Zërat
Ilir Hajdini
Ilir
Hajdini

Ndryshimet strategjike në raportet ndërkombëtare dhe shqiptarët

Zërat July 24, 2018 - 14:19
Detajet

Qytetarët shqiptarë duhet të jenë gjithnjë e më të vetëdijshëm se marrëdhëniet ndërkombëtare po ndryshojnë me shpejtësi. Kohezioni i Bashkimit Evropian, ku ne dëshirojmë të integrohemi, po vihet në pikëpyetje nga rritja e numrit të imigrantëve, nga rritja e popullaritetit të partive evropiane të ekstremit të djathtë, nga ndryshimet strategjike amerikane në qasje ndaj tregtisë së lirë dhe aleateve të saj tradicionalë, si dhe nga rritja e ndikimit rus e kinez. 
Kalimi nga marrëveshjet multilaterale tregtare në ato bilaterale mund t’i konvenojë SHBA-së duke pasur parasysh fuqinë e saj politike dhe ekonomike, mirëpo ky ndryshim mund t’i dhurojë një terren të rëndësishëm Rusisë dhe Kinës në arenën ndërkombëtare. Vitin e kaluar mungesa e presidentit amerikan Donald J. Trump në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit u shfrytëzua mirë nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili shfaqi një alternativë në horizont se Kina mund të mbushë boshllëkun e krijuar nga Uashingtoni në tregtinë globale. Ngjashëm, politika e quajtur “Amerika, e para” e proklamuar nga presidenti Trump dhe kërkesa e tij e hapur ndaj vendeve anëtare të NATO-s se nëse ato nuk investojnë më shumë mund të mbesin të vetmuara në mbrojtje të Unionit ka shqetësuar ndjeshëm disa vende si Gjermaninë dhe Francën, të cilat tashmë kanë filluar të krijojnë një forcë të sigurisë evropiane. Për më tepër, largimi i SHBA-së nga Marrëveshja Bërthamore me Iranin, e cila ishte arritur nën udhëheqjen e përfaqësuesve evropianë dhe fillimi i vendosjes së tarifave amerikane për disa produkte me origjinë nga shtetet evropiane ka thelluar edhe më tutje mundësinë për një luftë tregtare dhe ka rritur ndjeshëm presionin brenda strukturave të polarizuara evropiane që të gjejnë mënyra për të reaguar sa më unanimisht ndaj SHBA-së. Megjithatë, këto ngjarje që u karakterizuan edhe me bisedimet e Britanisë së Madhe për dalje nga Blloku kanë trimëruar partitë e ekstremit të djathtë, të cilat së fundmi korrën suksese edhe në Itali, duke propaganduar se shtetet e tyre të lodhura nga “burokracia e BE-së” duhet të gjejnë përgjigje individuale ndaj fluksit të imigrantëve dhe të problemeve tjera socio-ekonomike. Këto zhvillime kanë inkurajuar presidentin e Rusisë se ndoshta ai mund të shërbejë si model për sa më shumë parti të ekstremit të djathtë, siç ka shërbyer edhe për atë të kryeministrit hungarez Viktor Orban. Si rezultat, Rusia mund të shndërrohet në një partner strategjik për disa nga qeveritë që momentalisht gjenden edhe brenda edhe jashtë BE-së duke rrezikuar kështu kohezionin e Bllokut.   
Të nderuar qytetarë shqiptarë, në rrethanat e krijuara neve na duhet të dimë se a kanë qeveritë shqiptare ndonjë plan “B” për skenarë të rinj politikë që mund t’i imponojë koha? Siç na mëson e kaluara, nëse mungon presioni nga shoqëria civile, qeveritë tona edhe ashtu tepër të ngadalshme ndaj çdo rrethanë të re, nuk do ta ndryshojnë kursin e përdorimit të “shkopit magjik të integrimeve evropiane” si përgjigjeje ndaj çdo shqetësimi ose koncesioni ndaj fqinjëve. Nëse SHBA-ja dhe Britania, si dy aleatët më të rëndësishëm të shqiptarëve, po ndryshojnë kurs në arenën ndërkombëtare, si mund të ndodhë që qeveritë e shqiptarëve janë duke qëndruar ende aq indiferente?
Për hir të lexuesit dhe të së ardhmes, më duhet të vazhdoj të shtroj disa pyetje të rëndësishme sugjestive:
A mos vallë do të ishte më mirë që ne të koordinohemi me aleatët tanë që së pari të krijomë një treg të unifikuar shqiptar në mes dy shteteve tona edhe ashtu të vogla e pastaj të hyjmë si një treg unik shqiptar në marrëveshje bilaterale tregtare me SHBA-në dhe me Britaninë e Madhe? A nuk do të sillte kjo një nxitje të investimeve të huaja drejt vendeve tona nga kompanitë të cilat do të dëshironin të eksportonin në vende me tregje aq të madhe si SHBA-ja dhe Britania? A nuk do ta rriste kjo fuqinë tonë negociuese edhe politike, edhe ekonomike në arena regjionale e ndërkombëtare? 
Pastaj, a janë qeveritë tona duke iu përgjigjur kërkesave të presidentit Donald Trump për më shumë investime në fushën e mbrojtjes në kohën kur Serbia po eksporton në tregjet tona të ndara jo vetëm produkte, por edhe frikë me aeroplanë sulmues “MIG 29” dhe sisteme “S300” të importuar nga Rusia? 
Pse është sasia buxhetore e investuar për zhvillimin e FSK-së ende aq e vogël në krahasim me bruto prodhimin që kemi sidomos në kohën kur gjithnjë propagandohet për transformimin e saj? 
Me fjalë tjera, a nuk duhet gjetur mënyra më të mira për të merituar integrimin në qoftë se BE-ja ende do të ekzistonte dhe në qoftë se ky integrim ende do të na konvenonte? 
Pyetjet që NE do të dimë të shtrojmë tani dhe insistimi në përgjigjeje që duhet të marrim do të jenë kritikë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Nga të gjitha pikat e lartcekura, një është me ndikim thelbësor. Qasja bilaterale e SHBA-së ndaj vendeve tjera, e shoqëruar me largimin e Britanisë nga BE-ja mund të ndryshojë dukshëm jo vetëm raportet ndërkombëtare politike e të sigurisë, por edhe raportet e shteteve shqiptare në mes vete dhe me të tjerët. 

(Autori është hulumtues shkencor dhe ligjërues në Universitetin e Vjenës, si dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në fushën e aleancave strategjike).  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK