Zërat
Arbelina Dedushaj
Arbelina
Dedushaj

Përballja e zyrtarëve të prokurimit me drejtësinë, ana e errët e komunave

Zërat July 11, 2018 - 12:12
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Jo rrallëherë nën “llupën” e Prokurorisë së Shtetit janë gjendur zyrtarë, të cilët kanë pasur ose kanë në dorë fatin e tenderëve komunal. Përpjekjet e organit të ndjekjes për ta mbrojtur paranë publike shpesh kanë rezultuar edhe me ngritje të aktakuzave për këta zyrtarë, sidomos për vepra penale të korrupsionit.

Së fundi një aktakuzë e tillë është ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit kundër shefit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Salih Kçiku. Kjo aktakuzë e ngarkon Kçikun me dy vepra penale, “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Asgjësim ose fshehje të materialit arkivor”.

Ndonëse e njëjta është ngritur në janar të këtij viti këto vepra penale pretendohet t’i ketë kryer gjatë vitit 2014. Në dispozitiv të aktakuzës thuhet se në cilësi të personit zyrtar si drejtor i Prokurimit në këtë Komunë, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Për këtë aktakuzë eprori i tij, kryetari i Komunës Lutfi Haziri, pas disa javësh kishte marrë masa, duke suspenduar të njëjtin nga kjo detyrë deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës. Ky rast momentalisht është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit, për të cilat akuza Kçiku në shqyrtimin fillestar të këtij procesi gjyqësor është deklaruar i pafajshëm.

Një tjetër zyrtar i Prokurimit, i cili është përballur me drejtësinë, është ai i Komunës së Pejës, Xhemë Berisha. Por, i njëjti tani është i lirë ta ushtrojë detyrën e tij, pasi në prill të këtij viti për herë të tretë është liruar nga akuza për “Shpërdorim të detyrës zyrtare”. Në aktakuzë thuhej se ky zyrtar i Prokurimit kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Këto shkelje, sipas Prokurorisë, i kishte bërë në tenderin për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të administratës komunale, të institucioneve shëndetësore, arsimore dhe kulturore, të cilin e kishte fituar kompania “Network”.

Kjo kompani pretendohej që nuk i kishte përmbushur obligimet e marra në kontratë për pagesën e obligimeve tatimore, me ç’rast Administrata Tatimore e Kosovës ia kishte bllokuar xhirollogarinë. Sipas aktakuzës, për t’u ikur obligimeve tatimore njëri prej pronarëve të kësaj  kompanie, Kujtim Selmanaj, kishte ndërruar emrin e  kompanisë nga “Network” në “Selmans Network”, duke hapur edhe xhirollogari të re. Me këtë rast Berisha akuzohej se edhe duke e ditur këtë fakt kishte urdhëruar thesarin që të vazhdojë me kryerjen e pagesës në emrin e ri të kompanisë e atë në shumën prej 106.609.53 eurosh.

Po ashtu në prill të këtij viti edhe Prokuroria Themelore në Pejë ka hequr dorë nga akuza që i ishte vënë në barrë një zyrtari tjetër të prokurimit, atij të Komunës së Deçanit Xhevdet Ramosaj. Tërheqjen nga kjo aktakuzë e kishte bërë prokurori i kësaj Prokurorie Agim Kurmeha, vendim të cilin e kishte arsyetuar me atë se ekspertiza e kishte bindur në pafajësinë e tij dhe të zyrtarëve të tjerë, që kanë qenë pjesë e aktit akuzues.

Ramosaj akuzohej se kishte tejkaluar kompetencat e tij, duke mos ia dërguar kryetarit të Komunës, si zyrtari më i lartë administrativ, që ta nënshkruajë kontratën për tenderin e servisimit të automjeteve të Komunës. Edhe Komuna e Gjakovës ka pasur një zyrtar që ka dalë para drejtësisë për një tender për asfaltim të rrugës së një fshati. 

Nikollë Lleshi, ish-shef i Prokurimit në këtë Komunë, akuzohej për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, por të njëjtën aktakuzë në mungesë provash e kishte hedhur Gjykata Themelore e Gjakovës.                                                     

Së bashku me Lleshajn i përfshirë në aktakuzë kishte qenë edhe ish-kryetari i kësaj Komune e tani ministër i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe zyrtari Qazim Mehmeti.                                                   

 Këto procese gjyqësore nuk janë të vetmet për zyrtarët e prokurimit, pasi edhe ata të nivelit qendror janë përballur vazhdimisht me drejtësinë, sidomos zyrtarët e prokurimit të disa prej ministrive.                          

Pavarësisht fatit të këtyre aktakuzave, ato kanë bërë që prokurimit publik t’i bije një hije e zezë, gjë që pastaj gjithnjë e më shumë po zbeh besimin e qytetarëve nëse do të ketë procese të tenderimit të drejta dhe të ligjshme. Mungesa e prokurorëve të profilizuar po kontribuon në dështimin për t’i mbrojtur këto aktakuza para Gjykatës, veçanërisht në rastet që lidhen me shkeljet në prokurim publik.

Shoqëria civile vazhdimisht ka ngritur si problem edhe çështjen e mosbashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos me Prokurorinë e Shtetit dhe Hetuesinë. Ky mosbashkëpunim ka bërë që veprimet e kundërligjshme jo vetëm zyrtarëve të prokurimit, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë në procedurat e tenderimit të kalojnë pa u ndëshkuar nga askush.


Ky opinion është përgatitur nga Arbelina Dedushaj, hulumtuese në “Demokraci Plus” (D+)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK