Zërat
Tringa Kasemi
Tringa
Kasemi

Organizimet sindikale: Pikënisje e punës së dinjitetshme?

Zërat June 06, 2018 - 16:25

Në ditët e sotme pa dyshim punësimi po luan rol të madh në gjendjen ekonomike e sociale të qytetarëve. Kur flasim për punësim, një ndër problemet ende kryesore mbesin të jenë të drejtat e punëtorëve dhe (mos)arritja e mbrojtjes së këtyre të drejtave.

Kohët e fundit mjerisht nuk kanë të ndaluar fatkeqësitë në vendin e punës, kjo si pasojë e mosfunksionimit të gjyqësorit e të Prokurorisë, të Inspektoratit të Punës e të organeve tjera relevante.

Trajtimi i disa problemeve serioze ekzistuese në vendin tonë ka rëndësi të veçantë dhe arrin sukses kur ato trajtohen mirë. Sindikatat ekzistuese në Komunën e Prizrenit mundohen të jenë afër punëtorit, mirëpo pyetja e shumë punëtorëve është se a po arrijnë këto sindikata t’i mbrojnë interesat e punëtorëve?

Ndër diskutime dhe hulumtime Sindikata e Arsimit del të jetë ndër më të organizuarat, e cila operon me 22 mijë anëtarë në nivel vendi, ndërsa në Prizren ka anëtarësi të sindikalistëve me numër më të madh në tërë Kosovën.

Të gjitha komunitetet i përkrahin organizimet që i ka kjo Sindikatë. Sinqeriteti dhe serioziteti në punë shpie deri te një rezultat i mirë bashkëpunimi, si p.sh. në rast të organizimit të grevave kjo Sindikatë ka dalë e organizuar bukur mirë, duke mos u ndarë pothuajse asnjë nga anëtarët në solidarizim.

Një ndër faktorët që e ka dërguar këtë Sindikatë në rritje të anëtarësisë është edhe pjesëmarrja e kësaj Sindikate në trajnime të rëndësishme, siç është dialogu social. Pastaj rol të madh luajnë edhe marrëveshjet e shumta me organizata turistike, shëndetësore e shumë të tjera, ku anëtarët e Sindikatës dhe familjarët e tyre përfitojnë deri në 25% zbritje në secilin shërbim, aty ku sindikata ka marrëveshje.

Pas luftës së fundit në Kosovë ndërkombëtarët kanë vendosur që për lehtësimin e procesit të punës të marrin disa vendime si: largimin e mësimdhënësve nga puna, largimin e pedagogëve nga shkollat, rritjen e numrit të orëve të punës nga 21 në 28 orë e shumë të tjera vendime të këtij lloji.

Mirëpo presioni i Sindikatës ka arritur që shumë kërkesa të adresohen dhe të realizohen, ku më vonë është arritur edhe në rishikimin e vendimeve nga ana e ndërkombëtarëve dhe së fundmi bindjen e tyre në mosekzekutimin e këtyre vendimeve.

Realisht kjo tregon se nëse organizimi sindikal është në nivel, asnjëherë nuk do të mundë të ndodhë diçka në disfavor të punëtorëve.

Kontrata Kolektive është një hap shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, ku përfshihen obligimet dhe detyrimet edhe për Qeverinë edhe për Sindikatën dhe është një transparencë goxha e mirë e Sindikatës ku anëtarët janë të informuar drejtpërdrejt me të drejtat e tyre dhe punën e saj.

Sindikatat tjera nuk funksionojnë sikur kjo Sindikatë, këtu monitorohet punësimi çdoherë dhe transparenca është pjesë e pandashme e saj. Në organizata tjera mungon siguria në punë, transporti, kontrata, veshmbathja, pushimi e shumë probleme tjera si pasojë e mosfunksionimit të ligjit – thuhet nga zyrtarët e kësaj Sindikate.

Kur flasim për punësim nuk duhet lënë anash edhe Odën Ekonomike, e cila operon në 7 (shtatë) regjione në Kosovë dhe se secili regjion ka drejtuesin e vet. Oda Ekonomike – dega e saj në Prizren, ka anëtarët e Kuvendit të cilët kryesisht janë shoqatat dhe bizneset e ndryshme i cili e ka drejtuesin e vet.

Ani pse kontakti me institucione relevante nuk mungon, problemet dhe nevojat e drejtuara nga ana e Odës Ekonomike joçdoherë trajtohen me përgjegjësi. Gjithashtu, Kuvendi i anëtarëve ka një skepticizëm të vazhdueshëm karshi Odës, duke mos pasur besimin e mjaftueshëm ndaj saj dhe duke mos u bindur se interesat e tyre përfillen përmes organeve drejtuese të kësaj Ode. Si rezultat del se duhet të punohet ende në vetëdijesim të shoqatave dhe të bizneseve në këtë drejtim.

Siguria në vendin e punës, qasja e të rinjve dhe grave në tregun e punës mbesin edhe sot si probleme kyçe në vendin tonë, të cilat presin trajtim të veçantë. Nevojitet angazhim gjithëpërfshirës, vetëdijesim shoqëror për barazi në vendin e punës dhe punësim. Diskriminimi gjinor dhe etnik ende janë pjesë e përditshmërisë sonë, kur bëhet fjalë për kyçje të tregun e punës.

Problemi realisht është mungesa e monitorimit të disa proceseve me rëndësi si: konkurset e punës, intervistat e punës dhe në fund përzgjedhja e kandidatit më të mirë për ta poseduar atë vend të punës.

Lajmërimi i parregullsive në këto procese nuk luan shumë rol të madh, pasi që gjyqësori e inspektimi i punës nuk funksionojnë si duhet dhe se besimi i qytetarëve në to pothuajse nuk ekziston fare.

Ka organizata të cilat dënohen me qindra mijëra euro pa bazë, ndoshta pa të drejtë, ku në anën tjetër ato të cilat me të vërtetë keqpërdorin punën e tyre nuk dënohen si shkak i lidhjeve personale me zyrtarë të ndryshëm.

Nepotizmi, siguria në vendin e punës (rastet e rezultuara me vdekje, ngacmimet në vendin e punës), transparenca në konkurse dhe punësim, barazi gjinore dhe etnike në punësim e shumë faktorë të tjera, të cilat kërkojnë angazhim intensiv të të gjithë pjesëmarrësve lokalë dhe qendrorë.

Puna e dinjitetshme kërkon persona të dinjitetshëm në këto procese, që një ditë të mundë të jemi të sigurt dhe të barabartë në vendin e punës.

Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.

Fjala e hapjes postohet në  kanalin e salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet duke u bazuar në editorial mund t’i gjeni në uebfaqen tonë. 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK