Zërat

Prof. dr. Muhamet Sadiku

Shkencëtar me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare

21 maj 2018 • 13 : 58

Profesor Muharrem Cërabregu ka lindur në vitin 1945 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesme (gjimnazin) i kreu në qytetin e lindjes.

Derisa ishte nxënës i këtij gjimnazi ai me pietet i kujtonte shokët e gjeneratës së tij. Gjimnazi i Pejës ishte çerdhe intelektuale dhe patriotike e këtyre brezave.

Në këtë gjimnaz zhvilloheshin aktivitete të ndryshme: ora letrare e mbikëqyrur nga prof.  Menduh Begolli, e ndihmuar nga S. Lika, F. Gacaferi, R. Bica, R. Podrima, F. Rugova e të tjerë. Aty praktikohej recitimi si art performues i poezisë dhe i shkrimit nga: F. Begolli, E. Hadri, I. Rugova, I. Ahmeti,  E. Kryeziu, S. Boshnjaku, Jusuf Gërvalla, R. Smaka, Z. Neziri, S. Blaka, S. Osmanaj, I. Demaj, H. Ukëhaxhaj, Sh. Shaqiri dhe të tjerë. Shumica nga këta kanë qenë anëtarë të organizatës “Shqiponja” të gjimnazit.

Gjimnazi kishte orkestrën e mandolinave dhe grupin e këngëtarëve të rapsodit popullor dhe argëtues. Këto argumente me entuziazëm i ripërsëriste profesor Cërabregu. Në të vërtetë, me këtë tregonte se kishte jetuar dhe kishte mësuar në një mjedis tejet interesant nga spektri shoqëror dhe arsimor.

Në vitin 1964 i regjistroi studimet në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Prishtinë. Studimet e magjistraturës i kreu në vitin 1971 në Universitetin e Zagrebit në temën: “Interpretimi grafik i karakteristikave të popullsisë së Kosovës”.

Me rekomandim të akademikut kroat Josip Rogliq përfundoi hulumtimin në Vjenë duke fituar titullin e doktorit të shkencave në vitin 1975 me tezën: “Kosova në hartat antike, deri në fillimin e aerofotografimit”.

Kjo punë në këtë temë fuste elemente të reja në jetën shkencore dhe shoqërore të Kosovës. Natyrisht tema ishte inkurajuese për qarqet shkencore, por jo edhe për disa qarqe politike, të cilat i nevrikoste përmendja e hartave dhe disa kufijve të Kosovës. Ideator i kësaj teme ishte akademiku kroat Josip Rogliq, i cili tregonte interesimin edhe për shkencën gjeografike të Kosovës.

Karrierën akademike profesor Cërabregu e filloi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit në periudhën 1969 – 1970, i njohur si periudhë e vlimit politik duke mbajtur ligjërata mbi gjuhën dhe historinë shqiptare për grupin e studentëve të Portlandit (PSU).

Në vitet akademike 1970 - 1971 zgjidhet asistent në Hartografi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në periudhën 1971 - 1974 autorizohet të ligjërojë lëndën e Hartografisë. Në vitet 1977 emërohet docent dhe në vitin 1982 emërohet profesor inordinar. Në vitet 1977 - 1978 si shkollar i Fondacionit të Fulbrightit vazhdoi studimet mbi aerokosmofotointerpretimin në Universitetin e Wiskonsinit, Madison,  dhe për Hartografinë Kompjuterike në USCB, ku u mentorua nga akademiku (Waldo Tabler inovator i GIS-it).

Herën e dytë në studimet e programit të Fondacionit të Fulbrightit kishte qëndruar në SHBA jashtë procedurave jugosllave. Ngase amerikanët e kishin ftuar si pjesëmarrës nga lëmi i shkencave. Është pjesëmarrës në shumë konferenca dhe në tubime shkencore nëpër shumë qendra botërore.

Profesor M. Cerabregu është inovator shkencor “Geographical Origin of Language”, të promovuar në Konferencën e Gjeografive të Amerikës në vitin 2005, kurse libri është botuar në vitin 2006 në Amerikë.

Punoi dhe jetoi në SHBA që nga viti 1994 dhe duke vazhduar më intensivisht punën shkencore, që u kulmua me inovacionet shkencore. Libri me titullin e inovacionit është botuar në vitin 2006.

Vlerësimi i inovacionit është bërë nga Akademia e Shkencave të Amerikës, përfundimisht në vitin 2012. Linguisti Chomsky ka folur për këtë inovacion në një ligjëratë për një audiencë të madhe në Qendrën e studimeve postdiplomike të NYU - së. Profesor Cërabregu mori pjesë me kumtesa në konferenca dhe në simpoziume që janë publikuar në vende dhe tri gjuhë të ndryshme.

Ka botuar mbi 10 libra. Anëtar i Asociacionit të Gjeografëve të Amerikës dhe dy institucioneve shkencore në Washington D.C, (AAAS dhe në NSF). Gjithnjë e theksonte rëndësinë që kishte dhënë Universiteti i Zagrebit në shkollimin e studentëve shqiptarë.

E pranonte se nëpërmjet Zagrebit hapej dritarja për dalje në botën e jashtme. Ndërtimin e profilit shkencor dhe akademik pa hezitim ai ia atribuon shkollimit të tij në Universitetin e Zagrebit. Lidhur me studimet, mjedisin akademik dhe shoqëror gjatë studimeve në Zagreb profesor Cërabregu kishte këtë rrëfim:

“Zagrebi - për mua ishte ardhje në një botë tjetër. Me të ardhur në stacionin e trenit, shëtitjet në qytet, mu duken se erdha në një botë me kulturë të lartë. Hyrja në dyqane përcillej me një frazë mirëseardhëse: “Prosim, mladi gospon”, që se kisha dëgjuar kurrë më parë. Hyrja në tramvaj ishte e qetë, ku të moshuarve, me respekt u afrohej vendi i uljes.

Ligjëratat e profesorëve ishin të një kulture intelektuale dhe profesionale. Diskutimet si edhe bisedat me profesorët ishin të qeta dhe mirëdashëse. Hulumtimet në Bibliotekën e departamentit si edhe në atë Universitare ishin me shërbime të shkëlqyera.

Akademiku prof. dr. Josip Roglic ishte mentori im për punimin e magjistraturës dhe të doktoranturës, ishte i gatshëm të më pranojë çdo herë që kisha nevojë për konsultime. Ai ishte projektant i Autostradës: Zagreb - Split.

Pas qërimit të hesapeve me ideatorët e “Pranverës kroate, prof.Rogliq ishte larguar nga autoritete komuniste nga procesi mësimor me studentët. Shpesh ai na merrte në Akademinë e Shkencave dhe Arteve kur prezantoheshin projektet dhe zhvilloheshin debatet në lidhje me to. Në bisedën për përcaktimin e temës së doktoraturës, propozim i tij, tani mentor, më tha: tema “Kosova në Hartat e Vjetra” do të jetë kontribut i mirë për të mirën e Kosovës. Meqë materialet për kompletimin e kësaj teme kryesisht gjendeshin në Vjenë, ai i shkroi një letër rekomandimi shefit të departamentit të gjeografisë të Universitetit të Vjenës  (hartograf me renome botërore) në lidhje me kërkimet. Ai me një urtësi shkroi disa letra rekomandimi për arkiva dhe institucione të ndryshme. Këto rekomandime për mua ishin të gatshme t’i plotësojnë të gjitha kërkesat e mia.

Një episod nga biblioteka qendrore nga Departamenti i Hartave. Meqë unë kisha të bëja me shumë atlase të shekullit 15,16, 17 dhe 18, të cilat ishin të formatit të madh dhe me peshë të madhe, numri i kërkimit të tyre nga hulumtuesit ishte me numër të kufizuar. Në Vjenë kam njoftuar edhe prof. Schwanke në Institutin e Studimeve për EJL, i cili më shoqëroi në Muzeumin e Armeve, ku gjendej përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut. Ai me merrte edhe kur mbante ligjërata për Shqipërinë në tubime të ndryshme.  Në studentët e Zagrebit kishim kontakt me ilirologun arbanas të Zarës Aleksander Stipceviq. Një herë, i nderuari për studentët shqiptarë e mbajti ligjëratën me temën “Ilirët”.

Në Zagreb e kam mësuar gjuhën angleze duke filluar nga ABC- ja në Qendrën e Gjuhëve të Huaja, ku mësimi zhvillohej në mënyrë intensive në klasë me numër të vogël studentesh.  Në Universitetin e Zagrebit, Fakulteti Filozofik, kam ligjëruar dy vjet për studentët e Universitetit të Portlandit (PSU), për një grup studentesh që mësonin gjuhën shqipe dhe historinë e popullit shqiptar. Për këtë grup studentesh, një ditë linguisti i njohur T. Katicic mbajti një ligjëratë me temën: “Gjuhët dhe dialektet në Gadishullin e Ilirisë”. Studentët e grupit e njoftuan se unë isha prof. shqiptar. Ai u tha: “Shiqojeni mirë, ai është tipik Ilir”.           

Personalisht kisha rastin që pas viti 2015 të pija kafen me të gati çdo ditë. Me thoshte se nuk po e leja rehat me punë shkencore. Sidomos shoqërimi me të u thellua pas inicimit të punës së Komisionit Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi. Pas insistimit të vij për hulumtimin e gjetjeve kredibile pr hartat e ish-Jugosllavisë dhe në kuadër të saj edhe të Kosovës, ai vendosi që së bashku të vizitojmë Zagrebin. Patëm sukses, pasi në Bibliotekën Universitare dhe Kombëtare na i siguruam hartat nga Enciklopedia e Jugosllavisë. Me t’u kthyer këto harta e sensibilizuan edhe më shumë opinionin shkencor dhe politik për ecurinë e demarkacionit dhe identifikimin e shumë gabimeve shkencore. Në të vërtetë, ai po vinte në Zagreb pas 25 vjetësh. Kërkesa e parë ishte të shëtiste nëpër vendet dhe rrugët malore të vjetra të mbi qytetit.

E bëri këtë dy ditë radhazi. Në propozimin tim që të vizitojmë rektorin e Universitetit të Zagrebit, më informoi se do të duhej 6 muaj më parë të lajmëroheshim për vizitë. Në insistimin tim, ai disi u pajtua. U lajmëruam të asistentja e rektorit dhe pas shpjegimeve tona për ardhje të shpejtë dhe të paplanifikuar, ajo e informoi rektorin. Edhe pse për hyrje te rektori prisnin 5 - 6 veta, rektori Boras doli në paradhomë të tij dhe të gjithëve u tha se kosovarët nuk presin para zyrës së tij. Hyjmë brenda dhe shkëmbyem disa fjalë. Veten dhe Profesorin Cërabregu e prezantoi si ish-student të Zagrebit, i cili kishte doktoruar në vitin 1975. Me të dëgjuar këtë rektori shprehu habi se sa herët kanë doktoruar shqiptarët në këtë universitet.

Me interesim të madh fliste për ASHAK-un dhe për emrat e anëtarëve të parë të saj edhe pse ai nuk ishte brenda ASHAK-ut. Meqenëse tregonte interesim për shkencën e Gjeografisë në Shqipëri, Kroaci dhe Kosovë, në propozimin tim që të iniciohet procedura për përfshirjen e tij në Akademinë e Shkencave dhe të Artit të Kroacisë, ai u pajtua duke theksuar vështirësitë e një gjëje të tillë. Pavarësisht, në vitin 2017 gjatë vizitës sime në Zagreb i vura kontaktet me disa akademikë të këtij shteti. I pari ishte akademiku Vladimir Stuipetic, i cili më premtoi mbështetje. Sugjerimi ishte që këtë punë duhej ta ngrejë Departamenti i Gjeografisë në kuadër të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Zagrebit. Të gjithë profesorëve u është dukur tejet interesante kjo iniciativë.

Me t’u kthyer në Prishtinë e njoftoi profesorin Cërabregu për fillimin e iniciativës. U entuziazmua për këtë edhe pse i shihte vështirësitë. Ai do ishte shqiptari i parë si anëtar i kësaj Akademie, nëse i përjashtojmë dijetarët arbëreshë. U morëm vesh që të iniciojmë këtë proces. Vazhdova të pi kafen me të si zakonisht dhe të punojmë së bashku në disa libra.

Në fillim të viti 2017 si bashkautor e publikuam librin “Gjeoekonomia” Në të njëjtën kohë punuam për botim si bashkautor të librit “Bërja dhe zhbërja e kufijve ndërkombëtarë”. Edhe me këto libra tregoi interesim për zhvillimin e kulturës gjeografike. Por çudia erdhi për disa ditë, ngase më 2 maj 2017 i erdhi vdekja. Realisht isha në pritje të një shkrimi nga dikush nga kolegët e tij. Kam të drejtë, pasi që kontributi i tij mbetet tejet i qartë në shkencën e Gjeografisë.

© zëri.info