Zërat
Urtak Hamiti
Urtak
Hamiti

Politikisht jokorrekt!

Zërat June 08, 2018 - 23:16

Serbët e Serbisë dhe Shqiptarët e Kosovës-kush kujt çka i mori dhe çka do t’i merr

Ata neve të kaluarën dhe rininë  Ne atyre ardhmërinë

Vitin e kaluar një organizatë joqeveritare serbe nga Kosova (AKTIV) publikoi hulumtimin e trendeve dhe opinioneve të serbëve të komunave Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi, që sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, vlerësim nga azhurnimi i vitit 2009 sepse serbët nuk morën pjesë në regjistrim,  numërojnë 40196 banorë serbë. (http://ask.rks-gov.net/media/2127/vlersim-popullsia-e-kosoves-2011.pdf)

50% të të anketuarve mendojnë se jeta e serbëve në Kosovë  në tri vitet e ardhshme do të jetë më e keqe sesa që është tani, vetëm 25% e të anketuarve e 

përkrahë pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe më e rëndësishmja, 50% e të anketuarve nuk e sheh veten në Kosovë, pra do të largohet nga Kosova,  në pesë vitet e ardhshme.  (http://www.ngoaktiv.org/srb/publication/trend-analysis-2017)

Sipas të dhënave statistikore zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 1991 në Kosovë kishte 194.190 serbë apo 9,9% të popullsisë së përgjitshme të Kosovës, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 rezultati tregon 92,9% banorë shqiptarë dhe diku 5% serbë. Pra, për për vetëm 20vite serbët arritën të behën absolutisht të parëndësishëm si dhe të jetojnë vetëm në vendbanime rurale me përjashtim të në një lagjeje  të Mitrovicës që ata e quajnë Mitrovica e Veriut dhe “kryeqendra administrative e politike e rezistencës së serbëve në Kosovë”, që numëron, sipas serbëve, 19.000 banorë. Sa për informatë, vetëm lagjja Dardania ime në Prishtinë numëron 28.000 banorë. Sipas normave ndërkombëtare Kosova mund të jetë shoqëri multietnike por de facto është shtet monoetnik-shqiptarët dhe pakicat nacionale.

Beogradi zyrtar dhe Serbia në përgjithësi, aspak shqiptarët e Kosovës, janë përgjegjësit kryesor për apatinë e serbëve të Kosovës, mungesën e besimit të tyre në jetën dhe ardhmërinë në Kosovë. Politika e Serbisë ishte, dhe vazhdon të jetë 

destruktive dhe armiqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, me qëllim që strategjikisht të mohohet shtetësia e Kosovës në çdo institucion dhe forum ndërkombëtar, të pengohet shteformimi dhe funksionimi i Kosovës për ta dërguar atë në grupin e shteteve jofunksionale, dhe të stimulohen serbët e Kosovës me propagandë se Serbia do të kthehet në Kosovë dhe se i mbron serbët e Kosovës, plus me financa të drejtpërdrejta vetëm e vetëm që serbët të qëndrojnë në Kosovë. Kundërefekti i kësaj të fundit është se serbët u bënë të varur plotësisht edhe politikisht edhe financiarisht nga Beogradi dhe nuk u përpoqën fare që të integrohen apo bashkëpunojnë me shqiptarët e Kosovës, shumicë absolute në vend.

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë është minore.  Partia e serbëve të Kosovës Lista Serbe, e sponzorizuar dhe dirigjuar nga Beogradi, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në qershor 2017 ka fituar vetëm 6,11% të votave (pragu zgjedhor është 5%), ndërsa ulëse në Kuvend ka edhe një kandidate e tyre që ka fituar vetëm 1059 vota! Kushtetuta e Kosovës në fuqi u garanton serbëve të Kosovës pjesëmarrje disproporcionale në masë të madhe me numrin e tyre të banorëve në 

Kosovë si dhe numrin e votuesve të tyre sepse në kushte të garës normale Lista Serbe e tyre gati që nuk e kalon as pragun zgjedhor.

Tani është hapur debati  për Platformën e e bisedimeve me Serbinë për “Marrëveshjen obligative me Serbinë”, të cilën qeveria e Kosovës e tërhoqi nga Kuvendi i Kosovës me arsyetimin se duhet gjetur formula e përfaqësimit gjithpërfshirës për këtë temë të rëndësishme për të mos krijuar thyerje mes grupeve politike. Përfaqësuesi në negociata dhe këshilltari i Presidentit të Kosovës, duke kryer detyrën e tij gjysmëpropaganduese, ka shkruar para disa ditësh se “Kosovës i duhet një Marrëveshje ligjërisht detyruese me Serbinë per ta nxjerrë një herë e përgjithmonë shtetin e Serbisë nga Kosova”. Në fakt qeveria e tërheq platformën sepse Platforma e prezantuar dhe udhëheqësi I delegacionit në bisedimet me Serbinë nuk e ka përkrahjen e shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Kontestohet edhe përmbajtja e saj,  që është një listë e dëshirave se çka mund të fitojë Kosova nëse Beogradi e nënshkruan “Marrëveshjen ligjërisht obligative” si anëtarësimi në OKB dhe përshpejtimi i anëtarësimit në NATO dhe BE, edhe udhëheqësi i Delegacionit. Ndërsa, me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, me kompetenca ekzekutive dhe financim në formë ndihmash nga Serbia, që 

