Zërat

Rreze Hoxha

Testi PISA: Synim për rezultat sipërfaqësor apo ndryshim rrënjësor në sistemin arsimor?

16 maj 2018 • 15 : 25

Sistemi i arsimit në Kosovë që nga viti 2000 dhe në vazhdimësi i është nënshtruar reformave dhe ndryshimeve rrënjësore me qëllim të përmirësimit dhe të përafrimit të tij me standardet evropiane e botërore. Është deklaruar si prioritet kombëtar dhe janë premtuar investime të shumta shtetërore në zhvillimin dhe në përmirësimin e tij. Reformat e përfshira dhe kurrikulat e reja nuk kanë qenë rezultat i një studimi të gjendjes reale të strukturave të arsimit, të sfidave dhe të mangësive me të cilat  përballet sistemi arsimor në Kosovë. Të njëjtat kanë qenë rrjedhojë e bartjes së sistemeve të suksesshme ndërkombëtare në sistemin e arsimit kosovar. 

 

Ndërsa, premtimi i prioritizimit të çështjeve të arsimit në nivel qendror nuk është mbështetur asnjëherë nga mjetet buxhetore shtetërore. Si rezultat i praktikave të tilla dhe të mungesës së infrastrukturës për realizimin dhe inkuadrimin e këtyre reformave në sistemin e arsimit në mënyrë të mirëqenë, Kosova ende ka një sistem të dobët arsimor në krahasim me standardet dhe me sistemet evropiane. Kjo gjë është dëshmuar në aspektin ndërkombëtar përmes rezultatit të testit PISA të vitit 2015, i cili është test i përshtatur me sistemet arsimore evropiane.
 
Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve (PISA) është një test i përgjithshëm në suaza ndërkombëtare, i cili synon t’i vlerësojë sistemet arsimore në mbarë botën duke i testuar aftësitë dhe njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në zgjidhjen e problemeve të përditshme. Studentët të cilët i nënshtrohen këtij testi vlerësohen në shkencë, në matematikë dhe në lexim. Me anë të rezultateve të këtij testi tentohet të përcaktohet gjendja arsimore e një shteti dhe sektorët se ku duhet punuar.
 
Ndërsa masat konkrete që duhen ndërmarrë mbeten nën përgjegjësinë e shtetit konkret. Në vitin 2015, së bashku me 71 vende të ndryshme të botës edhe nxënësit 15-vjeçarë kosovarë i janë nënshtruar këtij testi.
 
Rezultatet e vlerësimit të testit PISA 2015 janë publikuar më 6 dhjetor 2016 përmes të cilave Kosova është ranguar në grupin e 5 vendeve me performancën më të dobët në këtë test. Ky rezultat ka dëshmuar faktin që sistemi kosovar i arsimit nuk i pajis të rinjtë kosovarë në moshën 15-vjeçare me aftësitë themelore të qasjes kritike për zgjidhjen e problemeve, të pritshme për moshën e tyre.
 
Realisht, rezultati i testit PISA 2015 ka qenë i pritshëm. Dështimi i implementimit të reformave dhe të kurrikulës së re, mospërmbushja e premtimeve të nivelit qendror në mbështetjen e vazhdueshme buxhetore në implementimin e tyre, dështimi i përditësimit të materialeve arsimore duke u bazuar në kurrikulën e re, politizimi i sistemit arsimor në tërësi, si dhe shumë faktorë të tjerë kanë qenë dhe janë të njohur për akterët kosovarë si faktor kyç në dështimin e përmirësimit të sistemit arsimor në Kosovë. Krijimi i politikave arsimore, duke u bazuar në praktikën e shteteve të zhvilluara dhe mospërshtatja e tyre me kulturën e strukturën e arsimit kosovar është problem eminent, i cili udhëheq tërë procesin. Ky orientim ka treguar të jetë praktikë e dështuar drejt rrugëtimit të përmirësimit të sistemit arsimor kosovar.
 
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë proces vlerësues është cilësuar si ndihmë e jashtëzakonshme në orientimin e duhur të politikave arsimore të Kosovës.
 
Është pranuar fakti që arsimi në Kosovë duhet të jetë prioritet kombëtar, i cili duhet mbështetur me mjete nga buxheti i Kosovës dhe jo vetëm nga projekte të ndryshme që varen nga donatorë ndërkombëtarë.
 
MASHT-i është zotuar në miratimin e Strategjisë Kombëtare për Ngritjen e Cilësisë, në përfundimin e suksesshëm të procesit të pilotimit të kurrikulës, në rishikimin e teksteve shkollore, në hartimin e Planit Strategjik të Zhvillimit në Arsim 2017/2021 dhe në përmirësimin e legjislacionit.
 
Njëkohësisht, është premtuar edhe mbështetja e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë në vazhdimësi të këtij procesi. Se si do të rezultojnë këto premtime në realitet, mbetet të shihet.
 
Meqë të rinjtë kosovarë i janë nënshtruar për herë të dytë këtij testi në vitin 2018, ka një pajtim të përgjithshëm se rezultati i tanishëm nuk do të jetë befasues dhe as larg rezultatit të vitit 2015. Kjo ngase koha e kaluar dhe veprimet e ndërmarra deri më tani nuk kanë qenë substanciale në ndryshimin dhe në përmirësimin e sistemit, i cili drejtpërdrejtë do të ndikonte në rezultat.
 
Dhe përderisa sistemi nuk përmirësohet rrënjësisht, atëherë një përmirësim i vogël i rezultatit do të jetë thjesht një ndryshim sipërfaqësor.
 
Vlen të theksohet që këtë vit ka pasur një angazhim më të madh nga ana e akterëve relevantë në kuptim të përgatitjes së nxënësve. Mirëpo, koha brenda së cilës nxënësit kosovarë i janë nënshtruar për herë të dytë këtij testi është skajshmërish e shkurtër. Kjo ngase ky test kërkon përgatitje të shumta dhe mobilizim më të madh institucional për arritjen e rezultateve më të mira. 
 
Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe për të kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në  kanalin e Salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet duke u bazuar në editorial mund t’i gjeni në uebfaqen tonë. 

© zëri.info