Zërat
Halil Matoshi
Halil
Matoshi

Selia e Shenjtë është shtet i frymës së Zotit në botë dhe jo manifestim i fuqisë ekonomike dhe ushtarake

Zërat May 28, 2018 - 15:42

(Pak fjalë rreth reagimit të Shaban Muratit ndaj asaj që e karakterizon vizitën e kryeministrit kosovar në Vatikan)

Në shkrimin e gjatë pretendues të ish-ambasadorit dhe teorikut të shkollës së Luftës së Ftohtë Shaban Murati, me titull “Gabimet e kryeministrit Haradinaj në Vatikan” dhe të botuar te Gazeta Shqiptare, bie në sy trajtimi i Selisë së Shenjtë barasvlershëm me shtetet klasike si subjekte të së drejtës ndërkombëtare me fuqi ushtarake, ekonomike dhe politike, gjë që Selia e Shenjtë nuk është.

Selia e Shenjtë është një entitet sui generis, ashtu siç trajtohet edhe Kosova sipas Pakos së Ahtisaarit, që posedon personalitet ndërkombëtar, pra Selia e Shenjtë është një institucion joterritorial, mirëpo ka një personalitet “të çrregullt” ndërkombëtar.

Selia e Shenjtë, ndryshe nga shteti i Vatikanit, nuk i përmbush kriteret e përcaktuara në ligjin ndërkombëtar të shtetësisë; p.sh. nuk ka një popullsi të përhershme, një territor të përcaktuar, një qeveri të qëndrueshme dhe aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera; porse posedimi i personalitetit të plotë juridik në të drejtën ndërkombëtare respektohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Mirëpo ashiqare ky autor është i përkushtuar për një lloj tjetër aleance strategjike të Shqipërisë, pra me Turqinë, që sipas tij këshillohet nga raportet dypalëshe midis dy shteteve dhe nga roli jetik që këto marrëdhënie luajnë për ekuilibrat strategjikë të Shqipërisë në rajonin tonë.

Përderisa Kosova është shtet sui generis dhe në një proces delikat, kurse Vatikani është një shtet “i çrregullt” në marrëdhëniet e saj me Selinë e Shenjtë, nuk vlejnë rregullat e të drejtës klasike ndërkombëtare.

Vatikani është një teokraci joshtypëse ndaj një populli apo grupi popujsh në emër të absolutist, sepse fuqia e kësaj teokracie është frymë e jo materie dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare manifeston një simbolikë, kurse për shqiptarët e Kosovës një adresë orientuese (vlerat perëndimore) nga vlerat humane të personifikuara në Papën si autoriteti i parë moral dhe shpirtëror i të krishterëve në tokë.

E vërtetë që Vatikani është një shtet teokratik me të cilin Kosova ende nuk ka marrëdhënie diplomatike, por kjo teokraci nuk sundon me ekonominë dhe ushtrinë, së këndejmi as me raportet e Selisë së Shenjtë me shtetet e tjera të rregullta.

Është e vërtetë që vizita e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Vatikan ka qenë audiencë e mbyllur dhe jo vizitë zyrtare në kuptimin e parë, ad literam, siç është raportuar, mirëpo në kuptimin bisedor dhe jodiplomatik nëse dikush ka një ftesë nga një zyrë e një shteti për vizitë ajo është po ashtu një vizitë zyrtare, edhe pse Vatikani nuk e ka njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës.

Ish-ambasadori Murati e vë në dyshim kërkesën e kryeministrit kosovar për “partneritetin strategjik me Vatikanin” për fuqizimin e rrugës së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe po kjo është një befasi diplomatike, siç e thekson edhe vetë Murati, që puritanët e diplomacisë së “Luftës së Ftohtë” nuk mund ta marrin me mend.

Por ky partneritet strategjik me Vatikanin i duhet Kosovës për t’iu shmangur disa ideve e lëvizjeve çorientuese brenda nukleusit të mendësisë shqiptare, por edhe te disa çarqe të jashtme që mund ta shohin me mosbesim kursin e vërtetë të Kosovës.

Po aq befasuese për frymën e diplomacisë klasike dhe për Muratin është edhe letra që kryeministri kosovar ia ka dorëzuar Papës Françesko për njohje të Kosovës nga Vatikani, e cila i përshkruhet si një dhuratë nga populli i Kosovës, një kërkesë për kujdes të Selisë së Shenjtë për një popull martir që Papa Françesku e kishte në zemër, siç e theksoi gjatë pritjes në Selinë e Shenjtë e që simbolizon fijet e vjetra të shqiptarëve me Papatin!

Dhe në fund dua të theksoj se në Vatikan pos shtrimit të kërkesave diplomatike e shtetërore ia vlen simbolika e traditës, respekti ndaj hyjnores dhe lutja dhe në këtë kontekst kërkesa që Ati i Shenjtë të kujdeset për popullin martir të Kosovës është shumë njerëzore dhe e tejkalon politikën dhe diplomacinë! (Autori është këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK