Zërat
Genc Nimoni
Genc
Nimoni

Prokurimi i paadresuar

Zërat June 13, 2018 - 15:04

Keqpërdorimi i shpenzimit të parasë publike vazhdon të mbetet ndër problemet dhe sfidat kryesore më të cilat ballafaqohet shtetndërtimi i Kosovës. Si mundësi e përfitimit të paligjshëm prokurimi publik në masë të madhe është shfrytëzuar për përfitime përmes keqpërdorimeve nga zyrtarë publikë, grupe të interesit dhe akterë privatë.

Moszbatimi i rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), mungesa e adresimit të gjetjeve të tyre për rastet e identifikuara si shkelje eventuale ligjore e penale, pastaj bashkëpunimi i brishtë institucional në mes institucioneve kryesore në fushën e prokurimit publik, si dhe mungesa e rezultateve të Prokurorisë kanë karakterizuar këtë fushë për vite.

Pikërisht ndër arsyet e vazhdimit të kësaj praktike keqpërdoruese është mungesa e bashkëpunimit dhe rezultateve të organeve të drejtësisë për t’i ndjekur dhe për t’i ndëshkuar përfituesit e paligjshëm, duke i kontribuar kështu keqpërdorimit të parasë publike dhe pasurimit të kundërligjshëm të keqpërdoruesve publikë e privatë.

Rezultatet dhe kapacitetet e munguara të Prokurorisë

Realisht sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor më shumë vazhdojnë të karakterizohen me rastet e dështuara në fushën e prokurimit publik sesa ato të ndëshkuara. 

Sistemi prokurorial ballafaqohet me probleme të shumta, të cilat pamundësojnë rezultatet në ndjekjen dhe argumentimin e aktakuzave ndaj zyrtarëve publikë në veçanti. Ndër arsyet kryesore mbetet dështimi i aktakuzave të prokurorëve, duke mundësuar nxjerrjen e vendimeve liruese nga gjykata në mungesë të provave.

Zëvendëskryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti, në një prononcim për dokumentarin “Tenderomania e (pa)ndëshkuar”, i publikuar në muajin maj, deklaron se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë provash, Gjykata nxjerr aktgjykime liruese. 
Mungesa e provave të Prokurorisë dhe përfaqësimi joprofesional i aktakuzave evidentohet me raste konkrete në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Gjatë muajit prill të këtij viti (29 prill) Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë për dy ekspertë të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), të cilët dyshoheshin për “Keqpërdorim të pozitës ose të autoritetit zyrtar”.

Deri të hedhja poshtë dhe pushimi i procedurave për ekspertët kishte ardhur për shkak të neglizhencës ose refuzimit të qëllimshëm të Prokurorisë për t’u përgjigjur në kundërshtimet e mbrojtjes ndaj aktakuzës, përkundër faktit se një përgjigje e tillë ishte kërkuar nga Gjykata në drejtim të Prokurorisë plot 4 herë.

Lënda kishte të bënte me një rast të dyshimtë tenderimi me barna nga një kompani farmaceutike, në të cilën kishin qenë të përfshirë 3 persona, Gjykata kishte hedhur poshtë aktakuzën për dy ekspertët. 

Një dështim i tillë i prokurores së rastit do të duhej ta sillte para përgjegjësisë disiplinore në mos penale prokuroren, mirëpo që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. 

Mungesës së kapaciteteve profesionale dhe humane të Prokurorisë vazhdon t’i kontribuojë gjithashtu mungesa e ekspertizave profesionale dhe ekspertëve për lëndët e natyrës së prokurimit.

Edhe pse numri i prokurorëve është ngritur në 197 për t’i përmbushur 202 pozitat e lejuara, sistemi prokurorial vazhdon të mos ketë prokurorë të profilizuar për rastet e prokurimit dhe mungesë të ekspertëve të prokurimit, të cilët do të ndihmonin

Prokurorinë në zbardhjen e rasteve të kësaj natyre, si raste më komplekse. 

Trajnimet për prokurorë me modul të veçantë për prokurimin publik, të ofruara nga Akademia e Drejtësisë, vazhdojnë të mos përfillen nga prokurorët, edhe pse të organizuara dy herë në vit.

Mosvijimi i trajnimeve të tilla, përveçse shpërfaq mungesën e vullnetit të prokurorëve për të marrë specializimet e duhura, gjithashtu vazhdon ta çojë Prokurorinë drejt mungesës së rezultateve.

Gjetjet dhe rekomandimet e paadresuara të ZKA-së dhe mungesa e bashkëpunimit

Për vite të tëra rekomandimet dhe gjetjet/shkeljet e konstatuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) nuk janë trajtuar fare nga institucionet dhe Prokuroria, në të cilat gjetje janë konstatuar: keqpërdorim i parasë publike dhe shkelje ligjore e penale.

Një takim i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi me drejtorin gjeneral të ZKA-së Besnik Osmanin gjatë vitit 2017 kishte rezultuar me një marrëveshje verbale për trajtimin e keqpërdorimeve nga ana e Prokurorisë, gjetje këto të konstatuara nga ZKA-ja.

Edhe pse bashkëpunimi ka rezultuar me një frekuencë më të mirë të çështjeve të dërguara në prokurori nga ZKA-ja, ky bashkëpunim ende nuk ka sjellë rezultatet e para të prekshme, të cilat do të rezultonin me aktakuza dhe me ndëshkim të keqpërdoruesve.

Duke u bazuar në gjetjet e organizatave të shoqërisë civile, rekomandimet e ZKA-së mbesin të paadresuara rreth 30% në nivel qendror dhe 40% në nivel lokal, duke pasqyruar kështu përqindje të lartë mosadresimi.

Në anën tjetër, mungesë totale e bashkëpunimit vazhdon të ketë në mes Prokurorisë dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili njihet si gjykatë e tenderëve. OSHP-ja është kompetente për të vendosur për kontestet ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve kontraktuese për procedurat tenderuese të prokurimit.

Gjatë zhvillimit të seancave në OSHP jorrallëherë zbulohen fakte të mashtrimit dhe falsifikimit, mirëpo të cilat nuk procedohen më tutje në Prokurori. Këtë e ilustron më së miri rasti i zhvilluar në seancën në OSHP në mes të  kompanisë “Bageri” dhe  “Papenburg & Ardiani”, muaji shtator 2017.

Në këtë seancë kompania “Bageri” kishte akuzuar publikisht se inxhinieri i saj ishte përdorur nga “Papenburg & Ardiani” në dy tenderë paraprakë, duke i falsifikuar dokumentet. Në lidhje me falsifikimin e dokumenteve OSHP-ja duhet të marrë masën e futjes në listën e zezë të kompanive e gjithashtu duhet denoncuar në Prokurori. OSHP-ja nuk kishte përcjellë në Prokurori keqpërdorimet e tilla.

Duke u bazuar në statistikat e OSHP-së, asnjë rast i tillë nuk është përcjellë në drejtim të Prokurorisë dhe çuditërisht rastet dhe ankesat eventuale të kësaj natyre dërgohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të cilat raste OSHP-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Një bashkëpunim i rregullt në mes të Prokurorisë dhe OSHP-së, përveçse do të mundë të kishte sjellë përgjegjësinë për shkelësit, do të ndikonte gjithashtu në parandalimin e keqpërdorimeve në procedurat e prokurimit publik.

Mungesa e evidencave për rastet e prokurimit publik

Mungesa e evidencave për rastet e prokurimit publik është një e metë tjetër e sistemit prokurorial, duke dëshmuar kështu mungesën e transparencës dhe qasjen joprofesionale të Prokurorisë. Organizata të shoqërisë civile, si monitoruese të organeve të zbatimit të ligjit, kishin kërkuar të dhëna për rastet e prokurimit publik në Këshillin Prokurorial të Kosovës për të pasqyruar epilogun e rasteve të zgjidhura të kësaj natyre. Fatkeqësisht sistemi prokurorial vazhdon të mos posedojë të dhëna për rastet e prokurimit publik të proceduara sipas viteve. 

Mungesa e posedimit të rasteve të tilla për periudhat e ndryshme përveçse pamundëson pasqyrimin e gjendjes me lëndë nëpër prokurori sipas viteve, pamundëson gjithashtu informacionin dhe analizën për mënyrën e zgjidhjes së rasteve të Prokurorisë. Kategorizimi i rasteve të prokurimit do të mundësonte evidentimin e epilogut të tyre në Prokurori dhe gjithashtu nivelin institucional dhe atë të zyrtarëve publikë, duke shënjuar kështu edhe institucionet me shkeljet më të shumta dhe zyrtarët keqpërdorues.

Nevoja për bashkëpunim, avancim profesional dhe rezultate

Bashkëpunimi i organeve me kompetenca të auditimit të parasë publike, me mekanizmat e zbatimit të ligjit, si dhe rezultatet më të theksuara të organeve të drejtësisë do të kishin pasqyruar një situatë krejt tjetër me atë që ndodhet tani prokurimi publik. 

Në anën tjetër, avancimi profesional i prokurorëve përmes vijimit të trajnimeve e specializimeve, si dhe profilizimi i prokurorëve të veçantë për keqpërdorimet në fushën e prokurimit publik përveçse do të garantonte trajtim më profesional në trajtimin e këtyre rasteve, gjithashtu do të rezultonte me efikasitet të shtuar në ndëshkimin e keqpërdorimeve në prokurim publik.

Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, mashtrimi dhe falsifikimi, si 3 veprat penale të shkaktuara me shumë nga zyrtarët publikë dhe të tjerë në fushën e prokurimit publik vazhdojnë të mbesin vepra të pandëshkuara dhe të përsëritura, duke sjellë shuma të mëdha përfitimi të paligjshëm për keqpërdoruesit, të cilat në fund rezultojnë me dëmtimin e buxhetit qendror dhe lokal të Republikës së Kosovës.

Genc Nimoni - Demokraci Plus (D+)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK