Zërat

Arlind Manxhuka

Njëherë si arushë, pastaj si gjel

20 korrik 2018 • 15 : 27

I befasuar dhe i shqetësuar nga disa - të shumtë analistë - që çuditen me rreziqet e finales së madhe, më erdhi ndërmend një konflikt i rëndësishëm filozofiko-politik, ai i analizës së rrugës ndaras nga rezultati dhe mendimit, në anën tjetër, që rruga e gabuar domosdoshmërisht çon në rezultate të gabuara. Ndonëse gjithmonë të parët akuzojnë të dytët për teleologji, është saktësisht e kundërta. Dhe më së miri këtë na shpjegon rasti i Kosovës, konkretisht procesi i dialogut, negocuesit dhe rezultatet e këtij procesi.  

Në Kosovë tash shumë analistë pajtohen mbi dëmin e dialogut, mirëpo sikur janë të befasuar nga dialogu dhe presidenti Thaçi, i cili flet për heqje të vijave të kuqe dhe hedh gjithçka në tryezë për pazar. Janë dy pole të kundërta të shpjegimit të situatës në Kosovë, në njërën anë Lëvizja Vetëvendosje, që vazhdimisht gjykon nisur nga e kaluara e proceseve, duke konstatuar se kjo rrugë e zgjedhur detyrimisht çon në rezultate të gabuara, ndërsa në anën tjetër partitë e tjera politike së bashku me disa analistë dhe gazetarë që tentonin të gjenin dromca përfitimi në marrëveshjet e arritura, duke i gjykuar ato si të ndara.

Dhe çka kemi sot? Zhytja këmbë e krye në këto sekuenca të marrëveshjeve të vogla nën linjën e përgjithshme të dialogut Kosovë - Serbi ka bërë që ato në vetvete të bëhen bota e tyre, horizonti i shikimit dhe imagjinatës dhe tash kur po flasim jemi duke dialoguar për vetë premisat e shtetit të Kosovës.

Nga dialogu “teknik” Kosova u soll buzë dilemës: shtet unitar ose bosnjëzim. Siç do të thoshte një filozof i shquar, analiza tashmë është post festum. Përmes këtij dialogu, nga ana e presidentit, Kosova përfundimisht do të hidhet në një greminë shumë të rrezikshme.

Por si ndodhi kjo që ndodhi, është pyetja e zakonshme e një njeriu të futur në panik pas gjumit. Në terma hegelianë do të mund të thoshim se gjendja aktuale në Kosovë është racionale dhe gjendja racionale në Kosovë është aktuale, thënie për të cilën Hegeli u akuzua shumë, duke u kryqëzuar se po legjitimon gjithçka përmes kësaj fraze. Ajo çka në të vërtetë tenton të thotë ai dhe çfarë do të mund të thoshim dhe përmes kësaj është pikërisht ajo që shtruam që në fillim; që një analizë e mirë mbi ecurinë dhe mendësinë e ndjekur nuk do të çonte askund tjetër, pos këtu ku kemi arritur.

Pra, është krejtësisht e kundërta, është befasia jonë me aktualitetin politik krejt irracionale karshi aktualitetit, që si i tillë është plotësisht racional. Pse kjo? Po të analizojmë mirëfilli mënyrën si u negociua me Serbinë pa asnjë kriter e pa asnjë kusht, duke lëshuar pe në çdo marrëveshje ndaras e duke mos e njohur veten, natyrshëm Kosova zhvendosi tryezën e diskutimit në tërësi, ndërkohë që thoshin se po diskutohej vetëm për pjatat e negociushme. Sekuencat “e bukura” po legjitimonin drejtimin e gabuar të kohështrirjes së negociatave.

Në linjë të njëjtë, por nëse do të mundë ta përdornim në shprehje të psikoanalistit dhe filozofit francez Jacques Lacan, që thotë se “Letra arrin gjithmonë në destinacion”, atëherë lirshëm mund të themi se Kosova po arrin në destinacion dhe me këtë rrugë ajo gjithmonë do të arrijë aty. Dikush mund të shtrojë pyetjen legjitime mbi mundësinë që Kosova të mos arrijë në këtë destinacion ku po mbërrin, ta gabojë rrugën.

Bindja që Kosova po arrin drejt destinacionit të saj nuk ka të bëjë aspak me mendim teleologjik të paracaktimit të fatit, siç tentojnë të ngjallin pafuqi disa analistë, por saktësisht e kundërta, rruga të cilën ka ndjekur Kosova nuk do të mundë të çonte askund tjetër pos këtu ku është. Këtu përkundër analizës teleologjike të pafuqisë kemi gjykimin retrospektiv për të shpjeguar ecjen e shtetit tonë. Kosova nuk ka fat të paracaktuar, ka mendësi e njerëz të gabuar që çojnë Kosovën nëpër fatalizma që më as vetes s’i besojnë.

Nga negociatat pa kushte te Pakoja Ahtisaarit si kompromis i dhimbshëm, pastaj nga Marrëveshja për Fusnotën në emrin e Republikës te Marrëveshja e prillit 2013 për “Zajednicën”, Kosova nuk do të mundë të ishte ndryshe veçse kjo që është.

Duke parafrazuar tezën e Barbar Johnson, atëherë themi kështu: “'Një letër arrin gjithmonë në destinacion që prejse destinacioni i saj është kudo që arrin” (Lexo: Letra - Kosova). Këta pushtetarë e kanë sjellë Kosovën buzë destinacionit pikërisht pse destinacionin e tyre e lidhën me atë të Kosovës. Dhe në fund, post festum, do të vijnë pushtetarë e analistë që do të flasin mbi fatin e hidhur të Kosovës. Kjo përrallë për fatin në rastin e Kosovës më së miri shpjegon gjumin e disa politikanëve dhe opinionbërësve gjatë rrugës pa krye që ka ndjekur Kosova për këto vite të pasluftës. Një gjumë i thellë gjatë ecjes natyrshëm shfaqet si panik te rezultati, buzë greminës. Ky ishte fati i Kosovës, do të përgjigjen ata.

Të gjendur përballë kësaj situate tanimë kemi sërish dy thirrje, atë të panikut, që opozita nuk duhet ta lërë vetëm presidentin dhe duhet t’i bashkohet atij në finalen e dialogut për t'u futur në vallen fatale të Kosovës, si dhe thirrjen për të hedhur një shikim prapa dhe për të reflektuar mbi pozicionin tonë. Thirrjen e sërishme që në panik të veprohet më tutje dhe ftesën që të rikapitullohet ecuria e dialogut para se ta çojnë këta politikanë Kosovën para kapitullimit.

Karshi panikut të arushave të Prishtinës pas gjumit 20-vjeçar na duhet një hut i Minervës, që është pikëprerja më e hollë mes mendimit dhe veprimit. Ai që vlerëson saktë kohën e veprimit. Ajo që për Hegelin do të ishte vonesa e domosdoshme. Vonesa që s’paraqet vonesë. Huti i Minervës, tregim për të cilin filozofi i njohur slloven Mladen Dolar thotë se bën dallimin më të hollë mes ditës dhe natës, duke fluturuar në muzgun pranë gdhirjes, pikëprerja më e hollë mes asaj që “është” dhe “duhet”. Arushat e Prishtinës nuk mund të sillen sikur gjel francez, le coq gallois, simboli i lajmëtarit të hershëm. Andaj, para një veprimi pa kokë na duhet një mendim me kokë për ta zhvendosur Kosovën nga ky destinacion.

© zëri.info