Zërat
Rexhep Hoti
Rexhep
Hoti

Roja e Perëndimit dhe roja e Lindjes

Zërat May 30, 2018 - 13:16
Dialogu dhe rendi i ardhshëm në Ballkanin Perëndimor (2)

Më duhet të them se e vërteta e fillimit të këtyre shkrimeve edhe sot e këtë ditë jo vetëm që e thyen pasqyrën e ndërgjegjes serbe, por ky këndvështrim thjesht nuk pranohet prej tyre. Mbase edhe për pjesën e shoqërisë serbe, që ndihet realisht e pangarkuar nga aspekti i frymëzimit mitik prej Kosovës. Madje do të thosha se ky “fiksion shkencor” mbi identitetin serb e vështirëson tej mase «Dialogun» për Kosovën edhe në kuadër të faktorit të brendshëm serb e jo vetëm në raport me shqiptarët. 

Serbët dhe Serbia nuk janë ndier kurrë mirë në identitetin natyral që e kanë. Është lehtë e lexueshme se ata nuk do të dëshironin ta kishin historinë e dyndjeve barbare në Ballkan. Është e dukshme vuajtja e tyre përse ata erdhën në gadishullin e bukur kur realisht kishte përfunduar rrumbullakimi i themelimit të civilizimi perëndimor.

Serbët nuk mund të pranojnë të dhëna historike e shkencore se civilizimi perëndimor ka ndodhur pa ata. Ata nuk duan të besojnë se janë kaq të vonshëm në Evropë. Dhe ata kanë probleme serioze me të vërtetë të tilla. 

Serbët dëshirojnë të jenë serbë me bëmat më të madhërishme që i kanë të gjithë popujt e lashtë të Ballkanit. E tash për tash, sipas referencave më të avancuara shkencore, jo vetëm Ballkani, por edhe Evropa i ka vetëm dy popuj të lashtë dhe autoktonë e ata janë shqiptarët dhe grekët, sado që çështja e grekëve të sotëm me këta që e vodhën Bashkimin Evropian si popull dhe si komb që e vodhën shtetin e tyre, pastaj dhe në fund që e vodhën edhe vetveten me grekët e vjetër është shumë, shumë e diskutueshme.

Në qoftë se Gogoli e krijoi Çiçikovin në Rusinë cariste si njërën prej figurave më të përkryera që e ka letërsia e përbotshme teksa shiste shpirtra të vdekur, Greqia e sotme dhe grekët, kombi dhe shteti grek e krijoi kryeÇiçikovin e përsosur teksa i ngjallte njerëzit e vdekur për t’u dhënë pensione me para të Bashkimit Evropian, teksa u blinte përkatësinë etnike njerëzve me para të Bashkimit Evropian, teksa i ushqente fëmijët e ndërtonte ushtrinë me para të vjedhura praktikisht prej Bashkimit Evropian.

Dhe më shumë se kaq. Kjo nuk ishte një lajthitje kombëtare e shtetërore e izoluar greke. Ky ishte një defekt serioz kombëtar e shtetëror grek. Dhe mund të fitohet përshtypje se ata ende as sot e këtë ditë nuk janë skuqur nga kjo e ligë! 

Por në anën tjetër, të hysh më kësi mendimi në Serbi është me keq sesa të futesh në një objekt kulti fetar cullak. Dhe kjo është e kuptueshme. Edhe e vërteta, veçmas ajo që është mbuluar me shtresime qindravjeçare të gënjeshtrës, e raste të tilla në Serbi ka në shumë fusha e në shumë drejtime të atyre fushave, kërkon kohë të gjatë për t’u kthyer në botën reale të njerëzve.

Fantazma e presidentit Aleksandër Vuçiq, i cili vjen nga politika paramilitare e Vojsllav Sheshelit, ndonëse ndërkohë është “penduar”, është me pikëpyetje të mëdha në qoftë se do të mund ta lëvizë mekanizmin në fjalë.

A do të ketë Serbia fuqi ta shohë vetveten përballë pasqyrës të përvjelë me gjak, me shumë krime të varura në qafë si medaljone, që u ka shkaktuar popujve e kombeve të tëra në Ballkanin Perëndimor edhe në pragfillim të mijëvjeçarit të tretë?! Kjo është pyetja më tutje mëdyshjes fundamentale hamletiane. Apo mbase ka filluar epoka e ndryshimit të madh edhe në Serbi pas përfundimit të “Pranverës Arabe” e  “Pranverës Greke”?!
Megjithatë, ajo do të vijë një ditë! 

Serbia nuk do të ketë fuqi të qëndrojë edhe shumë kohë si shtet kërcënues në Ballkanin Perëndimor. Pozita e saj gjeostrategjike, politike e ushtarake prej një shteti të izoluar dhe pa ndonjë peshë në rrafshin rajonal e bën atë shumë të ngjashëm me Kosovën. Në të vërtetë edhe Kosova edhe Serbia nuk kanë ndonjë portë me peshë, nuk kanë ndonjë dalje me rëndësi rajonale, kontinentale a ndërkombëtare. Edhe pesha e të dyja shteteve, për aq sa ato peshojnë, është e ndërlidhur dhe e ndërvarur prej fuqisë së partnerëve që ato kanë.
Serbia është e rëndësishme më së shumti nga dy aspekte:

Aspekti i parë që Serbinë e bën të rëndësishme është mundësia e saj reale se mund të bëjë keq ndaj popujve e shteteve të tjera. Pra fuqia e saj nuk buroni te kreativiteti dhe shkathtësia e të mirave, te zhvillimi dhe fuqia ekonomike, të madhësia e popullatës ose pasuria e saj, por prej frikës se mund të bëjë keq;

Aspekti i dytë që Serbinë e bën të rëndësishme është lidhja e saj historike dhe identifikimi i saj me vëllain e madh rus. Kjo lidhje historike, emocionale, racore e fetare e bën Serbinë të jetë roje e civilizimit lindor në Gadishull.

Por, e vërteta e kësaj fuqie është dëshpëruese. Është kundër rrjedhës së proceseve. Madje e vë në pikëpyetje edhe humanizmin brenda saj. Nuk ka mëdyshje se ky pozicion e vë kolektivitetin dhe individin e këtij shteti në gjendje depresive.

Një qëndrim i tillë i formësuar si fuqi prej aspektit negativ është nxitje dhe ndikim prej një pozicioni jo të mirë dhe vazhdimisht me efekte të shumanshme anësore negative për të gjithë sistemin e formësimit institucional serb.

Në anën tjetër, Kosova është gjithashtu një shtet pa peshë dhe pa vendndodhje strategjike. Për të mund të thuhet se është roja e fundit në kufirin e civilizimit perëndimor.

Dhe pikërisht këtu është e fuqishme Kosova. Roli i saj si ushtar i fundit i Perëndimit e bën fuqinë e saj shumëfish më të qëndrueshme dhe pozitivisht të motivuar. Sepse ushtari i fundit i Perëndimit, kupto Kosova, në këtë rast nuk e ka rolin e tij sulmues, agresiv, agresor, por mbrojtës, të motivuar e të mbuluar prej fuqisë së lirisë. Pra, jo rol për të vdekur për tokë të huaj, por rol për të mbetur gjallë për tokë të vet. Edhe më shumë se kaq. Ka një ideal për të mbrojtur vlerën e civilizimit perëndimor.

Mirëpo kur jemi te faktori ushtarak i rojeve të Perëndimit (Kosova) dhe i rojeve të Lindjes (Serbia), duhet parë edhe një aspekt tjetër. Më të rëndësishme sesa të gjitha të dhënat ushtarake që ka sot Serbia në raport me Kosovën, pakrahasimisht më të mëdha në të gjitha drejtimet, Kosova e ka fuqinë e këmbësorisë kualitative të kombinuar si një mrekulli ushtarake të vogël! Një sekret publik ky që e bën Kosovë realisht Izrael për rajonin.

Serbisë nuk i ka mbetur edhe shumë kohë gjersa do t’i harrojë përfundimisht krekosjet e ushtrimeve ushtarake me vëllain e madh rus pranë kufirit me Kosovën. Shteti më i ri i Evropës e ka para vetes një dekadë të vështirë të përmbylljes së çështjeve ushtarake në të gjitha aspektet.

Por, krahas aspektit profesional e kualitativ që e ka Kosova, ajo “cilësohet” qysh tash si fuqi e respektuar edhe sa i përket frymëzimit të saj për gatishmëri, shkathtësi, disiplinë, vullnet dhe profesionalizëm ushtarak. Kosova është duke e bërë ushtrinë e saj me përkushtim dhe profesionalizëm, që e bën diferencën në rajon.

Të gjitha referencat e historianëve të njohur mbi aspektin luftarak të ilirëve në cilësinë e luftëtarëve të zotë e të denjë mund të argumentohen te garat ndërkombëtare ushtarake, kryesisht nëpër shtetet e NATO-s, ku merr pjesë FSK-ja.

Dhe në fund të këtij vlerësimi që duket me nota shumë optimiste për Kosovën e më pak për fuqinë e madhe ushtarake të Serbisë me vëllain e saj të madh rus, mund të themi se Republika e Serbisë kurrë nuk është ndeshur me një ushtri të organizuar, të strukturuar, profesionale e të institucionalizuar që sot e ka de facto Republika e Kosovës. Duhet t’i urojmë kohës së ardhshme që kjo të mos ndodhë kurrë. E përse?! (vazhdon), nëntor 2017

P.S.

Vështrimi është shkruar në fillim të nëntorit të 2017-s për «Danas». Gazeta ka premtuar se do t’i botojë, por nuk e ka bërë.
(Autori është zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK