Zërat
Ramadan Qehaja
Ramadan
Qehaja

Përvjetori i nëntëmbëdhjetë i pranisë së Forcave të NATO-s në Kosovë

Zërat June 12, 2018 - 14:46
Hyrja e Forcave Tokësore të NATO-s, ngjarje historike për Kosovën

Duke e shënuar këtë datë shumë të rëndësishme, populli i Kosovës shpreh respektin e thellë për NATO-n dhe kontributin që ajo dha në bashkëveprim me UÇK-në për çlirimin e Kosovës dhe krijim të ambientit të volitshëm që kosovarët të arrijnë deri te pavarësia e tyre si synim shekullor.

Nëntëmbëdhjetëvjetorin e hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë, përkatësisht 12 Qershorin e vitit 1999 duhet theksuar, evokuar, rikujtuar dhe analizuar në kontekst të ngjarjeve nga kjo distancë kohore dhe nga shkaku se ky vit (viti 2018) do të hyjë në histori si vit i një decenie të shtetndërtimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

S’do mend se në këtë kuadër sulmet e forcave ajrore të NATO-s si mjet i vetëm i diplomacisë shtrënguese ndaj regjimit serb (Millosheviqian), në ç’drejtim posaçërisht u shqua diplomacioni amerikan, ishin dhe mbetën arma e vetme për të ngadhënjyer zëri i arsyes, duke shpëtuar një popull të tërë, atë shqiptar të Kosovës nga gjenocidi, spastrimi etnik dhe shfarosja.

Kampanja ajrore 78-ditëshe kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe ka hyrë në histori si një ndër sulmet më të mëdha dhe më të gjata që është shënuar deri më tani në historinë e luftërave dhe atë pa pjesëmarrjen e forcave tokësore, të cilat si opsion asnjëherë nuk u përjashtuan, por për shkak të mosvendosmërisë së shteteve anëtare të NATO-s dhe mundësisë së humbjeve njerëzore nga forcat ushtarake serbe ato nuk u përdorën.

Mospërdorimi i tyre ishte rezultat kryesisht i arritjes së qëllimit, siç thamë me forcat ajrore të NATO-s që me marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës në mes kreut të NATO-s dhe SHP-së së ushtrisë serbe u krijuan mundësitë për hyrjen e tyre në territor të Kosovës duke i dëbuar forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Në këtë mënyrë u mundësua stacionimi i forcave të NATO-s të pagëzuara si KFOR në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme duke i marrë nën kontroll objektet dhe pikat më të rëndësishme në territorin e Kosovës dhe duke e eliminuar në masë të madhe anarkinë e cila ka mundur të ndodhë si hakmarrje, plaçkitje etj.

Po ashtu me hyrjen e forcave tokësore të NATO-s ndihmesë shumë të madhe humanitare iu dha popullatës civile dhe u krijuan kushtet për një kthim të paparë deri atëherë dhe të përshpejtuar të popullatës së dëbuar shqiptare nga vatrat e tyre, etj.

Kuptohet se për të arritur deri te mundësia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës dhe krijimit të kushteve për hyrjen e forcave tokësore të NATO-s është dashur shumë mund, urti dhe diplomaci për të bindur Millosheviqin që faktikisht të nënshkruajë kapitullimin, edhe pse një term i tillë asnjëherë deri më tani nuk u përdor. Qëllimi i forcave serbe përkatësisht i kreut ushtarak ishte që para se të fillonte tërheqja e forcave ushtarake që sulmet ajrore të NATO-s të ndërpriten, moment ky i cili ishte shumë i ndjeshëm.

Kuptohet se kreu ushtarak i NATO-s i udhëhequr nga komandanti i atëhershëm suprem, gjenerali amerikan Kllark, nuk e përfilli një kërkesë të tillë, sepse kjo nënkuptonte mundësinë e ndryshimit të qëndrimit serb për tërheqje nën pretekstin se janë duke u ballafaquar me sulme të pareshtura të UÇK-së. Prandaj vendimi për sulme të mëtejme ajrore derisa bashkësia ndërkombëtare nuk bindet që tërheqja e forcave serbe është duke ndodhur ishte më se i arsyeshëm.

Në të vërtetë ndërprerja e bombardimeve nga forcat ajrore të NATO-s do të ishte shumë problematike, sepse në rast të nevojës së ripërtëritjes së këtyre sulmeve do të lindnin probleme të cilat do të pamundësonin kohezionin edhe ashtu të luhatur, i cili deri atëherë disi u mbajt. Pra, vendimi për përcjelljen e forcave serbe hap pas hapi gjatë tërheqjes dhe moslejimi i krijimit të ndonjë vakumi të mundshëm ishte krejtësisht i drejtë.

Marrë në tërësi stacionimi i forcave të KFOR-it rrodhi sipas planit të paraparë dhe se pozicionimi i plotë i tyre u bë në afat mjaft të shkurtër, duke e mbuluar tërë territorin dhe duke krijuar kushte për një mbrojtje dhe siguri të mirëfilltë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Sigurimi i kapaciteteve të nevojshme të KFOR-it në fillim me mjaft forca të mëdha tokësore (43.000 trupa) ishte konform momentit aktual, i krijuar menjëherë pas luftës së armatosur dhe pasojat që ajo i shkaktoi, për t’u reduktuar së voni gradualisht deri në numrin e tanishëm në më pak se 5000 trupa. I marrë në tërësi, posaçërisht duhet theksuar se KFOR-i për këto nëntëmbëdhjetë vjet luajti një rol shumë të rëndësishëm në garantimin e plotë të tërësisë dhe integritetit territorial të Kosovës; kryerjen e detyrave dhe të sigurisë dhe rendit kur këtë nevoja e diktonte, etj.

Në këtë mënyrë u krijua kështu një ambient i qetë dhe i sigurt dhe duke dhënë ndihmesën humanitare për popullatën e Kosovës. KFOR-i dha ndihmesë të madhe në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në shumë mjedise, sidomos në ato multietnike dhe deminimin e shumë zonave nga mjetet shpërthyese.

Posaçërisht duhet përmendur kontributin e rëndësishëm në trajnimin dhe aftësimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës për kryerjen e detyrave të parapara për gatishmëri emergjente, ndihmëse, mjekësore e shumë e shumë detyra të tjera. Vazhdimësia e kontributit të KFOR-it ishte e pandërprerë në ngritjen dhe në funksionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kjo ishte ndihmë tejet e çmueshme për popullatën e Kosovës në momentin aktual. Për këtë dhe detyrat e kryera deri më tani KFOR-i ka gëzuar në vazhdimësi respekt të madh nga popullata e Kosovës. Ky respekt deri në ditët e sotme asnjëherë nuk u lëkund.

Deri në momentin e pikërishëm nga NATO-ja, si asnjëherë më parë, u kërkuan qëndrime dhe veprime, çofshin ato edhe të rendit, më të vendosura për të zmbrapsur çdo tentativë destabilizuese në Kosovë.

Është vlerësim i përgjithshëm si i faktorit vendor, ashtu edhe atij ndërkombëtar, se NATO-ja do të duhej të mbetet në Kosovë edhe për një kohë.

Kjo nënkupton se, përveç ndonjë ndryshimi të aty-këtushëm strukturor, zvogëlimi drastik i forcave dhe mjeteve të KFOR-it, siç thamë, nuk do të ishte vendim i qëlluar.

Kjo aq më parë kur ne si shtet në tranzicion në momentin aktual kemi një zbrazëtirë në kryerjen e detyrave ushtarake, sepse FSK-ja për disa shkaqe është ende e patransformuar në Forca të Armatosura të Kosovës.

Duke e shënuar këtë datë shumë të rëndësishme në mënyrë të dinjitetshme, populli i Kosovës shpreh respektin e thellë për NATO-n dhe kontributin që ajo dha në bashkëveprim me UÇK-në për çlirimin e Kosovës dhe krijim të ambientit të volitshëm që kosovarët të arrijnë deri te pavarësia si synim shekullor.

Në këtë kontekst nuk mundemi të mos e theksojmë posaçërisht rolin e jashtëzakonshëm të politikës së drejtë amerikane, por edhe të shteteve të tjera anëtare të NATO-s ndaj çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj.

(Autori është analist ushtarak dhe i sigurisë)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK