Zërat
Emin Azemi
Emin
Azemi

Kosova, e përçarë përballë Serbisë dinake

Zërat July 26, 2018 - 14:24

Gjithmonë kur peshorja e mospajtimeve projektohet si kauzë madhore që zëvendëson bashkëpunimin, opozita vazhdon të ngelet një kafshatë e lehtë për çdo pushtet të uritur. Kosova aktualisht ka më shumë çështje që e bënë të përbashkët veprimin politik opozitar sesa çështje të kundërta. Tingëllon disi paradoksale kjo kokëfortësi e opozitës kosovare për t’u betonuar në istikamet e dallimeve, ndërkohë që Kosova çdo ditë e më tepër po rrëshqet në honet e paqartësive.

Kosova po shkon e përçarë në tryezat e bisedimeve ku po vendoset për fatin e saj. Kauzat opozitare në Prishtinë ende quhen blasfemi, kurse “baballarët” e kombit po dalin secili më axhami se tjetri. Një aeroplan privat, që i “ishte dorëzuar” kursit amator të fluturimit, mund të jetë përshkrimi më adekuat i asaj çka po ndodh aktualisht në Kosovë.

Edhe po të mendohej mirë si sinopsis regjie, ky kurs fluturimi i “bacave dhe çunave” të Kosovës, nuk do të dilte më mirë për të shprehur gjithë këtë kaos veprimi politik, mu në kohën kur sërish janë aktivizuar idetë dhe opsionet për ripërkufizimin e hartës së Kosovës.

Prishtina nuk po arrin të demonstrojë një lidership unik dhe të fuqishëm përballë kanosjeve që vijnë nga jashtë, sidomos nga Serbia. Debatet në Kuvend janë një përpjekje modeste për të diferencuar disponimin politik, por edhe kjo nuk po mjafton që të krijohet një alternativë e pushtetit aktual.

Tani për tani LDK-ja dhe LVV-ja janë ende larg idesë për të qenë unikë në shumë çështje që sa janë të përbashkëta, po aq janë edhe funksionale për t’u vënë në lëvizje.

Opozitës kosovare i mungon një ventil që do t’i shërbente asaj për zbrazjen e energjive negative në momentet më vendimtare kur ajo duhet të jetë e bashkuar. Historia e mospajtimeve sikur është më shumë e rëndësishme sesa ardhmëria e përbashkët. Gjithmonë kur peshorja e mospajtimeve projektohet si kauzë madhore që zëvendëson bashkëpunimin, opozita vazhdon të ngelet një kafshatë e lehtë për çdo pushtet të uritur. Kosova aktualisht ka më shumë çështje që e bënë të përbashkët veprimin politik opozitar sesa çështje të kundërta.

Tingëllon disi paradoksale kjo kokëfortësi e opozitës kosovare  për t’u betonuar në istikamet e dallimeve, ndërkohë që Kosova çdo ditë e më tepër po rrëshqet në honet e paqartësive.

Bisedimet e pambaruara me Beogradin, çështjet e padefinuara rreth statusit të serbëve, lëshimi si ballon provues i temave që lidhen me ndarjen e Kosovës janë pesha të rënda për çfarëdolloj skene politike, e sidomos për ato që nuk janë të ngritura mbi një konsensus të fuqishëm pushtet - opozitë. Mund të radhiten shumë shembuj në historinë më të re të shteteve të rajonit, por edhe më gjerë, që dëshmojnë për domosdonë e unifikimit të veprimit politik para vendimeve të mëdha.

Vetëm Kosova sikur po mundohet të na thotë se vendimet e mëdha i bie edhe pa pasur nevojë të konsolidohet skena politike me të gjitha nuancat e veprimit politik e institucional. Por, kjo është e pamundur.

Në Kosovë mund të ketë politikanë që më tepër u japin rëndësi kauzave të tyre personale sesa atyre kolektive, por kjo është një kosto e pariparueshme që shkon në dëm të gjithë qytetarëve të saj. Kauzat personale madje në botën e qytetëruar po përjashtohen edhe nga korporatat e mëdha ku vendimmarrja menaxheriale po ndjek konkluzionet dhe ekspertizat e stafit profesional, e më pak të një menaxheri të vetëm, sado që të jetë i zoti ai.

Fundja, Kosova nuk është biznes familjar i askujt për t’u trajtuar me qasje kaq të ngushtë e subjektiviste dhe përgjegjësia për të drejtuar Kosovën nuk do të duhej kuptuar si luftë për jetë a vdekje të individëve, por si përgjegjësi politike dhe ndërgjegje qytetare e një ekipi më të gjerë të njerëzve.
Shumëkush sot e ka të paqartë se çka po ndodh me lidershipin aktual të Kosovës.

Paqartësia bëhet edhe më e madhe kur të ndiqet grafikoni i ngjarjeve që si rezultantë kanë zgjidhjet finale dhe afatgjata për Kosovën. Nëse para Rambujesë dilemat e lidershipit kosovar lëviznin në një qarkore kontradiktash politike e pragmatike, sot Kosova vuan një tipologji tjetër kontradiktash, e që lidhet para së gjithash me mosunfikimin e mendimit dhe të veprimit opozitar.

Përderisa në Rambuje Kosova pati një përfaqësim gjithëpërfshirës, madje edhe nga sektori joqeveritar, sot ajo në bisedimet me Serbinë dhe në temat akute që sfidojnë të ardhmen e saj shkon e dezintegruar politikisht dhe me një deficit të madh moral përfaqësimi.

Kosova e përçarë përballë një Serbie dinake dhe agresive është hilja më e madhe që u bëhet sakrificave të gjithë atyre që luftuan për lirinë dhe për pavarësinë e saj.                

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK