Zërat
Adnan Rrustemi
Adnan
Rrustemi

Dialogu, Thaçi dhe Kosova - viti zero

Zërat July 23, 2018 - 13:09

Me shpalljen e Pavarësisë dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës do të duhej të mbyllej çfarëdo dialogu për statusin e saj dhe për organizimin e brendshëm shtetëror. Kësisoj, dialogu i këtyre viteve Kosovë - Serbi tejkalon çfarëdo shpjegimi racional, qoftë edhe si kundërshtim të tij të pjesshëm e në rrugë e sipër.

Për nga objekti dhe përmbajtja ky dialog aq i paqenë do të duhej të ishte sa nuk bëhet fjalë për ta argumentuar justifikimin, por edhe çfarëdo rrokjeje për të vërtetuar pambështetjen e tij dhe dëmin që i ka sjellë e veçmas rrezikun që paraqet për Kosovën humbet edhe kuptim, edhe peshë. Ngase çështjet e brendshme dhe pavarësia janë thjesht të padiskutueshme, ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë dhe sidomos pas vendimit të GJND-së ky dialog as që do të duhej të mendohej e lëre më të ndodhë.

Ta shpallësh pavarësinë të legjitimuar ndërkombëtarisht nga GJND-ja dhe njohjet e në anën tjetër për tema të brendshme të Kosovës, të cilat t'i definon Kushtetuta dhe ligjet, të zhvillosh dialog shtatëvjeçar me një shtet tjetër, një shtet që nominalisht të konsideron pjesë të saj e praktikisht të lufton në sferën e jashtme e të saboton brenda, është antilogjikë. Aq më keq, për t'u përmbyllur me një proces rishtazi që e negocion të tërën nga fillimi, por vetëm pasi që Serbia ka arritur 33 marrëveshje për së paku 33 sfera thelbësisht nga sovraniteti i brendshëm i Kosovës.

Dialogu me Serbinë ka qenë gabim në pikënisje, i cili pashmangshëm vazhdon të rëndojë gjithnjë e më shumë. Një dialog që Kosovën e ka për objekt, por duket që përveç Serbisë të vetmit person në Kosovë që i leverdis dhe për të cilin e nga i cili po bëhet është Hashim Thaçi.

Thaçi po synon të na thotë se dëshirat e tij janë edhe dëshirat e popullit, interesat e tij janë interesat e Republikës, ndjesia e tij ndaj Serbisë dhe Vuçiqit është edhe ndjesia e gjithë popullit për Serbinë e Vuçiqin, ndërsa frika e tij nga Gjykata Speciale duhet të jetë edhe frikë e qytetarëve. Madje, ai po i drejtohet popullit me përçmim - populli nuk e di se çfarë është më e mira për ta, madje nuk e di as çfarë është e tmerrshme për ta, prandaj çfarëdo zgjidhjeje me Serbinë mund t'ua shesë e t’ua imponojë me lehtësi atyre.

Këtu nuk fillon mashtrimi i tij, këtu vetëm duhet të përfundojë. Ai përditë është tallur me qytetarët. Njëherë duke ua keqpërdorur varfërinë e mjerimin, pastaj dëshirën e tyre për shtet, tash po ua keqpërdor padurueshmërinë për zhvillim e mirëqenie. Kjo e fundit është kostoja e impenjimit të vazhdueshëm me dialogun me Serbinë po aq sa pasojë e qeverisjeve të korruptuara e zvetënuese.

Presidenti aktual ka një zor të madh që po e bën të mos çajë kokën për çfarë mendon populli, çfarë vuajti populli dhe çfarë përfytyrimi kishte e ka për lirinë dhe pavarësinë, për rrjedhojë edhe për Serbinë si shkaktare të mungesës së lirisë dhe si simbolizim esencial të planeve për mosekzistencën e shqiptarëve në Kosovë.

