Zërat
Ragmi Mustafa
Ragmi
Mustafa

Pa skenar

Zërat August 16, 2018 - 14:46

Shtatori po ofron me shpejtësi kur edhe fillon raundi I fundit I dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Tashmë kanë filluar edhe në media të dalin plane kalkulimi dhe studime të hollësishme mbi rezultatet e mundshme të dialogut. Ishte ai dje që është paraqitur në "Zëri" nga gjashtë ekspertë të Fondacionit për Shoqëri të Hapur që ka ngritur shqetësimet e reja tek shqiptarët e Luginës së Preshevës. Me ç`rast nuk përfshin tërësinë territoriale të Komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në një skenar “shkëmbimi territoresh”.

Një skenar i tillë është i papranueshëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës sepse do të shkaktonte një tragjedi të re njerëzore me efekte historike. Ndaj projekteve të tilla duhet të reagohet e kundërshtohet që në fillim dhe me ngulm, si të tillë duhet të refuzohet nga se janë të rrezikshëm. Efektet e tyre do të ishin të përnjëhershëm. Spastrimin etnik të shqiptarëve nga komuna e Bujanocit dhe Medvegjës.

Ashtu sikur edhe në të kaluarën Serbia ka kapacitet për të projektuar “plane dhe skenarë” të ndryshëm që shqyrtojnë të gjitha rezultatet e mundshme nga dialogu i Brukselit qoftë me ekspertë vendorë, qoftë me ekspertë ndërkombëtarë. Kanë paralajmëruar edhe partitë opozitare në Serbi se do të dalin me platforma mbi dialogun nën një debat që po fuqizon pozitën e Presidentit serbë Vuçiq brenda Serbisë. Për deri sa në Kosovë është duke u bërë një debat i ashpër mbi legjitimitetin e Presidentit Thaçi si negociator.

Është për tu habitur se si në Kosovë nuk ka dal askush me asnjë dokument i cili shqyrton variantet e rezultateve të dialogut e për më keq as edhe një parti nuk ka prezantuar një platformë të caktuar e cila do të shqyrtonte edhe kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të iu bashkuar Kosovës.

Kërkesa dhe çështja e shqiptarëve të Luginë së Preshevës do të shtrohet në tavolinën e Brukselit, por çka pas? Një është e sigurt se çfarëdo zgjidhje që çon në tragjedi njerëzore duhet mënjanuar. Tërësia territoriale komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është unike dhe si e tillë duhet trajtuar. (Autori është zyrtar i lartë në Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK