Zërat

Egzon Osmanaj

Zgjidhja e mosmarrëveshjes për emrin e Maqedonisë si model për kontestin Kosovë-Serbi

30 qershor 2018 • 10 : 14

Mosmarrëveshjet bilaterale ndërmjet vendeve të Ballkanit vazhdojnë të mbesin pengesa kryesore për demokratizimin dhe arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Këto konteste janë përdorur nga elitat politike të vendeve të Ballkanit për të mbajtur pushtetin por edhe për të pamundësuar reformat të cilat do të cenonin vetë këto elita.

Në anën tjetër, mungesa e ofrimit të një perspektive të qartë të anëtarësimit në BE për këto vende ka ndikuar në zvarritjen e zgjidhjes së këtyre konflikteve. Marrë parasysh rrethanat aktuale, mosmarrëveshjet bilaterale ndërmjet vendeve të Ballkanit duket se do të vazhdojnë edhe për një kohë. Megjithatë, zgjidhja e çështjes së emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë ka ofruar një formulë të qartë e cila mund të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhjen e kontesteve të tjera në Ballkan, përfshirë këtu edhe atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mosmarrëveshja për emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë daton që nga pavarësimi i kësaj të fundit. Gati tri dekada më pas, këto dy vende janë në fazën finale të zgjidhjes së këtij problemi. Por pse zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje po ndodhë tani dhe cilat janë mësimet që mund t’i nxjerrim nga zgjidhja e saj në raport me kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Fillimisht, zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë u iniciua pas ndryshimit të elitave politike në pushtet në të dy vendet, veçanërisht në Maqedoni. Ardhja e forcave racionale progresive në pushtet në Greqi dhe Maqedoni, krijojë mundësi që çështja e emrit të zhveshet nga konotacioni nacionalist, gjë e cila e ka pamundësuar zgjidhjen e këtij problemi deri më tani.

Elita e mëhershme politike në Maqedoni, e përfshirë në korrupsion dhe me tendenca autoritare, duke u fshehur pas nacionalizimit, e ka përdorur kontestin e emrit si mjet për të pamundësuar demokratizimin e vendit dhe inicimin e reformave të kërkuara nga BE, të cilat do të cenonin interesat e elitës politike të atëhershme në Maqedoni. Rrjedhimisht, elita politike maqedonase në pushtet ishte e interesuar që ta zvarriste sa më tepër që ishte e mundur zgjidhjen e këtij problemi, me qëllim që të shmangte shpërfaqjen e problemeve reale si korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e demokracisë. Së dyti, mungesa e një perspektive të qartë të anëtarësimit në BE, i pamundësonte forcave pro-europiane të interesuara në reforma që të përdorin procesin e integrimit në BE si mjet për të mobilizuar masën kundër elitës së korruptuar në pushtet. Në momentin që Maqedonisë iu ofrua një avancim real në rrugën e saj të anëtarësimit në BE dhe kur vetoja Greke mbeti pengesa kryesore për avancimin e Maqedonisë në integrimet euro-atlantike, mbështetja dhe gatishmëria për të gjetur një zgjidhje për problemin që ishte pengesë në rrugën e anëtarësimit, u rrit në mënyrë drastike.

Prandaj, kombinimi i këtyre dy faktorëve, kërkesës nga brenda për ndryshim dhe ofrimit të perspektivës së qartë të anëtarësimit, ishin çelësi i suksesit në rastin e Maqedonisë. Situatë e ngjashme e karakterizon edhe kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i Brukselit ndërmjet dy vendeve, i lehtësuar nga BE-ja, tashmë ka hyrë në vitin e tij të tetë ndërsa fundi i tij ende është i paqartë. Shumica e marrëveshjeve të arritura deri më tani nuk janë zbatuar dhe incidentet e kohëpaskohshme ndërmjet dy vendeve kanë qenë të vazhdueshme. Zvarritja e zgjidhjes së këtij kontesti, ndër të tjera, është rezultat i po këtyre dy faktorëve që u përmendën më lartë: mungesës së kërkesës nga brenda për ndryshim dhe mungesës së perspektivës së qartë për anëtarësim në BE. Elita politike në Serbi e ka zvarritur zgjidhjen e problemit me Kosovën në mënyrë që të vazhdojë të mbajë BE-në të fokusuar në këtë proces dhe të shmang ndërmarrjen e reformave të cilat do t’i cenonin pushtetin dhe interesat e kësaj elite.