Thaçin e karakterizon braktisja jo vetëm si paqëndrueshmëri, që vije nga mosbrumosja e duhur dhe e mjaftueshme, nga qasja instrumentale e jo ideale në përpjekjen e luftës për liri, dinakëria si mënyrë e jo shpalosja e hapur e vullnetit politik si e drejtë, përvetësimi financiar e jo zhvillimi shtetëror, nënshtrimi nga mediokriteti e jo bindja nga dija. 

Braktisja e rolit është tipari i përhershëm i tij, braktisje si zëvendësim me një synim, temë a kauzë e ulët si përshtatje të një shumësie kolektive me veten e tij dhe jo anasjelltas, ngase braktisja si tërheqje kur nuk i del dot ballë ka brenda vetes edhe dinjitet moral, politik e kombëtar. Është kjo e vetmja braktisje që mund ta nderonte atë të tërhiqet së foluri në emër të qytetarëve, paçka se kundër tyre ka vepruar gjatë gjithë kohës. Por, këtu nuk është rasti për t’i evidentuar të gjitha dëmet e tij të shkuara, por vetëm për të qartësuar shtegun e tij që po mëton ta imponojë si shteg për Republikën. Sot është rasti për ta parandaluar atë, që po synon ta ndalojë një popull e ta pushojë një Republikë.

Thaçi ka kohë që veten e tij politike e ka vendosur në kundërshtim me qytetarët dhe interesat shtetërore. Ai është preokupuar vazhdimisht që të gjejë tema e çështje të këmbyeshme sipas këndvështrimit të tij. Gjithnjë të këmbyera në llogari e për pushtetin e tij. Çfarëdo që ka marrë Thaçi ka qenë pakësim për kombin, shtetin dhe qytetarët. Tani që ka arritur kulmin i ka mbetur ta këmbejë të tërën dhe esencialen, edhe ashtu të mangët. Kjo duhet të ndalohet jo për shkak të kredos morale si kundërpërgjigje e së mirës ndaj së keqes, të së drejtës ndaj së padrejtës ose së përbashkëtës sonë ndaj personales së tij, por për arsye krejtësisht utilitare - të rrezikut nga shembja e shtëpisë së përbashkët për pleshtat që po e shqetësojnë vetëm atë.

Nga Zyra e Presidencës, që pandehet të jetë e Republikës, ai guxon jo vetëm të deklarohet se s'ka vija të kuqe, por edhe ta vendosë në tavolinë të dialogut Kosovën, viti zero, si mohim të shtetësisë së saj nga vetë bartësit institucionalë të saj, të baltosjes së sakrificës e vuajtjeve për liri, të zhvlerësimit politik të luftës për çlirim, tërë këtë për t'ia bërë një vend Serbisë në Kosovë si çmim për ta liruar një vend në listën e Gjykatës Speciale.

Ky qark absurd është edhe antitezë konceptore, i pahasur në praktikë e i panjohur nga teoria, po aq sa të thuhet “rrethkatror”. Rrethkatror nuk ka e as nuk mund të ketë, sikurse edhe shtet me sovranitet e në të njëjtën kohë marrëveshje me Serbinë për çështje të brendshme nuk mund të kemi. Nëse ekziston e para s'mund të ndodhë e dyta e aty ku shfaqet e dyta e para ka liruar që më parë vendin që i takon.

Nuk është Kosova që duhet të kthehet në vitin zero si temë në tavolinën e dialogut, por dialogu duhet të kthehet në pikën zero, ku zhbëhen marrëveshjet e deritanishme, ndryshojnë premisat, temat dhe çështjet që nuk kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të Republikës, vihen kushtet që mbartin përgjegjësinë shtetërore të Serbisë për gjenocidin, të zhdukurit, shkatërrimet e plaçkitjet, sikurse që ndërrojnë edhe negociatorët e padenjë, të cilët flasin e vendosin në emër të Kosovës.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK