Zërat

Esad Ejupi

Ndryshimet që sjell Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

14 maj 2018 • 12 : 43

Është bërë avancim sa i përket kufizimit të situatave të mundshme që sjellin zyrtarët e lartë në konflikt të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Mundësia e ngritjes dhe e fuqizimit të autoriteteve përgjegjëse nëpër institucionet publike të vendit tonë do ta ndihmojë Agjencinë Kundër Korrupsionit në realizimin në mënyrë më efikase të misionit të vet – parandalimin e konflikti të interesit në ushtrimin e funksioneve publike.

 

Pas miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, këtyre ditëve, sipas afateve ligjore, do të duhej të hyjë në fuqi Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Nr.06/L-011.

Dihet se sa i përket kësaj fushe (konflikti të interesave) edhe më parë ka ekzistuar ligji i veçantë. Në fakt, shikuar kronologjikisht, ligji i parë i kësaj fushe, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ka qenë në nëntor të vitit 2007 (Ligji Nr.02/L-133), i cili pastaj është ndryshuar dhe është plotësuar me Ligjin Nr.03/L-155, në nëntor të 2009-s, si dhe është ligji i ri, në gusht të vitit 2011, që ka qenë në fuqi deri më tani, kur që tani e ka shfuqizuar ligji i bërë rishtas, i cili ka numër  Nr.06/L-011.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik gjatë gjithë këtyre viteve sa zbatohet kryekëput nga Agjencia Kundër Korrupsionit, si i tillë ka parandaluar dhe ka zgjidhur në masë të konsiderueshme situata të ndryshme të konfliktit të interesit. Themi kështu pasi që me të janë paraparë kufizimet dhe ndalimet e ushtrimit të funksioneve publike në situata të konfliktit të interesit, të cilat më pastaj kanë mundur të jenë burim eventual i korrupsionit.

Por me kalimin e kohës dhe të evoluimeve të përgjithshme në shoqëri, natyrshëm është paraqitur nevoja që edhe ky ligj të hyjë në procesin e ndryshim-plotësimit.

Tani kur hartimi i ri i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik ka kaluar të gjitha fazat e përgatitjes së tij, deri edhe në miratimin e tij në Kuvendin e Kosovës, synim i hartuesve të tij, duke përfshirë Agjencinë Kundër Korrupsionit, si zbatuese kryesore e tij, ka qenë që të rregullohen disa dispozita të cilat në radhë të parë këtë ligj e bëjnë më efikas në parandalimin dhe në zgjidhjen e konfliktit të interesit, pastaj që këtë ligj ta bëjnë më praktik për zbatim e që rrjedhimisht do të thotë edhe mundësi më shumë për parandalimin e korrupsionit qysh në burim, nga situatat e konfliktit të interesit.

Nga ky këndvështrim, fokusi i hartuesve të këtij ligji dhe i Agjencisë si autoritet zbatues i tij ka qenë që të rregullohen situatat të cilat kufizojnë, por edhe që ndalojnë zyrtarët e lartë publikë që në raste të caktuara, kur ka ose mund të ketë konflikt interesi, të mos ushtrojnë njëkohësisht dy e më shumë funksioneve publike.

Duke qenë se konflikti i interesit lidhet me procesin e vendimmarrjes, ligjvënësi te pjesa e përkufizimeve ka sqaruar një mori të shprehjeve të përdorura në këtë ligj dhe konkretisht “vendimmarrjen” e ka përkufizuar si çastin e fundit të procesit vendimmarrës gjatë të cilit vendoset përmbajtja përfundimtare e aktit ose e kontratës. Por, e veçanta këtu është se te procesi i vendimmarrjes janë futur edhe “çastet paraprake”, që është avancim dhe risi që sjell ky ligj.

Pra, “vendimmarrje” konsiderohen edhe ato çaste paraprake të vendimmarrjes të cilat janë thelbësore dhe përcaktuese në të cilat pjesëmarrja, ndikimi dhe qëndrimi i zyrtarit përcaktojnë përmbajtjen përfundimtare të aktit ose të kontratës, si dhe çdo veprim i zyrtarit në ushtrimin e funksionit publik.

Më tutje, ndryshimet evidente që janë bërë, shihen të inkorporuara te pjesa e “Papajtueshmërive me ushtrimin e funksionit publik”.

Siç e dini në këtë pjesë ka ekzistuar edhe më parë, por edhe tani, ndalesa absolute me dispozitën që ia pamundëson zyrtarit të lartë të jetë person i autorizuar në biznese private përderisa ai ushtron funksion publik.

Ndërsa, në dispozitat tjera në vijim janë bërë kufizime të natyrës opsionale e që në masë të madhe janë situata më shpesh të paraqitura në praktikë dhe të cilat gjithmonë kanë hapur debat nga jashtë dhe kanë qenë cak i atakimit të zyrtarëve që kanë ushtruar këto funksione.

Pikërisht për t’i evituar situatat kur një zyrtar i lartë publik ka mundur të jetë anëtar i dy e më shumë organeve drejtuese të ndërmarrjeve publike, të shoqërisë aksionare me pronë publike, si dhe të institucioneve të tjera publike, përveç rasteve kur kjo parashihet me ligj (sipas detyrës zyrtare).

Kjo është bërë me qëllim që të evitohet ajo që në të kaluarën ka qenë realitet. Kur një zyrtar i lartë publik ka qenë edhe anëtar i ndonjë bordi të ndonjë ndërmarrjeje publike lokale, por edhe i ndonjë bordi të ndonjë ndërmarrjeje publike qendrore. Me ndryshimet që janë bërë në këtë ligj, zyrtarët e lartë publikë do të kenë më shumë kufizime në këtë aspekt. Këtë e vërteton dispozita konkrete që thotë se: “zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, të shoqërisë aksionare me pronë publike, si dhe të organeve të institucioneve të tjera publike”, (Neni 13, paragrafi 2).

Po ashtu është bërë kufizim edhe në rastet kur ai mund të jetë anëtar i këtyre bordeve ose i këshillave drejtuese, por që nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe të shpenzimeve të tjera të lidhura me të. 

Risi tjetër që ofron Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik është edhe çështja e anëtarësimit të zyrtarëve të lartë në organizata joqeveritare.

Ndryshim që vlen të theksohen këtu, është fakti sa i përket pamundësisë së zyrtarëve të lartë për të qenë udhëheqës ose titullar të organizatave joqeveritare.

Deri më tani zyrtarët e lartë publikë kanë mundur të jenë anëtarë të organeve drejtuese të organizatave joqeveritare (OJQ) të fushave të caktuara, me kufizimin që ajo OJQ nuk ka mundur të marrë fonde nga institucionet publike të Kosovës në të cilat zyrtari i lartë publik ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthorët në vendimmarrje. Ndërsa tani zyrtarët e lartë e kanë të kufizuar mundësinë për të qenë në krye të funksioneve drejtuese nëpër organizata joqeveritare.

Pra, mundësia që zyrtarët e lartë të jenë anëtarë të organizatave joqeveritare ka mbetur akoma, por ka kufizim të qartë për zyrtarin e lartë i cili, tashmë, nuk mund të jetë në funksion drejtues të organizatës joqeveritare (drejtor, kryetar, kryeshef, menaxher, etj).

Këto tani duhet të theksohen si risi të këtij ligjit të ri, sepse deri më tani zyrtarët e lartë kanë realizuar mjete të konsiderueshme si anëtarë të bordeve drejtuese, e po ashtu në raste të ndryshme, zyrtarët e lartë kanë qenë anëtarë edhe të një apo më shumë bordeve.

Ky ligj tani ka rritur edhe kufizimet për zyrtarët e lartë publikë pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik. Kjo për faktin se është konsideruar se zyrtarët e lartë publikë duke shfrytëzuar pozitat e larta gjatë ushtrimit të funksionit të tyre publik po krijojnë ambiente të përshtatshme për vete dhe për të afërmit e tyre, për punësime pas mbarimit të funksioneve të tyre publike.

Duhet theksuar se jorrallëherë është potencuar ideja që Agjencia Kundër Korrupsionit të ketë nën mbikëqyrje dhe t’i zgjidhë të gjitha situatat e konfliktit të interesit që ndodhin në institucionet publike të Kosovës, pavarësisht a kanë të bëjnë ato me zyrtarë të lartë publikë ose në përgjithësi edhe me nivelet tjera të zyrtarëve.

Dhe për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe më të lehtë e më të mirë, të menaxhueshme, Agjencia Kundër Korrupsionit ka dhënë idenë që të forcohen mekanizmat ligjorë nëpër institucione publike. Kjo do të thotë se secili nga institucionet publike duhet të krijojë rregullativen e vet përkatëse me specifikat për fushëveprimtarinë e vet. Natyrisht Agjencia Kundër Korrupsion të gjitha këtyre institucioneve do t’u ndihmojë me këshilla e me rekomandime, por edhe me asistencë profesionale gjatë punës praktike në hartimin e kësaj rregullative.

Në kuptim të funksionimit sa më të mirë praktik të gjithë kësaj, tani me këtë ligj, Agjencisë kundër Korrupsionit i është shtuar edhe kompetenca e monitorimit, kontrolli dhe e bashkëpunimit pro aktiv me të gjitha institucionet publike të vendit, në mënyrë që përmes instrumenteve dhe mekanizmave ligjorë, situatat e konfliktit të interesit të fillojnë të zgjidhen qysh në burim.

Kjo do të thotë se: Agjencia Kundër Korrupsionit në kuadër të detyrave dhe të përgjegjësive të veta do të ndihmojë në përgatitjen dhe në përmirësimin e politikave dhe të mekanizmave të parandalimit dhe të shmangies së konfliktit të interesave, si dhe monitoron zbatimin e tyre. (Neni 21, paragrafi 1.1)

Po ashtu Agjencia Kundër Korrupsionit, në kuadër të këtij monitorimi, do të kryejë edhe hetim administrativ në përputhje me procedurën administrative dhe do t’i japë rekomandimet e nevojshme për forcimin e kapaciteteve për administrimin e konfliktit të interesave në institucionet publike (Neni 19, paragrafi 3.4).

Tani kur ligji hyn në fuqi këto ditë, mbetet punë e Agjencisë Kundër Korrupsionit që t’i rendisë aktivitetet e saja në fushatën për sensibilizimin e opinionit të gjerë me ndryshimet e bëra, pastaj me fuqizimin dhe me funksionalizimin e autoriteteve përgjegjëse për parandalimin e konflikti të interesit, që do të duhej të ekzistojnë nëpër të gjitha institucionet publike të vendit tonë.

Vetë zyrtarët e lartë publikë, udhëheqësit e tyre, autoritetet përgjegjëse në institucionet përkatëse të vendit dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, si autoriteti qendror, duhet të bëjnë përpjekje që situatat e konfliktit të interesit të parandalohen në burim pa prodhuar efekte të dëmshme, as juridike e as materiale. Vetëm kështu dhe në këtë mënyrë do të realizohej njëra nga masat për parandalimin e korrupsionit në përgjithësi.

© zëri.info