është kushti numër një i Beogradit vetëm për t’I filluar bisedimet, jo që largohet por institucionalizohet shteti i Serbisë në Kosovë.

Është e pakuptueshme dhe krejtësisht naïve dhe kontraproduktive përpjekja dhe turrja e politikanëve shqiptarë të Kosovës  për të shkuar në Beograd, apo për të dëshmuar para ndërkombëtarëve se “ne jemi të mirë dhe konstruktiv por ja që pala serbe nuk është”. Është krejtësisht strategjikisht naïve të vendoset afati kohor për arritjen e “Marrëveshjes obligative me Serbinë” apo pse deklarohet se “jemi të gatshëm për kompromise të dhimbshme” apo pse të deklarohet se “ne jemi me Gjermaninë dhe SHBA-të ndërsa politikën tonë të jashtme e udhëheqin SHBA-të”.  E çka nëse përfaqësuesit e Serbisë, pas negociatave nuk e nënshkruajnë Marrëveshjen, apo një herë e dërgojnë në Kuvendin e Serbisë për miratim, apo e dërgojnë në referendum në Serbi e aty, në njërën nga këto shkallë, ajo bëhet e pavlefshme. Një hulumtimi i opinionit në Serbi nëmuajin  mars 2018 ka rezultuar se 81% e serbëve në Serbi nuk e përkrahin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia edhe nëse është kusht për anëtarësim në BE, 55% mendojnë se pavarësinë e Kosovës nuk do ta pranojë as qeveria aktuale e Serbisë e as qeveritë e ardhshme, ndërsa 45% ende mendojnë se Kosova nuk është e humbur për Serbinë! (https://dnevnagazeta.rs/anketa-velika-vecina-gradjana-bira-kosovo-ispred-eu-ne-prihvataju-ni-podelu/)

Por, të kthehem në fillim. Politika e bën të veten, politikanët e Ballkanit, Serbisë dhe Kosovës, ka kohë që politikën e kanë kthyer nga konkurrrenca e ideve dhe parimeve në profesion të kalkulimeve personale të momentit dhe përfitimeve imediate. Udhëheqësit politikë institucionalë si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë ka kohë që qëndrimin e e kanë despotik ndaj të vetëve e vasal ndaj të huajve. Në Prishtinë bëhet çështje kush shkon në Lutjet e mëngjesit në Washington dhe kush ka vizë të SHBA-ve, ndërsa në Beograd bëhet çështje kush ka ftesë për inaugurimin e Putinit President në Moskë.

Ka edhe ndryshe. Ka alternativë. Të shkohet në bisedime me qëndrimin se nëse Beogradi nuk do Marrëveshje atëherë shkojmë në ndërrim të Kushtetutës së Kosovës dhe ndërrim të neneve afirmuese dhe obligative për përfaqësimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës dhe kthimit të përfaqësimit të tyre në masën e pjesëmarrjes në proceset zgjedhore dhe përfaqësimit demografik . Të shkohet me qëndrimin se nëse përmendet referendumi në Serbi  atëherë edhe në Kosovë do të ketë referendum sepse 

bëhet fjalë për territorin tonë dhe rregullimin e tij institucional. Të shkohet me qëndrimin se Kosova nuk bën pazar për hatër të karrierave politike të përfaqësuesve ndërkombëtarë evropianë apo amerikanë dhe nuk e prishë status-quon në dëm të saj.

Mund të na quajnë nacionalistë, mund të na quajnë jokooperativë, mund të na quajnë politikisht jokorrekt e ndoshta edhe ekstremistë, dhe nuk ka problem për këtë. Kryesore është se ideja e Kosovës dhe shqiptarëve si kryefjalë e shtetit të Kosovës realizohet me apo pa dëshirën e serbëve, miqve të tyre ndërkombëtarë dhe veprimeve të disa udhëheqësve politikë shqiptarë. Koha punon për ne sepse ne kemi diçka në Kosovë që serbët nuk e kanë. Ata pretendojnë që kanë histori në Kosovë, por ne kemi edhe histori, edhe demografi  dhe ardhmëri. Ata jo.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK