Zërat

Durim Berisha

Demitizimi i pozicionit kushtetues të presidentit të Republikës në politikën e jashtme

13 korrik 2018 • 14 : 14

Të konstatohet se presidenti i Republikës së Kosovës është i mandatuar nga Kushtetuta për të udhëhequr bisedimet me Serbinë, duke u thirrur në Nenin 84.10 të Kushtetutës, është jo vetëm po aq gabim, por edhe po aq absurd sikurse konstatimet se ai është gardian i Kushtetutës, sepse Neni 84.2 i Kushtetutës së Kosovës e cilëson si “garantues të funksionimit kushtetues të institucioneve...”. Një lexim i tillë i shkoqitur i normave kushtetuese e shtrembëron kuptimin e vërtetë të Kushtetutës si tërësi. Pra, një lexim i tillë është në kundërshtim me parimet e interpretimit kushtetues, ashtu si shkruan Hans Kelsen se vetëm interpretimi i normës në kuadër të sistemit të normave ofron saktësinë e kuptimit të vërtetë të tyre.

Nuk e kam pasur ndërmend të ndaj këtë analizë me opinionin në këtë fazë, mirëpo kur vërejta se komunitetit i juristëve – me theks konstitucionalistëve – është si çdoherë duke qëndruar indiferent ndaj një çështjeje e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për ekzistencën e Republikës së Kosovës, nuk mund të qëndroja indiferent.

Pavarësisht që në Kosovë kemi një numër të madh të institucioneve universitare – publike dhe private – ndërsa çdo ditë “doktorët e shkencave juridike” po i shtohen komunitetit, madje edhe nga ata që po doktorojnë rreth pozicionit kushtetues të presidentit të Shtetit, impakti i tyre është pothuajse i padukshëm (në kuptim pozitiv). Ndonëse Republika e Kosovës është në një moment determinues për të ardhmen e saj, me përjashtim të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Enver Hasani, i cili ka dhënë qëndrimet e tij profesionale dhe akademike rreth kësaj çështjeje, pjesa tjetër e komunitetit të juristëve më tepër nga jokompetenca sesa për ndonjë arsye tjetër objektive kanë vendosur që t’i “iluminojnë” vetëm kafenetë me konstatimet e tyre “akademike”.

Analiza e mëposhtme do të bazohet në konceptet fundamentale doktrinare të së drejtës kushtetuese, të cilat do të krahasohen edhe me jurisprudencën e etabluar të gjykatave kushtetuese evropiane rreth pozicionit kushtetues të presidentit të shtetit në një republikë parlamentare.

Fokusi kryesor i kërkimit të rezultatit të saktë shkencor do të mbështetet në teorinë e pushtetit konstituiv (pouvoir constituant) si parakusht i reprezentimit ndërkombëtar, teorinë e ndarjes së pushtetit dhe pozita e presidentit. Ndërsa në fund do të trajtohet roli i parlamentit ndaj presidentit.

Pushteti konstituiv (pouvoir constituant) si parakusht i reprezentimit ndërkombëtar

Secili jurist para se të deklarohet rreth një çështjeje kushtetuese duhet fillimisht të trajtojë aspektet historiko-kushtetuese, të cilat janë burim i arkitekturës kushtetuese pozitive. Në kërkimin e përgjigjes se cila është domethënie e pushtetit konstituiv si parakusht për përfaqësim ndërkombëtar domosdoshmërisht kthehemi në Revolucionin Borgjez Francez, aty ku figura kryesore idelologjike e tij Emmanuel Joseph Sieyès për të parën herë zhveshi monarkun si të vetmin pushtet konstituiv. Koncepti i pushtetit konstituiv është shtjelluar në një nivel të jashtëzakonshëm nga juristi i njohur gjerman Carl Schmitt, i cili në librin e tij Verfassungslehre (Teoria Kushtetuese) fillimisht sqaron dallimin në mes të kushtetutës (Verfassung) dhe dispozitës kushtetuese (Verfassungsgesetz). Të parën e definon si pasqyrim i vullnetit të tërësisë për ekzistencën e vet politike dhe organizimin politiko-juridik. Ndërsa të dytën si dispozita juridiko-kushtetuese në kuadër të këtij vullneti të shprehur.

Për më tepër, pushtetin konstituiv (që në gjuhën shqipe mund të përkthehet edhe si pushtetit kushtetutbërës) e cilëson si vullnetin politik për të ushtruar autorizimin ose pushtetin përmes të cilit vendoset për ekzistencën politike të tërësisë (kombit si formacion politik). Në demokracinë bashkëkohore ky pushtet u takon sovranëve (popullit si tërësi – jo individit si i veçantë). Populli si burim i këtij pushteti në rastet e krijimit të shtetit të ri, në rastin e ndryshimit të formës së qeverisjes ose edhe në rastet e ndryshimeve kushtetuese përmes mekanizmit të drejtpërdrejtë ose të demokracisë reprezentative duhet të ketë mundësinë që të shprehë vullnetin për ekzistencën e vet politike. Në rastet e demokracisë reprezentative të zgjedhurit e tyre duhet të jenë të ngarkuar shprehimisht me pushtetin konstituiv.

Reprezentimi i tërësisë është element përbërës i pushtetit konstituiv

Procesi i konstituimit të Republikës së Kosovës – pra procesi kushtetutbërës dhe procesi i nxjerrjes së dokumentit kushtetues të saj – paraqet një rast të veçantë në të Drejtën Kushtetuese. Pavarësisht që në kuptim të së drejtës ndërkombëtare të zgjedhurit e popullit kanë pasur të drejtë të shprehin vullnetin e tyre politik për të shpallur pavarësinë e Kosovës – të bazuar në parimet e së Drejtës Kushtetuese të njëjtit nuk kanë pasur mandat t’i imponojnë popullit të saj Kushtetutën, që sot është në fuqi.

Pavarësisht kësaj forme të imponimit të Kushtetutës nga “të zgjedhurit e popullit”, të cilët pa pasur një autorizim nga tërësia për të nxjerrë këtë Kushtetutë, njëkohësisht duke ua pamundësuar shprehjen e vullnetit për ekzistencën e tyre politike (Kushtetutën), për parimet mbi të cilat do të organizohet jeta politike dhe qeverisja (dispozitat kushtetuese), ajo është kthyer tani në dokumentin kushtetues mbi të cilin bazohet qeverisja dhe organizimi i jetës politike në Kosovë.

Tanimë ekziston një pushtet i themeluar kushtetues (Pouvoir constitué), në bazë të të cilit Republika e Kosovës është konstruktuar si një republikë parlamentare, në të cilën parimi i ndarjes së pushteteve është parim dhe garanci kushtetuese – ndërsa Kuvendi (Parlamenti) si forum i reprezentimit të tërësisë (të paktën në aspekt teorik dhe de jure, pasqyrimet faktike do të trajtohen në pjesën e fundit). Është vetë Kushtetuta që e njeh Kuvendin si pushtet konstituiv. Ndryshimet kushtetuese mund të bëhen vetëm nga Kuvendi i Republikës, i cili njëkohësisht është hallka lidhëse në zinxhirin e legjitimimit kushtetues të organeve kushtetuese nga populli.

Ndarja e pushteteve dhe pozita e presidentit

Parimi i ndarjes së pushteteve, i cili zanafillën e ka në Mbretërinë e Bashkuar, por që u ndërtua nga Monteskjë (Montesquieu) pikërisht duke u bazuar në modelin e parlamentarizmit anglez nuk e ka më kuptimin dhe domethënien e njëjtë sikurse kur u lind si ide filozofiko-juridike. Ndarja e pushteteve që kishte për qëllim kontrollin dhe ekuilibrimin reciprok të pushtetit mes mbretit (ekzekutivi) dhe përfaqësuesve të popullit (parlamentit) nuk mund të trajtohet tani në këtë frymë, sepse qeveritë në sistemet parlamentare zakonisht janë pasqyrim i shumicës parlamentare.

Ndarja e pushteteve sot më tepër ka një kuptim të ndarjes së përgjegjësive kushtetuese në ushtrimin e autorizimeve, të cilat u ngarkohen degëve të veçanta të pushtetit. Mirëpo, e veçanta e sistemeve parlamentare është ekzistimi i presidentit, si kreu i shtetit, krahas një qeverie e cila është e ngarkuar me detyra ekzekutive.

Për t’u kuptuar pozita e kreut të shtetit në sistemin parlamentar duhet t’u referohemi interpretimeve kushtetuese bashkëkohore. Mirëpo, para se të shpjegojmë domethënien bashkëkohore të rolit që ka presidenti në sistemet parlamentare duhet të theksojmë se sistemi parlamentar i qeverisjes (në një republikë, jo në monarki) u shfaq në Gjermani në vitin 1919. Sipas Kushtetutës së Vajmarit, presidenti zgjidhej drejtpërdrejt nga populli dhe ishte menduar si një zëvendësues i monarkut (Ersatzkaiser), i cili përmes zgjedhjes së drejtpërdrejtë do të mundë të vendoste një ekuilibër mes ekzekutivit dhe legjislativit. Me theks të veçantë kufizimin e autoritetit të parlamentit. Zgjedhja e drejtpërdrejtë e kishte fuqizuar edhe rolin dhe pozicionin e tij kushtetues.

Mirëpo, ky model i qeverisjes ishte treguar i pasuksesshëm, sepse me kalimin e kohës presidenti kishte ndërtuar një autoritet diktatorial karshi parlamentit. Sidomos duke u bazuar në kompetencat e tij ligj dhe kushtetutëdhënëse. Me kalimin e kohës u anashkalua tërësisht roli i parlamentit si organ legjislativ dhe u zëvendësua me akte presidenciale, të cilat në raste të caktuara kishin rang kushtetues. E drejta për ta shpërndarë parlamentin u kthye në mekanizëm të kalkulimeve personale të presidentit dhe sa herë që kishte mospajtime e ushtronte këtë të drejtë. Me ardhjen në pushtet të Hitlerit u bashkua pozicioni i presidentit të shtetit me atë të kancelarit, ndërsa parlamenti dhe vetë Kushtetuta e Vajmarit në mënyrë të heshtur u shfuqizuan.

Gjykatat Kushtetuese bashkëkohore në vendimet e tyre kanë konstatuar se presidenti i shtetit në një sistem parlamentar nuk duhet të shikohet si pjesë e cilitdo prej pushteteve. Ai është kreu i shtetit dhe nuk është i ngarkuar me detyra ekzekutive ose legjislative. Pavarësisht që ka rol ceremonial në këto procese. Mirëpo, ai është i zhveshur nga kompetenca vetanake. Atij i takon e drejta të informohet nga ekzekutivi për politikën e brendshme dhe të jashtme dhe i shpall ligjet. Pavarësisht që ai nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare, presidenti i shtetit në sistemet parlamentare nuk e shpreh vullnetin e tij (as si person, as si institucion), por ai vepron në bazë të autorizimeve të ekzekutivit ose legjislativit. Nëse ka dilema për kushtetutshmërinë e një akti, atëherë ai i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për dallim nga kompetencat që kishte në fillim të shek. XX, kur i njihej e drejta e kontrollit material kushtetues, sot një e drejtë e tillë nuk i njihet.

Presidenti ka funksion reprezentativ (brenda dhe jashtë), por nuk është reprezentues i vullnetit të tërësisë. Ai mund të konsiderohet si përfaqësues i tërësisë, ngjashëm sikurse një i autorizuar në proceset juridike civile ose penale, i cili ndërmerr veprime në emër dhe për një person tjetër. Dallimi në mes të termeve reprezentim dhe përfaqësim në të drejtën kushtetuese më së lehti sqarohet me një analogji në mes të termeve sundim dhe qeverisje. Pavarësisht që tingëllojnë të njëjta, ato esencialisht kanë kuptime të ndryshme.

Parlamenti si pushtet konstituiv dhe raporti me presidentin e Republikës

Elaborimet e mësipërme vetëm se e kanë krijuar një pasqyrë më të qartë rreth mitit që kanë krijuar ata që janë afër presidentit të Kosovës se ai ka kompetencë që buron nga Kushtetuta për të udhëhequr bisedimet me Serbinë. Doktrina dhe praktika kushtetuese i ka sqaruar sipas metodave të interpretimit kushtetuese rolet, funksionet dhe pozicionet e organeve kushtetuese në të gjitha aspektet.

Nuk ka dyshim se vetëm Kuvendi si tërësi, i zhveshur nga militantizmi partiak dhe interesat e ngushta, ka autorizime për të shprehur vullnetin politik të tërësisë. Jo deputeti si i veçantë, por vetëm vullneti i shprehur i shumicës së deputetëve mund të konsiderohet si vullnet i popullit. Ajo që po ndodh në Kosovë është pikërisht ajo që Ruso (Rousseau) kishte ngritur si shqetësim, kur me të drejtë e thekson se nuk mund të konsiderohet demokratike kur 90 të korruptuar sundojnë mbi 10 persona të ndershëm, pasi kjo nuk pasqyron demokracinë substanciale. Schmitt me të drejtë konstaton se një vullnet i korruptuar nuk mund të jetë reprezentues i tërësisë.

Pavarësisht të metave që janë shfaqur në praktikën parlamentare të Kosovës, nuk mund të mohohet pozicioni juridik dhe doktrinar i Kuvendit si reprezentues i vetëm i popullsisë.

Obligimi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me paqen, territorin, aleancat ose edhe integrimi në bashkësitë ndërkombëtare nga ana e Parlamentit na kujtojnë vitin 1791, kur për të parën herë në Francë u kufizua pushtetit i kreut të shtetit. Kësisoj me të drejtë konstitucionalistët konstatojnë se pikërisht ratifikimi i marrëveshjeve të karakterit të tillë e shpërfaqin dominimin e Parlamentit si reprezentues, ndërsa kreun e shtetit si një përfaqësues, i cili, si thotë Schmitt, formalisht i shkëmben ose dorëzon certifikatën ose notën e ratifikimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Për më tepër, presidenti i Shtetit nuk ka mekanizëm për të garantuar ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Pavarësisht që atë e zgjedh Kuvendi, për shkak se është i zhveshur nga kompetencat ekzekutive, nuk ekziston raport i llogaridhënies dhe kontrollit ndaj Kuvendit, ashtu si e ka Qeveria. Presidenti mund të paditet në Gjykatën Kushtetuese përmes një padie presidenciale, mirëpo Kuvendi nuk ka të drejtë ta kontrollojë sikurse Qeverinë. Absurdi që ka ndodhur në Kosovë, kur presidenti ka shkuar për të raportuar në Qeveri, paraqet një shkelje të pastër dhe të rëndë të Kushtetutës. Qeveria i raporton Kuvendit, ndërsa presidenti vetëm informohet rreth vullnetit politik të formësuar në institucionet që kanë këtë kompetencë.

Historia kushtetuese ka regjistruar raste kur parlamentet kanë hezituar ta ratifikojnë një marrëveshje ndërkombëtare, por edhe raste kur qeveritë që kanë ardhur më pas kanë refuzuar të marrin përsipër obligimet ndaj shteteve të tjera, të cilat kanë qenë rezultat i marrëveshjeve ndërkombëtare të lidhura nga paraardhësit e tyre.

Prandaj, pozicioni kushtetues i presidentit të Republikës së Kosovës duhet të shikohet në kuadër të tërë sistemit kushtetues. Normat kushtetuese nuk guxojnë dhe nuk mund të lexohen si të shkoqitura. Pavarësisht deklaratave të Presidencës së Kosovës ose të shefit të Grupit Parlamentar të ish-partisë së presidentit se Kushtetuta e mandaton ex-lege atë për të udhëhequr dialogun me Serbinë, është fakt notor se veprimet e tij në Bruksel janë tejkalim i kompetencave kushtetuese dhe cenim i rëndë i rendit kushtetues. Ato paraqesin deklarata të pasakta të shërbyesve politikë, të cilët institucionet shtetërore dhe për fat të keq edhe vetë Parlamentin e kanë kthyer nga një reprezentues të vullnetit të popullit të Kosovës në një institucion që u shërben interesave dhe militantizmit partiak!

Autori është kandidat për doktoraturë në universitetin “Heinrich Heine” në Düsseldorf në kuadër të programit të bursës “Johannes-Rau”. Qëndrimet e shprehura janë personale dhe nuk shprehin qëndrimet e institucionit)

 

© zëri.info