Presidenti Vuçiq, i konsideruar si njeriu i duhur nga bashkësia ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e hapur me Kosovën, në vazhdimësi ka dërguar sinjale se është i interesuar që të gjej zgjidhje për këtë problem, por në të njëjtën kohë, e ka zvarritur zgjidhjen e tij në çdo formë të mundshme. Vuçiq, i kritikuar për qeverisjen e tij autoritare, kontrollimin e mediave dhe cenimin e lirisë së shprehjes, është i vetëdijshëm se hapi i ardhshëm pas zgjidhjes së kontestit me Kosovën, do të jetë nisja e reformave për demokratizim, që do të cenojnë drejtpërdrejt pushtetin e tij dhe interesat e elitës politike në Beograd.

Ndërsa, ofrimi i përfitimeve të prekshme nga BE për Serbinë ka detyruar elitën politike të Beogradit që të angazhohet më seriozisht në dialogun me Kosovën. Një gjë e tillë është dëshmuar me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë të parimeve kur ofrimi i hapjes së negociatave për anëtarësim si shpërblim nga BE, kishte mundësuar arritjen e kësaj marrëveshje.

Në anën tjetër, elita kosovare duket se ka qenë më e interesuar për të zgjidhur kontestin me Serbinë. Për dallim nga elita politike në Beograd për të cilën zgjidhja e kontestit me Kosovën mund të prodhojë pakënaqësi në çfarëdo epilogu, në Kosovë, zgjidhja e problemit me Serbinë, duke e ruajtur një shkallë shtetësie, mund të përdoret nga elitat në pushtet si mjet për të mobilizuar masat rreth tyre. Megjithatë, meqë procesi është jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe me epilog të paqartë, edhe në mesin e elitës politike kosovare ka hezitime për të marrë përgjegjësi në këtë proces. Ndërsa, ofrimi i përfitimeve të prekshme nga BE, edhe pse jo i një perspektive te qartë të anëtarësimit, ka qenë i rëndësishëm edhe në rastin e Kosovës, për ta motivuar atë që të jetë e angazhuar në ketë proces.

Marrëveshja e parë e parimeve ishte arritur pikërisht në kohën kur Kosovës i ishte ofruar nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si shpërblim për arritjen e kësaj marrëveshje. Sidoqoftë, si në Serbi, edhe në Kosovë kërkesa e brendshme për ndryshime, edhe pse në rritje, ka qenë e pamjaftueshme dhe është dëmtuar nga mungesa e një perspektive të qartë të anëtarësimit në BE. Në rastin e Kosovës, perspektiva e anëtarësimit është e paqartë me pesë vendet e BE-së të cilat nuk e njohin ende shtetësinë e Kosovës.

Ndërsa, ofrimi i një perspektive të qartë të anëtarësimit për Serbinë së fundi, me një afat kohorë të specifikuar, është motivim i rëndësishëm për palën Serbe që të kërkojë zgjidhjen e kontestit me Kosovën, i cili mbetet parakusht për të avancuar në rrugën e integrimit në BE. Mirëpo, mungesa e kërkesës nga brenda për ndryshim në Serbi mund të qojë në përmbushjen ‘false’ të kritereve të vëna nga BE, gjë e cila do të prodhonte një zgjidhje të paqëndrueshme të kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme, përveç ofrimit të një perspektive kredibile të anëtarësimit, një kërkesë e fuqishme nga brenda për ndryshim është e nevojshme dhe e domosdoshme. Rrjedhimisht, arritja e një zgjidhje të qëndrueshme afatgjate ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkon si parakusht zëvendësimin e elitave aktuale në të dy vendet nga forcat racionale progresive, të çliruara nga e kaluara nacionaliste dhe ofrimin e një perspektive të qartë të anëtarësimit nga BE. Autori është hulumtues në fushën e integrimeve evropiane

© zëri.info