Zërat

Sa mbrohet pronësia intelektuale në Kosovë?

Zërat July 03, 2018 - 14:03

Vlera ekonomike e krijimeve, si veprat muzikore, letrare, vepra tjera të artit, por edhe programet softuerike, logot ose emrat dhe brendet mbrohen përmes Institucionit të Pronës Intelektuale. Përmes saj mbrohen ndërmarrjet nga dëmi që mund t’u shkaktohet nga shkelja e pronës intelektuale përmes konkurrencës së pandershme ose piraterisë.

Nuk mbrohet vetëm tregu, por edhe konsumatori, edhe prodhimet vendore. Mirëpo, sa janë të vetëdijshëm ndërmarrësit dhe krijuesit kosovarë për rëndësinë dhe për mënyrat e mbrojtjes së krijimeve të tyre nga konkurrenca e pandershme?

Nga diskutimi që u zhvillua në kuadër të Salloneve të së Martës “Ballafaqimi me të vërtetën: Sa mbrohet pronësia intelektuale në Kosovë?”, pjesëmarrësit e Sallonit u ballafaquan me informata dhe me fakte jo shumë të njohura për ta.

Edhe pse mbrojtja e pronësisë intelektuale ndërlidhet me shumë fusha dhe ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe mbrojtjen e tregut të lirë, është temë akoma pak e njohur për opinionin e gjerë.

Panelistët, ekspertë dhe njohës të kësaj fushe, theksuan që duhet bërë akoma më shumë jo vetëm në vetëdijesimin e ndërmarrësve dhe të krijuesve kosovarë për t’i mbrojtur veprat e tyre, duke i konsideruar ato si asetet më të çmueshme të ndërmarrjes, por edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për të mos blerë vepra të falsifikuara, duke shkelur pronësinë intelektuale.

Në Kosovë është krijuar infrastruktura institucionale dhe janë aprovuar ligjet që rregullojnë dhe garantojnë mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Si storie suksesi u veçua task-forca që implementoi strategjinë kundër falsifikimit dhe piraterisë.

Përmes saj nga tregu janë larguar të gjitha CD-të dhe DVD-të pirate që përmbanin muzikë të huaj, filma dhe softuerë, duke përfshirë dhe kontributin e madh që jep Dogana e Kosovës në luftimin e kësaj dukurie. Mirëpo, u kritikua ashpër mosangazhimi i duhur nga ana e Inspektoratit të Tregut për të ndërmarrë masa mbrojtëse brenda territorit të Kosovës për t’i mbrojtur markat tregtare.

Keqpërdorimi i logove të markave të njohura botërore përcjell mesazh që në Kosovë nuk mbrohen markat tregtare dhe rrjedhimisht mund të ketë ndikim negativ në vendimmarrjen e investitorëve potencialë për të investuar në Kosovë. Në debat u tha që duhet të shihet një gatishmëri akoma më e madhe në ndalimin dhe në luftimin e përdorimit të paautorizuar të markave tregtare.

Panelistët u pajtuan që ka ngecje në zbatimin e ligjeve. Njëri faktor që u veçua është mungesa e ekspertëve në këtë fushë shumë specifike të së drejtës, duke përfshirë këtu mungesën e stafit të kualifikuar në sistemin gjyqësor për t’u marrë me çështjet e së drejtës së pronësisë intelektuale, e në veçanti kur bëhet fjalë për marka tregtare dhe patenta.

Faktori tjetër është kërkesa për mbrojtjen e veprave, produkteve, markave origjinale që duhet të vijë nga vetë ndërmarrja ose krijuesi. Duke qenë se e drejta e pronësisë intelektuale është e drejtë private, duhet që vetë krijuesi të kujdeset për mbrojtjen e saj përmes mekanizmave ekzistuese.

Gjatë debatit pati konsensus që mbrojtja duhet të kërkohet nga vetë krijuesi. Kështu u inkurajuan krijuesit e veprave të artit, veprave letrare, muzikore, shpikjeve ose edhe programeve softuerike që t’i mbrojnë krijimet e tyre përmes së drejtës autoriale, markave tregtare, patentave ose sekretit afarist, përmes kontratave dhe institucioneve përkatëse si Zyra e Pronësisë Industriale në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë dhe Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Rëndësi të veçantë gjatë diskutimit i është dhënë çështjes së rregullimit të bartjes të së drejtës së pronësisë intelektuale përmes kontratave të punës, që përmbajnë nene të detajuara të cilat lidhen me krijimtarinë gjatë marrëdhënies së punës.

Punëdhënësve u është bërë apel që t’i lidhin kontratat me punonjësit e tyre që krijojnë vepra, dizajne, programe softuerike ose aplikacione për kompaninë gjatë marrëdhënies së punës, që të drejtat të barten te punëdhënësi.

Mbrojtja e pronësisë intelektuale konsiderohet të jetë katalizator për zhvillimin ekonomik, por edhe shkencor e kulturor të një vendi. Si e tillë duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur nga të gjitha institucionet vendore.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK