Zërat
Greg Delawie
Greg
Delawie

Suksesi në bujqësi nuk është rastësi

Zërat June 27, 2018 - 11:05

Opinion i shkruar ekskluzivisht për gazetën “Zëri” nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie

Vetëm ca vite më parë pronari 27-vjeçar i një biznesi, Trimor Hyseni, kurrë nuk do të mundë të paramendonte se ai një ditë do të bëhej një fermer i suksesshëm i mjedrës ose të jetë në ballë të një revolucioni të vrullshëm në sektorin bujqësor të Kosovës. Por, në sajë të nismës së tij vetanake dhe këshillave teknike nga ekipi bujqësor i USAID-it ka vjelë mjedra në vlerë prej 25,000 eurove në parcelën e tij të vogël qysh në stinën e tij të parë të marrjes me këtë kulturë bujqësore.

Sot ai dhe familja e tij janë shembuj të jashtëzakonshëm të asaj që është e mundshme kur merr riskun për të filluar diçka të re. Më se 70% e 3000 prodhuesve të mjedrës në Kosovë sot janë të rinj që mezi presin të ndjekin shembullin e Trimorit.

Tregimi i Trimorit është i fuqishëm sepse për aq sa ne flasim për sfidat e Kosovës është po aq e rëndësishme që të mësojmë nga sukseset e tij. Dhe transformimi i mrekullueshëm që është duke ndodhur në bujqësinë e Kosovës tregon atë që është e mundshme kur gjërat bëhen në mënyrën e duhur. Kalimi nga kulturat bujqësore tradicionale në ato me vlerë të lartë në vitet e fundit, përvetësimi i qasjes së nxitur nga tregu e zinxhiri i vlerës dhe ndryshimi i pikëpamjeve po kanë një efekt vendimtar: e rrisin fitimin, e shtyjnë sektorin drejt së ardhmes dhe i çojnë prodhimet e Kosovës shumë tutje kufijve të saj.

Në të vërtetë, 15 kulturat të cilat USAID-i i përkrah kanë nxjerrë shitje të reja në vlerë prej 66 milionë dollarëve të SHBA-së që nga 2015-a dhe deri në vitin 2020 kjo shifër pritet të ngrihet në 130 milionë në shitje në vend dhe në eksport. Shumë nga këto prodhime kishin pothuajse zero eksport para se të shtyheshin me ndihmën e USAID-it dhe me çdo të vjelë të suksesshme gjithmonë e më shumë studentë universitarë ndjekin karrierë në bujqësi si diçka të dëshirueshme dhe që krijon një jetë të mirë. Pra, çka është dashur të arrihet deri këtu dhe si mund të përsërisim këtë sukses edhe në fushat tjera?

Së pari, është e dobishme që të kuptohen rrethanat dhe përparimi i vërtetë fillon me analizë të mirë. Para një dekade USAID-i ka bërë një studim të gjithanshëm të tregjeve, të topografisë, të modeleve të motit dhe të logjistikës. Ky studim ka nxjerrë një listë të kulturave që do të mundë të transformonin sektorin bujqësor të Kosovës – duke përfshirë mjedrat të cilat e mbajnë Trimorin dhe familjen e tij tani – dhe krijuan një udhërrëfyes të hershëm për sukses.

Po ashtu udhëheqja nga ana e qeverisë lokale dhe qendrore në përkrahjen për këto kultura jotradicionale me vlerë të lartë ishte thelbësore për të ndihmuar që fermerët të binden të investojnë në kulturat e reja dhe për t’i ndryshuar pikëpamjet në tërë sektorin. Shpesh kemi parë se kur qeveritë komunale investojnë në bujqësinë në nivel lokal dhe bëhen partnerë me donatorët, atëherë burimet vendore përdoren me mençuri dhe në mënyrë strategjike. 

Që kjo të bëhej në mënyrën e duhur po ashtu nënkuptonte marrjen e vendimit të vështirë për të ndërprerë vënien e theksit mbi përkrahjen direkte të fermerëve me anë të donacioneve. Braktisja e llojit të ndihmës në të cilën njerëzit janë mbështetur me kohë është gjithmonë e vështirë, por po ashtu është edhe një hap i domosdoshëm përpara në drejtim të qëndrueshmërisë më afatgjate. Kjo është arsyeja pse SHBA-ja ndjek qasjen e shtyrë nga tregu – lehtësimi i lidhjeve me tregun dhe ofrimi i trajnimeve dhe i ndihmës teknike – por ne kurrë nuk e fusim veten tonë në mes të zinxhirit të vlerës. 

Partnerët strategjikë të Kosovës kanë qenë në krye që nga fillimi duke stimuluar më shumë fermerë, grumbullues (shitës me shumicë) dhe shitës me pakicë, që të punojnë së bashku, që të përmirësojnë cilësinë e produktit dhe që të dalin në tregje të reja. Këtë lloj të bashkëpunimit e kam parë personalisht verën e kaluar në Shtërpcë kur u takova me Nysrete Ramadanin, një kultivuese dhe grumbulluese e bimëve mjekuese e aromatike dhe anëtare e shoqatës së grave “Boronica e Sharrit”.

Shoqata forcon bashkëpunimin mes grave fermere në rajon – nga bashkësitë shqiptare dhe serbe të Kosovës dhe me ndihmën e një grumbulluesi rajonal ajo ndihmon që prodhimet e tyre të arrijnë të eksportohen në tregje aq të largëta si Austria, Gjermania dhe Zvicra. Gjersa tregu i BE-së është duke parë se Kosova është një furnizues i besueshëm me produkt të cilësisë së lartë kjo krijon një cikël besimi në çdo hap përgjatë zinxhirit të vlerës, gjë që ndihmon për të mbështetur rritjen në tërë sektorin. 

Pengesa do të ketë dhe çdo fermer di të presë ca mot të keq përgjatë procesit, por suksesi i qëndrueshëm dhe afatgjatë do të thotë të shikosh nga e ardhmja. Shoqatat kombëtare duhet të vazhdojnë ta bashkojnë me sektorin për t’i zgjidhur problemet e përbashkëta. Qeveria e Kosovës duhet t’i adresojë vazhdimisht çështjet e gjithë industrisë për të mirën e gjithë sektorit dhe jo vetëm për disa që kanë lidhje të mira. Dhe universitetet e Kosovës duhet të investojnë më shumë në arsimimin, hulumtimin, zgjerimin bujqësor dhe karrierën bujqësore. 

Suksesi nuk është rastësi dhe qoftë ai në bujqësi, në sundimin e ligjit, në siguri të energjisë ose çka do tjetër, aty nuk ka rrugë të shkurtër. Duhet pasur informata, bashkëpunim, guxim dhe shumë këmbëngulje për t’i ndryshuar mendjet dhe për të arritur rezultate të qëndrueshme. Duhet pasur fushë të barabartë në të cilën meritat dhe puna e vështirë shpërblehen, ashtu që më të mirët dhe më të zgjuarit të frymëzohen për të hyrë në këtë fushë.

Para gjashtë muajsh kisha rastin të ulem me disa të sapodiplomuar nga Fakulteti i Bujqësisë i Universitetit të Prishtinës. Këta të rinj ishin të mençur e të pasionuar dhe gjithë çka ata dëshironin ishte një mundësi për të zbatuar dijen dhe entuziazmin e tyre. Për të shtyrë transformimin përpara duhesh të sigurosh mundësi për këta të rinj të sapodiplomuar dhe për të gjithë ata që i ndjekin – dhe të përkrahësh brezin e ardhshëm të udhëheqësve bujqësorë të Kosovës që janë të përkushtuar, të suksesshëm dhe inovativë.          

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK