Zërat

Lavdim Hamidi

Kur Kosova heq vizat, fqinjët hyjnë në BE

19 korrik 2018 • 13 : 54

Po bëhet gati një dekadë kur vendet fqinje, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, e rrëzuan murin e Schengenit, duke u mundësuar qytetarëve të tyre të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian (BE).

Njëjtë vepruan pak më vonë edhe Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina, por jo edhe Kosova.

Kur të gjithë udhëtonin pa viza në Bashkimin Evropian kosovarët pritnin para dyerve të ambasadave të huaja në Prishtinë me një krah dokumentesh të nevojshme për t’u pajisur me vizë.

Në të shumtën e rasteve përpjekjet e tyre përfundonin të kota. Vizat u refuzoheshin, ndërsa me vete merrnin vetëm faturën e lartë të shpenzimeve, që shpeshherë kalonte shumën prej 100 eurove.

Dje kur Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e vizave për kosovarët mund të konstatojmë lirshëm se për një dekadë nuk mbetëm të izoluar për faj të Evropës, por kryesisht për faj të politikanëve tanë të papërgjegjshëm dhe të korruptuar.

Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit ishte kriteri i fundit për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian, të cilin Kosova dështonte në vazhdimësi ta përmbushte, përderisa kriteri paraprak ishte miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, kriter ky që nuk u plotësua për gati tre vjet kryesisht për shkak të inateve politike dhe ambicieve të liderëve partiakë për pushtet.

***

Presidenti Hashim Thaçi, i cili dje mori pjesë në konferencën për medie bashkë me komisionarin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi Dimitris Avramopoulos, ku u konfirmua se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim së paku 10 herë në dhjetë vjetët e fundit, i “ka hequr” vizat për Kosovën me BE-në.

Ai një premtim të tillë e kishte bërë në mandatin e parë si kryeministër në vitin 2008, për të vazhduar edhe në mandatin e dytë si shef i Qeverisë e më pas edhe si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm në qeverinë “Mustafa” dhe në fund edhe si president i vendit. Por, ja që edhe pas vendimit pozitiv të Komisionit Evropian vendit i duhet edhe aprovimi nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së për të ndodhur liberalizimi.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare pati deklaruar se në tre muajt e parë si kryeministër i Kosovë do të liberalizohen vizat me BE-në, por ja që një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në vitin e parë të qeverisjes.

Për më keq, Kosova është vonuar me vite në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në pikërisht për shkak të mosmiratimit të Demarkacionit me Malin e Zi, të cilën Marrëveshje e kundërshtonte fuqishëm Haradinaj sa ishte në opozitë, por ndryshoi qëndrim kur erdhi në pushtet.

Kryeparlamentarit Kadri Veseli ekskluzivitetin për lajmet e mëdha zakonisht ia merr ish-bashkëpartiaku i tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai (Veseli) me gjasë pas kthimit nga Brukseli, pas kumtimit të lajmit të madh për Kosovën nga Thaçi, ka nisur numërimin mbrapsht të liberalizimit, duke e dëgjuar në sfond këngën “The Final countdown” të hitgrupit “Europe”.

 ***

Rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizim të vizave nuk e rrëzon përfundimisht murin e Schengenit për kosovarët.

Këta të fundit i kanë edhe dy stacione të rëndësishme për t’i kaluar derisa të arrijnë në Evropë. Stacioni i radhës është Parlamenti Evropian dhe i fundit, por jo edhe më i parëndësishmi, Këshilli i Ministrave të BE-së.

Këtu do të jetë edhe beteja më e madhe për ta marrë aprovimin, kryesisht për shkak të Spanjës që e kundërshton Pavarësinë e Kosovës dhe të disa shteteve të tjera që kanë probleme me migrimin.

Pas kalimit të këtyre dy stacioneve, Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave, versioni më realist është që kosovarët në verën e vitit 2019 të lëvizin pa viza në BE pikërisht dhjetë vjet pas Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Në një periudhë shumë të afërt kur kosovarët do t’i kalojnë disa muaj me liberalizim vizash nuk është larg mendsh që ndonjërit nga fqinjët, me gjasë Malit të Zi, do t’i hapen dyert për në BE. Nëse kaq shumë jemi vonuar deri në liberalizimin e vizave, imagjinojeni sa do të vonohemi derisa të bëhemi pjesë e BE-së!

© zëri.info