Zërat
Emin Azemi
Emin
Azemi

Kosova pa patriotizëm ekonomik, Shkupi si model!

Zërat June 04, 2018 - 16:48

Mbrëmjen e së enjtes në Shkup u prezantua projekti  “Skopje East Gate”,  një prej qendrave më moderne dhe më të mëdha tregtare të rajonit, përfshi edhe një  kompleks banesor bashkë me parkingje dhe objekte tjera në një sipërfaqe prej 155 mijë m2. Është investuesi i njëjtë nga Shqipëria, që ngriti para katër vitesh qendrën tregtare ‘’Skopje City Mall’’. Gjatë ceremonisë së hapjes, pronari i  “Balfin Group”  përmendi tri përfitime nga kjo qendër gjigante tregtare e banimi. Së pari - çmime më të lira, së dyti - shitje moderne dhe së treti - kënaqësia e konsumatorëve për të kaluar kohën e lire.
Investimi fillestar në këtë projekti do të jetë 180 milion euro, kurse rrumbullaksimi i gjithë prrojektit pritet të kushtojë mbi 300 milionë euro. Bëhet fjalë për një nga investimet më kapitale deri më tani në Maqedoni, nga një subjekt i vetëm afarist,  ndërkohë që gjithë investimet e huaja (prej shumë kompanive) për këto pesëmbdhjetë vite nuk kalonin mbi 250 milion euro.  
Gjithë kush që do ta lexojë këtë tekst do ta kuptojë si marketing për një biznes që po shtrihet në rajon. Në fakt, përtej marketingut, i cili mund të bëhet edhe pa këtë tekst, projekti në fjalë do të duhej të nxis shumëkend,  sidomos në Kosovë, dhe të vrajë mendjen se cili është aktualisht patriotizmi ekonomik, kulturor, arsimor, shëndetësor i klasës politike kosovare, e cila po ndërton rrugë moderne për t’i dërguar më shpejt qytetarët e këtij vendi në Shkup, atje ku ka spitale më cilësore, atje ku investimet e jashtme (sidomos nga Shqipëria) po krijojnë oaza parajse për vizitorët, atje ku mirëmbahen e menaxhohen disa qendra skijimi e rekreimi, atje ku aeroporti ndërkombëtar ka aq shumë fluks udhëtimesh sa që ofron shërbime edhe për shumë kosovarë, atje ku vikendeve sheh mijëra makina nga Prishtina, Ferizaji, Mitrovica, Gjilani të parkuara pranë qendrave tregtare të Shkupit, e shumë e shumë pika të tjera referimi që të krijojnë përshtypjen sikur Shkupi është krijuar për inati të Kosovës.
Në këto 19 vite vite liri dhe 10 vite pavrarësi, Kosova përpos që prodhoi shumë parti për t’ia hangër kryet njëra tjetrës, krijoi edhe kushte ideale për hajna të uritur për pushtet, të cilët shumëkush i quan politikan. Nuk u ndërtua një Spital i hajrit, edhe përkundër faktit se në shumë klinika e qendra spitalore të Europës, Amerikës e mbarë botës ke qindra mjekë nga Kosova që sot kryejnë me sukses ndërhyrjet më të ndërlikuara kirurgjikale në vendet ku ata punojnë. Nuk u ngrit një Universitet prestigjioz, me impakt madje edhe rajonal, edhe përkundër faktit se Kosova është një eksportues mjaft cilësor i kuadrove që sot i ke nëpër Japoni, Kanada, Zvizër, Gjermanji, Britani, Skandinavi e gjetiu, të cilët merren me zbulime e projekte të rralla në fushat përkatëse, nuk u ndërtuan fabrika, që do të ishin degë e ndonjë parku industrial europian apo gjiganti prodhues, në të cilat do të bëhej montimi, prodhimi, përpunimi i pjesëve për automobila,  aeroplanë, mekanizma bujqësorë, por edhe dhe për paisje, vegla e aparatura të ndryshme etj. , ku do të punësoheshin  të paktën 100 mijë veta, ose gati gjysëm milion anëtarë familjesh nuk do të kishin nevojë të mendojnë për ta siguruar kafshatën e bukës dikund jashtë vendlindjes.
“Balfin Group”  shkon në Shkup dhe hap 2000 vende të punës. Saimir Mane këtë e bën pa pasur nevojë të shtyhet me bërryla për t’u bërë anëtar i ndonjë partie politike dhe anëtarësimin për ta përdorur për favore personale, duke dëbuar pastaj  të gjithë ata që mendojnë me tru e që mund të jenë rrezik i aktivistëve halabakë që diplomën e shkollës fillore e marin  pasi të punësohen dikund ku merret rrogë pa punu, ose masterin, doktoraturën (pa shkollë të mesme) e sigurojnë frik e frik pasi të jenë bërë deputetë, ministra, drejtorë etj. Ai këtë e bën pa pasur nevojë të kushtëzojë njerëzit me lloj lloj poshërsish për të siguruar një vend pune, ose të negocojë me investitorë të huaj, siç bëjnë shumica e njerëzve të politikës te ne, ku në fund dështon investimi sepse njëri nga akrabatë e kryeminstrit apo minstrit ka kërkuar një kesh-avans të vockël prej 3 milion euro, si kusht për të startuar biznesi. Shumë kompani europiane , por edhe nga Lindja (sidomos me prejardhje nga biznesmenë shqiptarë të Turqisë), sot do të punonin në Kosovë, sikur në krye të këtij shteti të kishte patriotë të vërtetë, të cilët paranë publike do ta  konsideroin  të shenjtë, kurse elektoratin nuk do ta shihnin si dele që duhet qethur në çdo cikël zgjedhor.
Në vend se të ishin marrë me projekte zhvillimore, sa janë marrë me Vetëvendosjen dhe me tema të kota që s’kanë prodhuar kurrfarë debati cilësor,  në vend se të kishin inicuar projekte me interes publik, sa janë kujdesur për trashësinë e xhepave të  tyre privat, në vend se të kishin lidhur ura bashkëpunimi me shtetet europiane ( e jo takime diskrete me Serbinë) për punë e që do t’ia shihnin hajrin gjithë qytetarët, sa kanë shëru komplekse katunareske duke pushuar nëpër  hotele të shtrenjta me paratë e shtetit, në vend se remitencat e mërgimtarëve që aktualisht zëvendësojnë rrogat e munguara të mijëra të papunëve, të kishin ngrituir një fond zhvillimor me ato para,  në vend se të kishin promovuar një shoqëri të lirë me gazetari kritike e profesionale e jo me (disa) gazetarë zagarë që paradite i ke nëpër redaksi, e pas dite në kuloaret mafioze të politikës (jo rrallë edhe nëpër do kruzhoqe politiko-biznesore serbe),  pushtetarët e deritanishëm të Kosovës për këto 19 vite do të kishin ngritur një mini parajsë në këtë cep shkëmbor të Europës Juglindore, që do t’ia kishin lakmi edhe vendet tjera të rajonit.
Modelin e biznesit të suksesshëm në rajon po e përhap një afarist vizionar nga Shqipëria, ndërkohë që gazetarisë së ndershme investigative të Kosovës (ku nuk i ka fut hundët kapitali i fëlliqt i mafias ballkanike) i mbetet të hulumtojë historinë e shanseve të dështuara në investime, përfshi edhe Shkupin si alternativë e shërimit të mijëra pacientëve kosovarë, por edhe e shumë shopingjeve e rekreimeve, si pasojë e politikave korruptive e kriminale të klasës politike në këto 19 vite.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK