flitet për korrigjim kufijsh,

E para, pa hyrë në lojë edhe Sanxhaku dhe

E dyta, pa qenë brenda saj SHBA-ja.

Në të kundërtën, Kosova nuk ka asnjë interes që t’ia rregullojë punët Serbisë e t’ia ngatërrojë punët vetvetes. Kështu si është çështja koha punon edhe ashtu për shqiptarët.

Prandaj paqja me Republikën e Serbisë s’ka asnjë vlerë për shqiptarët.

E paqja e Serbisë nuk është mbizotëruese për ta përcaktuar stabilitetin e Republikës së Kosovës.

Republika e Serbisë ishte në pjesën veriore kur u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës më 17 Shkurt 2008.

Përse ajo kërkoi të tërhiqej nëpërmjet gjermanëve?

Përse ajo i lejoi “disa xhipa turistësh” të ngarkuar me policë të marshonin drejt dy pikave kufitare në pjesët ku ajo i kontrollonte dhe i kontrollon realisht?!

Përse ajo e lejoi edhe tërheqjen zvarrë të një zyrtari nga veriu në Prishtinë?!

Ajo e dinte se dikush në Republikën e Kosovës kishte nevojë për teatër dhe krekosje politike. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq është duke ia plotësuar këtë dëshirë Prishtinës?!

Nëpërmjet kreut 35 për negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian Serbia duhet ta përmbyllë normalizimin me Kosovën.

Tashmë ajo është e gatshme.

I ka bërë gati njerëzit, hartat dhe strategjitë.

Në këto relacione Hashim Thaçi duhet ta fitojë «normalizimin» me Alesandër Vuçiqin në qoftë se dëshiron të mbajë Flamurin e Lirisë te të mëdhenjtë e Kombit, të marrë toka në Sanxhak dhe ta marrë Luginën!?

Në të kundërtën, nuk ia vlen të flitet jashtë protokollit ekzistues të normalizimit brenda kufijve aktualë!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK