Zërat
Rexhep Hoti
Rexhep
Hoti

Guri që peshon në kufirin e Kosovës

Zërat August 13, 2018 - 14:52

Opinioni publik është porta e madhe që mbledh mendimet e njerëzve për t’u siguruar të gjithëve hapësirë të mëvetësishme. Në varësi të fuqisë së mendimit të shprehur me fjalë, në varësi të faktorëve dhe të mekanizmave të tjerë përcjellës, disa syresh mund të jenë më shumë mbizotëruese e disa të mbesin më të hajthme. Shumica prej tyre nuk janë në gjendje të lënë as gjurmë ku plasohen, ndaj edhe asgjësohen në mënyrë të vetvetishme. Mekanizmi i asgjësimit është i rregulluar që në përballje me konkurrimin e pashkruar, por jorrallë dukuri të tilla lënë pasoja, të cilat kullojnë si plagët që nuk kanë një përkujdesjeje të duhur mjekësore.

Me shpikjen e rrjeteve sociale në internet është përmbyllur epoka e gjeratëhershme e filozofisë së opinionit publik, e cila mund të karakterizohet si epoka klasike e opinionit publik. Pas kësaj periudhe ka ndodhur një kërcim shumë i madh në krahasim me lëvizjen e mëparshme të mendimit. Shpejtësia e informacionit dhe mundësia për të gjithë ka mundësuar edhe popullimin e planetit tonë me aq shumë mendime e me aq shumë lexime të rrufeshme e sipërfaqësore, sa duket sikur intensiteti i tyre do të ndikojë edhe në nxehje globale.

Hapësirat sociale në internet nëpërmjet teknologjisë së informacionit u kanë afruar sot mundësi të pafundme të gjithë njerëzve pa përjashtime e pa dallime dhe komunikimi është bërë kryefjala e jetës sonë.

Në pajtim me natyrën e njeriut epoka e rrjeteve të tilla ka nxjerrë në pah të gjithë energjinë e egove të njerëzve, ambiciet dhe gjykimet e tyre mbi veten, botën e gjithçka tjetër. Pavarësisht se ende nuk ka hulumtime të besueshme e të sakta në lidhje me vijueshmërinë e çështjes në fjalë, qysh tash duket se fuqia e opinionit publik po merr përmasa jo vetëm më të ndërlikuara sesa realisht është menduar nga perspektiva e epokës së saj klasike, por pesha dhe përgjegjësia e veprimit në kuadër të opinionit publik po bëhet fuqi institucionale e pashpallur, që është duke e determinuar edhe sistemin e demokracisë dhe përgjegjësinë e sistemit politik. Me një fjalë, është bërë një parlament ligjvënës e vendimmarrës.

Krijimi i gjithësisë së mendimit në epokën e internetit ngjan me formën komplekse të botës digjitale, me ato korridore e kryqëzime misterioze, të shtresuara e të strukturuara, që krijojnë e rikrijojnë vizualitet të ndritshëm ose të hijezuar me thellësi e kohë të botëve të paqena.

 

2.

 

Në përmasat e hapësirave të tilla mund të paramendohet si e kuptueshme se si rrjedhin lumenjtë e mendimeve prej shqiptarëve mbi përmbylljen e “dialogut” me Serbinë.

Është për t’u besuar se nuk mund të gjendet edhe një shqiptar i vetëm prej hapësirave mbarëkombëtare ose nëpër botë që të mos jetë i pabrengosur me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me fazën e përmbylljes së bisedimeve. Veçmas kjo çështje bëhet shpërthyese kur përmendet toka.

Është e dukshme se toka për shqiptarin vazhdon të mbetet pjesë e trupit, e shpirtit, e shëndetit dhe e qenies së tij. Ajo mund të jetë zemra, gjaku, dhembja, dashuria, ideali. Mund të jetë pa kufi gjithçka. Sado që është përcaktuar deri diku gatishmëria e shqiptarëve se çfarë janë në gjendje që të bëjnë për të, babai i poezisë shqipe, Dritëro Agolli, thoshte nëpërmjet porosisë së popullit: «për gruan dhe tokën lë kokën», është pak e ditur prej nga vjen e gjithë lidhja e fuqishme, e pakushtëzuar e dashurisë për të.

