Zërat
Adnan Rrustemi
Adnan
Rrustemi

Velloja zvetënuese e Qeverisë jolegjitime

Zërat June 29, 2018 - 11:29
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Legjitimiteti është parim themeltar për një qeverisje demokratike. Natyrisht i pamjaftueshëm për të garantuar demokraci të mirëfilltë, por i domosdoshëm, i patejkalueshëm dhe determinues edhe për atributet e tjera në drejtim të demokratizimit më të gjerë e më të thellë. 

Mungesa e legjitimitetit demokratik dhe kushtetues pashmangshëm rrëshqet nga qeverisja në administrim, nga drejtimi në diktat dhe nga pushteti në sundim. Në njërën anë pakicë elektorale e parlamentare e nën anën tjetër disfunksionalitet e pezullim të institucioneve kushtetuese. Për rrjedhojë kemi pezullim të Republikës parlamentare nga mbivendosja e Republikës së pakicës qeveritare. 

Qeveria pa shumicën parlamentare nuk është qeverisje as demokratike e as kushtetuese. Madje është çështje ditësh kur nuk do të jetë as qeverisje, por sundim. Sundim mbiparlamentar, mbikushtetues e antikushtetues. I referohem këtu dallimit që ia bën Hannah Arendt mes pushtetit si qeverisje dhe sundimit. Pushtetin të kuptuar si vullnet që i takon gjithmonë një shumësie të dhënë njerëzore dhe për të përbashkëtën, e cila nuk është kurrë një veti individuale.

Ndërsa sundimin të parë si raport hierarkik mes qeverisësve dhe të qeverisurve, ku besimi i qytetarëve është i humbur në pushtetin si qeverisje dhe si përfaqësim. Ky dallim në mes të qeverisjes dhe sundimit po na shpaloset përditë në Kosovë. Ndërsa dilema që mbetet këtu ka të bëjë se deri në cilën pikë do të përdoret zallamahia e qeverisjes së pakicës dhe pa Kuvendin si ligjvënës e veçmas si kontrollues e mbikëqyrës.                                                                                                                                                         

Qeveria aktuale ndodhet në krizë të shumëfishtë legjitimiteti si vello që mbulon atë dhe çdo veprim të saj të papërgjegjshëm. Nga mungesa e legjitimitetit demokratik (pakicë elektorale), ai programor (braktisje të qëndrimeve e zotimeve) e deri tek ai kushtetues e procedural (pakicë në Kuvend).

Qytetarët nuk e vërejnë praninë e qeverisjes, por Qeveria ndihet kudo kur bëhet fjalë për skandalet e saj: numri i pafundmë i zëvendësministrave e koordinatorëve, dyfishimi i pagave të tyre, deportimi i gjashtë turqve, 53 milionë euro “Bechtel Enka”-s pa bërë asnjë punë, falimentimi i PTK-së, përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga EQAR-i e emërimi i aparatçikëve në krye të ndërmarrjeve publike, janë të vetmet veprime që e përbëjnë, po aq sa e shpjegojnë këtë Qeveri. 

Opozitari i djeshëm, që sot mban vetëm petkun e kryeministrit, ironikisht kishte kundërshtuar veten apriori. Çdo veprim të tij si kryeministër jo që do ta kundërshtonte ashpër si opozitar, por edhe e kishte bërë tashmë, paraprakisht. Gjithçka që kishte thënë si opozitar se nuk duhet të bëhet po e bën si qeveritar.

Sundimin e ligjit e ka zëvendësuar me thellim të kapjes së shtetit; vendet e lira të punës me punësime zëvendësministrash e koordinatorësh; zhdukjen e varfërisë me luksin qeveritar e dyfishim pagash për veten e tij dhe armatën qeveritare; papunësinë e lartë me punësime militantësh, për t’u mbyllur cikli, me atë që do të befasonte edhe skeptikun më të madh: kapërcimin nga mbrojtja e territorit shtetëror në faljen e 8200 hektarëve përmes Demarkacionit dhe me bosnjëzimin e vendit me fillimin e themelimit të “Zajednicës”.

Qytetarët janë indiferentë ndaj qeverisjes jo se kanë humbur shpresën, shpresë nuk kishin asnjëherë në këtë Qeveri, së cilës as nuk i kanë dhënë besim. Shumica e votuesve kanë votuar për subjektet politike opozitare. Mbi njëqind mijë vota më shumë ka opozita sesa koalicioni qeveritar. Madje edhe ata votues që janë identifikuar gjatë fushatës me Haradinajn nuk mund të identifikohen me veprimet e tij përgjatë qeverisjes. 
Haradinaj është kryeministri më i pambikëqyrur.

E tërë qeverisja e tij është në duar të ndërgjegjes e vetëkufizimeve të tij, që as njërën e as tjetrën nuk i ka. Edhe po t’i kishte, një demokraci nuk mund të varet e aq më tepër të kufizohet në to. E “vetëkufizimi” i tij po i kushton vendit me miliona euro akomodim militantësh diletantë në kompani publike, thellim e zgjerim të kapjes së shtetit, humbje të territorit e ndarje të vendit me “Zajednicën”.

Legjitimiteti në vetvete nuk garanton as qeverisje efikase e as qeverisje të mirë, por mungesa e legjitimitetit demokratik e kushtetues pakthyeshëm e me shpejtësi përfundon në keqqeverisje e autokraci, që mendjen ka te zhvatja, si i arratisuri nga kështjella që kap sendet më të vlefshme me bindjen që nuk do të kthehet kurrë më atje.

Tash që e ka kuptuar se Qeveria/kështjella ka rënë ai edhe mund të mos kthehet asnjëherë aty, edhe nuk do të kthehet, por koha që ka në dispozicion për t'u larguar edhe formalisht është periudha e boshatisjes më të madhe të arkës së shtetit, vazhdim të koncesioneve Serbisë përmes dialogut e pakthyeshëm dëmtim të integritetit shtetëror. 

Këtu, më shumë se kudo tjetër, vjen në shprehje përgjegjësia që kanë deputetët pseudoopozitarë, të cilët sa më tepër që e mbajnë në këmbë këtë Qeveri, qoftë me heshtje a me mbështetje indirekte, po i japin kohë zvetënimit e boshatisjes së pasurisë publike. Deputetët që së paku formalisht janë në opozitë kanë dy rrugë: të sillen si opozitë e njëmendtë dhe kështu të mbështesin kërkesën për zgjedhje si zgjidhja e vetme ose ta mbajnë paktin me Qeverinë e pakicës. Një pakt për të cilin duhet folur hapur e për të cilin do të përgjigjen politikisht para qytetarëve herët a vonë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK