Zërat

Ilir Hajdini

Negociata për korrigjim kufijsh, shkëmbim territoresh apo shkëmbim qytetarësh?

10 gusht 2018 • 17 : 43

Për të negociuar suksesshëm me palën serbe ekipi i Kosovës ka nevojë për ekspertë që kanë njohuri shkencore mbi dimensionet kulturore dhe praktikat negociuese jo vetëm të ekipit serb, por edhe të të gjithë bashkëpjesëmarrëseve të tjerë të përfshirë në këto negociata.

Studimet shkencore empirike dhe eksperimentale në fushën e negociatave ndërkombëtare tregojnë qartë se negociatorët që praktikojnë qasje ekstreme, duke kërkuar të paimagjinuarën arrijnë më së tepërmi suksese në negociata. Për shembull, negociatorët rusë njihen për qasje të skajshme në negociata, duke kërkuar shumë për të dhënë për diçka me pak vlerë ose duke mos ofruar asgjë për të marrë diçka me shumë vlerë.

Studimet mbi dimensionet kulturore na tregojnë se negociatorët serbë dhe rusë kanë ngjashmëri të konsiderueshme mes tyre. Pastaj negociatorët rusë janë të njohur jo vetëm për një qasje të tillë, por edhe për qëndrueshmëri në mbajtje të pozicioneve fillestare ose kokëfortësi në mbajtje të pozicioneve ekstreme. Ndërsa një pjesë e evropianëve, për shembull suedezët, praktikojnë qasje ‘fer’ përgjatë negociatave, duke ofruar dhe pranuar vetëm aq sa do të kishin ofruar ose pranuar në qoftë se do të ishin në këpucët e kundërshtarëve. Për negociatorët amerikanë ka indikacione shkencore që ata fillojnë me propozime të skajshme, por me kalimin e kohës e humbin durimin dhe bëjnë lëshime.

Mbi të gjitha, lehtësuesit ose ndërmjetësit evropianë në negociata vijnë të kultivuar nga shoqëri me karakteristika të tjera, duke mos pasur as rolin e as interesin që ta përkrahin njërën ose palën tjetër, ose që ta kuptojnë ose klasifikojnë qasjen e palës serbe si qasje ekstreme në negociata me palën shqiptare të Kosovës.

Ndërsa strategët e parë në fushën e strategjisë, duke përfshirë autorin e vjetër kinez Sun Tzu, theksojnë se ju kurrë nuk mund t’i njihni mirë palët e tjera pa e njohur veten. Ne shqiptarët nuk e njohim veten, pasi që nuk kemi bërë ndonjë hulumtim për të kuptuar se kush jemi ne, siç bëri për shembull Hofstede për shoqërinë e vendit të tij dhe për rreth 100 popuj të vendeve të tjera. Megjithatë, po të shohësh marrëveshjet e arritura nga Rambujeja e deri te marrëveshja “historike” e Brukselit që kulmoi me Asociacionin kuptojmë se ne nuk jemi ‘fer’ në negociata, por që ne jemi ‘generous’, bujarë, zemërgjerë ose të xhymertë! Një duhet mbajtur mend, se duke ofruar shumë në fillim të negociatave nuk mund të ofrohet pak në fund të tyre. Si duket, këtë mund ta këtë kuptuar me në fund presidenti Thaqi. Mirëpo tani nuk po e kuptojnë të tjerët presidentin, pasi që të gjithë, si serbët, ashtu edhe ndërkombëtaret, janë mësuar më zemërgjerësinë e palës shqiptare.

Megjithëse me vonesë, kërkesa e Thaqit që Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës mund të konsiderohet si e skajshme nga negociatorët dhe si e tillë mund të jetë më vend. Mirëpo vonesa në këtë pretendim, gabimet e tjera paraprake në negociata dhe gabimi i tij në ‘framing’ (në vend që të mos përmendte shkëmbim territoresh, por vetëm që të kërkonte bashkim më Luginën) bëri që edhe dashamirët edhe kundërshtarët e tij politikë ta kundërshtojnë ose duke mos besuar në qëllimet e tija pas këtyre deklaratave, ose duke mos pasur njohuritë themelore mbi mënyrën e të negociuarit. Për më tepër, kjo alternativë është e rrezikshme pasi që Serbia edhe do të mundë të pranonte ofrimin e një pjese të kufizuar të Luginës në këmbim të Veriut të Kosovës. Mirëpo duke pasur parasysh pasuritë nëntokësore të Veriut të Kosovës, sipërfaqen me të madhe të kësaj pjese në krahasim më sipërfaqen e Luginës, si dhe mundësitë që kjo të sillte Republikën Serbe të Bosnjës me afër bashkimit me Serbinë, shqiptarët së bashku me aleatët duhet të shmangin mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Këtë mund ta arrijmë vetëm duke ofruar alternativa të tjera bindëse që në shikim të parë mund të duken vështirë të realizueshme, por që më vonë do të mund të sillnin fryte për të dyja vendet.