Kjo lidhje e shqiptarëve me tokën duket të jetë përtej botës së këtejme. Ajo mishërohet përtej vdekjes, thërrmohet gjer në pluhurin e gjithëkohshëm, ikën dhe kthehet përsëri, me valë ose me trupa qiellorë, për ta mbajtur gjallë një grusht popull, dikur i derdhur përtej Gadishullit Ilirik.

Të gjithë e kujtojmë kohën kur faktori ndërkombëtar në krye me SHBA-në po merrej me përgatitjet intensive se si të kthehej populli i dëbuar i Kosovës në atdhe?! Shtete të shumta po e planifikonin me muaj të tërë Kthimin e Madh të një populli të tërë.

Në anën tjetër, ende pa u vendosur forcat e aleancës së NATO-s në pozicionet e tyre në Kosovë populli u kthye brenda një jave të vetme, pa asnjë organizim institucional ndërkombëtar a lokal. Në mënyrë të vetvetishme populli shqiptar i bëri vetë rrugët e kthimit për në atdhe; kah qielli, malet, nëpër ujëra, nëpër tokë të minuar. U kthye në atdhe edhe sikur t’i linte rrugës të gjitha gjymtyrët e trupit. Ai e dinte se atdheu i tij kishte mbetur vetëm me varre, me pak luftëtarë, me qenë endacakë që ushqeheshin nga shqiptarët e ekzekutuar. Ky shembull i parë në tragjedinë e shqiptarëve të Kosovës dëshmon praktikisht se lidhja e tyre me tokën është jo vetëm me botën e këndejme, por edhe me botën e andejme.

 

3.

 

Në kohën kur po shikohet mundësia e rregullimit përfundimtar me Serbinë nën togfjalëshin «normalizimi i marrëdhënieve» me Serbinë dy janë pozicionet boshtore që mendoj se duhet të merren në konsideratë në mënyrë që kjo çështje të zërë vend dhe të ketë një fillim të mbarë me mundësi reale të funksionimit, të paktën kur është në pyetje përgjegjësia për pjesën tonë:

E para, duhet të bëhet e qartë se kush do t’u prijë bisedimeve dhe përbërja,

E dyta, platforma,

Është thënë e shkruar shumë se kush duhet të bisedojë e si duhet të bisedojë. Madje në këtë drejtim ekziston edhe një Rezolutë e Kuvendit të Kosovës, e cila e përcakton qartë rolin e kryeministrit në dialog me Serbinë. Mirëpo, duke u shtuar oreksi i politikës tashmë LDK-ja, pa të cilën nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, e kërkon legjitimitetin e ri, për të qenë të gatshme më pas që të jenë pjesë udhëheqëse e “dialogut” nëpërmjet kryeministrit të ardhshëm, si thonë ata e të cilin tashmë e kanë rezervuar për vete.

Por, në anën tjetër, duke e marrë në konsideratë natyrën e çështjes në fjalë, si dhe duke e marrë në konsideratë të gjithë ecurinë e proceseve të gjertashme shtetformuese në Kosovë, atëherë mund të vihet re fare lehtë se garantuesi i të gjitha proceseve, me partitë e tjera më pas, ka qenë PDK-ja në krye me ish-kryetarin e saj Hashin Thaçin. Kjo e vërtetë edhe sot e këtë dite është e tillë, pavarësisht se z. Thaçi më nuk është kryetar partie e as pjesë e ndonjë subjekti politik, por është president i vendit.

Duhet thënë pa keqkuptime: edhe sikur LDK-ja t’i fitojë e vetme zgjedhjet e ardhshme politike parlamentare dhe t’i ketë dy të tretat e garantuara në Kuvendin e Kosovës, ajo sërish nuk është ndërtuar ende për t’i drejtuar proceset e tilla shtetformuese. Kjo është një e vërtetë e dhimbshme në disa aspekte, por një e vërtetë që nuk ndryshon nga mëshira ose kamuflimi diplomatik. Të gjithë e dimë se cili gur zë vend në kufij. E kjo nuk do të thotë se presidenti Thaçi ose kushdo tjetër nuk duhet kritikuar. Dialogun me Serbinë e qetësojnë dy partitë politike, partia e krahut të fortë politik e që është PDK-ja dhe partia e krahut të butë politikë e që është LDK-ja. Këto dy parti duhet ta paraqesin platformën dhe ta garantojnë procesin në fjalë. Më pas vijnë edhe partitë e tjera natyrisht, shoqëria civile...

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK