Zërat
Urtak Hamiti
Urtak
Hamiti

Dikush duhet ta thotë

Zërat August 20, 2018 - 12:44

Nuk do të ketë as ndarje, as ndryshime të kufirit, as Ulster serb në Kosovë

Çfarë kanë të përbashkët Belfast, Derry, Omagh, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku, Dublini, Londra, Tirana, Prishtina, Beogradi, Ulsteri, Kosova Veriore, Marrëveshja Anglo-Irlandeze 1921 e Marrëveshja e Brukselit 2013? Shumëçka.

Në vitin 1916 në Dublin, Irlandë, në rrugën “O’Connell, Patrik  Pirs”, njëri nga udhëheqësit e kryengritjes së armatosur kundër Britanisë së Madhe lexoi publikisht “Proklamatën e Republikës”, duke shpallur qëndrimin e popullit të Irlandës për pavarësi nga Britania e Madhe.  Konflikti i armatosur që pasoi në mes të Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA) dhe Forcave të Sigurisë së Britanisë së Madhe përfundoi me “Marrëveshjen e Paqes” 1921 të negociuar nga të deleguarit e udhëheqësit kryesor Edmond De Valera, Majkëll Kollins dhe Artur Grifit. Sipas konditave të Marrëveshjes 1921 Irlanda mori të drejtën e krijimit të shtetit të lirë, ndërsa provincat veriore me shumicë protestante, Ulsteri ose Irlanda Veriore, mori të drejtën e bashkimit me Britaninë e Madhe.                                                                                                   

Kollins këtë marrëveshje në kuvendin e Irlandës, në Dublin, e paraqiti si “të vetmen mundësi të lirë për të arritur lirinë” dhe e bindi kuvendin për këtë zgjidhje. Në vitin 1922 në luftën civile në mes të kundërshtarëve të Marrëveshjes dhe përkrahësve të saj Majkëll Kollins vritet.                     

Në vitet e mëvonshme fushata e dhunës e IRA-s do të sjellë Britaninë e Madhe përsëri në bisedime për Irlandën Veriore për të arritur  “Marrëveshjen e së Premtes së mirë” 1998, ku njëra nga pikat thekson se “në atë moment kur shumica e popullit të Irlandës Veriore dëshiron t’i  bashkohet Republikës së Irlandës, atëherë qeveritë irlandeze dhe britanike janë të obliguara ta respektojnë këtë vullnet”. Sipas regjistrimit të vitit 2011, dallimi në mes të protestantëve dhe katolikëve është vetëm 3% (48-45), ku të parët kanë rënie të madhe e të dytët ngritje në raport me vitin 2001.                                                                                                                                  

 Pra, nëse nisemi nga premisa se katolikët e duan Irlandën e Bashkuar, atëherë atë mund ta arrijnë në mënyrë demokratike në një të ardhme, për më pak se dhjetë vjet. Përfaqësues i palës irlandeze në këto bisedime ishte Xheri Adams, që udhëhoqi partinë Sinn Fein për 35 vjet deri në largimin e vullnetshëm nga kreu i saj në muajin shkurt të këtij viti.                                                                     

Për një kohë të gjatë presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë po negociojnë për arritjen e një marrëveshjeje “ligjërisht të obligueshme”, që do të normalizonte raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndihmën dhe nën patronatin e Bashkimit Evropian, si dhe përkrahjen (përzierjen) krejtësisht të panevojshme dhe të dëmshme të Tiranës zyrtare.

Përderisa serbët e Beogradit i janë përmbajtur qëndrimit të tyre se “nuk mundet Prishtina të fitojë gjithçka e ne asgjë dhe se nuk do ta pranojmë kurrë shtetin e Kosovës”, pala shqiptare është lëkundur nga “nuk ka vija të kuqe, ka vija të kuqe, do të bisedojmë për të gjitha temat edhe për korrigjimin/ndryshimin e mundshëm të kufirit me Serbinë”. Pala shqiptare nuk ka kërkuar llogari pse nuk janë zbatuar marrëveshjet e mëhershme me serbët e Beogradit (shënimet kadastrale, njohja e dokumenteve, njohja e diplomave), por ka nisur një proces të ri, ku do të definohen të gjitha çështjet. Për më shumë, pala shqiptare çdo ditë i jep nxitim këtij procesi si të domosdoshëm, sepse “vështirë që do të ketë klimë më të mirë” për të nënshkruar marrëveshje me Beogradin. Pala shqiptare në këtë proces ka hyrë pa konsensus nacional shqiptar, bile me kundërshtime të mëdha të brendshme.                                                                                         