Prandaj propozoj që në vend të shkëmbimit të territoreve të kërkohet shkëmbimi i qytetarëve shqiptare të Luginës me ata serbë të Veriut të Kosovës. Shkëmbime të ngjashme të banorëve janë bërë edhe mes të shteteve të tjera përgjatë historisë, si p.sh. mes Turqisë dhe Greqisë përgjatë viteve 1923-1924. Në rastin tonë çdo shtet merr përgjegjësinë e tij për shpërndarjen e banorëve përkatës në komunat në fjalë. Në këtë mënyrë pjesa tjetër e serbëve nuk do të ndihej e kërcënuar që të shpërngulej përfundimisht nga pjesa tjetër e Kosovës, siç do të mundë të ndodhtë në rast të shkëmbimit të territoreve. Marrëveshja për shkëmbimin e qytetarëve do të mundësonte që Kosova dhe Serbia të mbajnë kushtetutat ekzistuese pa pasur nevojë për ndryshime. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje Republika e Kosovës dhe legjislativi i saj, atëherë pa një Listë të fortë Serbe, do të mundë të funksiononte për mrekulli.

Megjithatë pala serbe mund të mos pranojë këtë alternativë duke e ditur se në të kaluarën ka përjetuar një “muaj mjalti” në negociata me palën shqiptare të Kosovës dhe duke e ditur se ajo përmes “mashës’ së serbëve lokalë është bërë hisedar edhe në pasuritë nëntokësore të Kosovës dhe në kontrollimin dhe pengimin e shtetndërtimit të saj. Si rezultat i këtij refuzimi Serbia do të humbte fuqi negociuese dhe reputacion në tavolinën e negociatave, ndërsa ne do të mundë të blinim edhe pak kohë (ne nuk jemi nën presion të kohës për shkak të negociatave për anëtarësim në BE, por Serbia është). Kjo alternativë do të mundë të pranohej vetëm nëse pala serbe vëren një vendosmëri konsekuente të palës shqiptare jo vetëm duke mos bërë asnjë lëshim tjetër në bisedime, por duke e përshtatur bukfalisht Marrëveshjen e Brukselit për të kërkuar të njëjtat të drejta për shqiptaret e Luginës se Preshevës dhe duke bërë investime të vazhdueshme kapitale së bashku me Shqipërinë në formë subvencionesh e donacionesh për institucione a kompani private të Shqiptarëve të tri komunave (e jo të ofrojnë lëmosh minimale siç kanë bërë në të kaluarën). 

Së fundmi, neve as nuk e kemi “komoditetin e suedezëve” që të vazhdojmë me negociata të paafatizuara, duke u treguar më shume se ‘fer’ e zemërgjerë e as nuk i kemi mundësitë ose karakteristikat e rusëve, që tash papritmas të këmbëngulim në kërkesën për marrje të Luginës së Preshevës pa dhënë asgjë në këmbim. Prandaj, duke e ditur se shkëmbimi i territoreve nuk do të na konvenonte as neve e as bashkësisë ndërkombëtare, shkëmbimi i qytetarëve duhet proklamuar si kompromis nga të dyja vendet. Kjo e fundit do të mundë të arrihet vetëm nëpërmjet një koordinimi të ngushtë dhe të qëndrueshëm ndërmjet shqiptarëve këndej dhe andej kufijve për të ndihmuar sa me parë në realizimin e asociacionit të komunave të Luginës së Preshevës. Vetëm një punë e tillë koordinuar, duke mos bërë asnjë kompromis tjetër që tejkalon kushtetutshmërinë e Kosovës, por duke kërkuar kompromise nga pala serbe dhe duke investuar në Luginë do të shtynte palën serbe që të pranojë shkëmbimin e qytetareve si opsion kompromisi. Përndryshe, shqiptarët e Luginës do të vazhdojnë të imigrojnë drejt Fushë Kosovës, Gjilanit, Durrësit e qyteteve të tjera shqiptare e evropiane, duke rrezikuar që ne shqiptarët të humbim si Luginën, ashtu edhe Veriun.

Autori, dr. Ilir Hajdini, është hulumtues shkencor dhe ligjërues në Universitetin e Vjenës, si dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në fushën e aleancave strategjike. 

© zëri.info