 Pala serbe në anën tjetër vazhdon me politikën e dyfishtë të luftimit të shtetësisë së Kosovës me të gjitha mjetet, ndërkohë që procesi i negociatave të vazhdojë gati si normalisht. Në Kosovë në terren është vepruar në atë mënyrë që të gjitha institucionet relevante, edhe spitalin që ishte në Graçanicë, t’i zhvendosin në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që strategjikisht të jenë më të grupuara në terren për ta më të sigurt. Edhe pala serbe e pranon ndryshimin e kufirit me Kosovën në parimin e ndarjes së pjesës së Kosovës ose krijimit të njësisë autonome brenda Kosovës, Ulsterit serb në Kosovë.                                                                                                                  

Si të parët, ashtu edhe të dytët nuk e kanë seriozisht dhe të gjitha fjalët për ridizajnim të kufirit ose ndarjes, ose gjetjes së zgjidhjeve “kreative dhe inovative” janë vetëm propagandë dhe blerje e kohës, duke mbajtur opinionin në tension dhe karrierat e tyre politike ende në jetë.    

Përfaqësuesit shqiptarë në bisedime në Bruksel e dinë që asnjë marrëveshje që nuk është në përputhshmëri me vullnetin e shumicës shqiptare, qoftë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, qoftë edhe jashtë tij, nuk do ta kishte as peshën e letrës në të cilën është nënshkruar. Edhe po të pranonin Asociacionin e Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive (që i  bie autonomi politike) do të duhej të ndërrohet Kushtetuta e Kosovës dhe një grumbull ligjesh për t’iu përshtatur atij vendimi. Me këtë përbërje të Kuvendit të Kosovës ajo është afër së pamundshmes. Serbët e Beogradit dhe fallangistët e tyre në Kosovë e dinë mirë pse nuk duan (lexo nuk guxojnë) ta ndryshojnë kufirin e Kosovës. Sepse do të humbnin ndikimin që e kanë, tani për tani, në institucionet qeverisëse të Kosovës, do të pranonin automatikisht shtetin e Kosovës, do të nxitnin shpërnguljen e serbëve të Kosovës nga pjesa jugore (ku janë në numër më shumë se në atë veriore), si dhe do të rrezikonin edhe fizikisht të gjitha monumentet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe trashëgiminë e tyre nga çerdhet e fëmijëve e deri te varrezat e paraardhësve.            

Kundër ndryshimit të kufirit është shprehur decidivisht kancelarja gjermane Angela Merkel, që është deklaruar fuqishëm kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Foreign Office-i (Ministria e Jashtme) i Britanisë së Madhe ka theksuar qartë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë mbi bazën e “njohjes së shteteve të pavarura e sovrane brenda kufijve aktualë”.

Ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Kosovë, Filip Kosnet, në seancën dëgjimore para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit është shprehur se “është me rëndësi që të dyja vendet të diskutojnë ide të reja, por kjo nuk është leje për ndërrim territoresh dhe formulimi i zgjidhjeve kreative nuk nënkupton shkëmbim territoresh”. Këtë qëndrim zyrtar SHBA-ja do të duhej ta artikulonte më zëshëm për të mënjanuar dilemat e mundshme. Pra, kështu janë shprehur këto ditë Gjermania dhe Britania e Madhe, që në krye me SHBA-në janë mbrojtësit dhe përkrahësit e shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve të Kosovës. Kështu që kur ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar (Britanisë së Madhe) Ruairi O’Connell thekson publikisht se “kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba” ai vetëdijshëm ose pavetëdijshëm flet për përvojën e vendit të tij. Diçka që shkruhet, nënshkruhet pa u menduar si duhet, pastaj mund të korrigjohet vetëm me dhunë dhe me pasoja.

Të gjithë ata që pretendojnë të nënshkruajnë dhe të votojnë marrëveshje që ndryshojnë kufijtë e Kosovës me Serbinë ose krijimin e Ulsterit serb në Kosovë e kanë në dorë edhe vendimin se a do të gëzojnë fatin e Xheri Adamsit ose atë të Majkëll Kollinsit.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK